Suplementi Pena Shqiptare/ Bedri Çoku: Gruaja e të burgosurit politik

57
Sigal

Tregim i vërtetë

Hyra në vorbullën e kësaj ngjarjeje fare rastësisht. Sepse, po të mos isha kthyer në VC – në e qytetit, s’do ta kisha gjetur letrën, e cila u bë shkak të shkoja prapa burrit të botës, për të mësuar cili ishte dhe ku banonte?

Ja çfarë përmbajtje kishte letra.

NADIRE,

 Do të habitesh nga kjo letër, pa emër e pa datë. S’ka gjë, merre pa u shqetësuar; me guxim…Do të shohësh se, prapa kësaj letre, shtrihet një dorë e ngrohtë, miqësore, paçka se është pak e rreshkur dhe e ashpër. Ama është dorë burri! -Kam për të të thënë diçka me shumë rëndësi, nga miku yt i hershëm, njeriu më i dashur në vitet e beqarisë tënde… “Amanetin,- thotë populli,- nuk e tretë as dheu”. Përsa të njoh nga bisedat me bashkëvuajtësin tim, pra, bashkëshortin tënd, jam i bindur se cilësitë e tua morale e shpirtërore, do të të ringjallen edhe njëherë. Ty do të rikthehen edhe një herë kujtimet e hershme bashkëshortore…Të lutem Nadire, më jep mundësinë të të sjell amanetin e shokut tim, të çmuar!

 

Pres me padurim takimin me ty!

Të fala vëllazërore!

 

Letrën e gjeta të palosur katër herë. Sapo e lexova, renda prapa njeriut që më pat liruar vendin. Fatmirësisht, fizionominë e tij e kisha ende para syve…E arrita, sa mund të kishte ecur njeriu për dy tri minuta. Ishte i veshur me pallto të madhe gri, me mballoma në të dy bërrylat. Edhe kapelen ashtu e kishte, gri e me strehë të madhe. Kur e pashë nga afër, s’m’u duk më i moshuar se dyzetë e pesë vjeçar…edhe pse mustaqet e mbushura i kishte pothuajse të thinjura. Ai ecte rëndë dhe me hap të sigurtë. Fytyra e tij më ngjalli respekt, gati mistik, ngaqë ishte tepër serioz. Edhe pse ecte sikur asgjë dhe asnjeri nuk i interesonte…ndaj m’u drodhën gjunjtë, kur ai, papritur, u kthye një çast nga unë dhe vazhdoi të ecte përngjit meje, si një shpirt-hije! Mbeta në vend deri sa mora veten. Pastaj iu vura përsëri pas, jo më pak se gjysmë ore. Ai bëri disa ndalesa. Nëpër dyqanE takoi nja dy persona të moshuar, Pastaj hyri në rrugën “Luigj Gurakuqi”, ku, për pak më humbi nga sytë, sepse ai u fut në disa rrugica të panjohura nga unë. E gjeta përballë një ndërtese të madhe të rrethuar me kangjella. E pashë, madje, kur futi disa herë duart nëpër xhepa dhe, i bindur se atë që kërkonte s’e kishte më drodhi një cigare, e ndezi, e thithi disa herë dhe, mori drejtim tjetër, majtas, deri sa u zhduk nga sytë e mi… U interesova dhe mësova se në atë shtëpi të madhe, me kangjella, nuk banonte asnjë grua me emrin Nadire. Aty jetonte një ministër i rëndësishëm i asaj qeverie, me gruan dhe dy vajzat, që studionin në universitetin e Tiranës. Për merak, pyeta aty rrotull, nëse jetonte ndonjë grua me emrin “Nadire”… më thanë se njëra ishte shumë plakë, e vetme në shtëpi, kurse tjetra, disa pallate më tej, ishte nxënëse në Liceun Artistik. Hoqa dorë nga iluzioni se letra që kisha në xhep, mund të mos ishte gruaja, mendova unë, kundërshtare e regjimit. Nadirja e letrës në xhepin tim, gjithsesi, do të mbeste në memorien time, simbol i një gruaje të pafat. Ndaj, letrën desha ta fusja në sendet e mia personale, pa ia treguar gruas. Por jo, ndërrova mendje. Unë që nuk ia kisha treguar kurrë gruas, kutinë e sekreteve, si me urdhër të Perëndisë, letrën për Nadiren, ia tregova. Edhe ajo, kur e lexoi, u mrekullua nga mënyra si ishte shkruar dhe nga përmbajtaja e saj. Doli një mendje me mua: letra i përkiste njerëzve – ish të pasur e zotërinjë, por të përmbysur nga regjimi komunist. Madje, ajo shkoi edhe më larg se unë: shtoi diçka që më pëlqeu pamasë. Përveç zgjuarsisë, ajo tregoi edhe mentalitetin e saj për kundërshtarët e regjimit, kur tha se, një letër të tillë, veç ata mund ta shkruajnë në këtë mënyrë të kulturuar e mirësjellje. Janë shtresa më e virtytshme dhe patriote në vendin tonë. E vlerësojnë njeri-tjetrin nga cilësitë njerëzore e patriotike dhe jo siç bëjnë këta sot. Ishte pikërisht gruaja ajo, që, rastësisht, e zbuloi Nadiren e shumëkërkuar të letrës… Ndodhi një ditë në merkato, teksa ime shoqe merrte, zakonisht, furnizimin e ditës me ushqime, kur njëra nga gratë, në  reshtin e tyre, përmendi emrin e Nadires, Qysh nga ai çast, ime shoqe, nuk e largoi vemendjen nga “Nadiria” deri sa i erdhi rasti për të hyrë në muhabet me të. Gruaja më tha, gjithashtu, se, kur u ndanë përzemërsisht, atë e shoqëronte një djalë, rreth të tetëmbëdhjetave, veshur e mbathur përbukuri, njëlloj siç vishej rinia e kohës. Ndërsa Nadiren ma përshkroi një grua të thjeshtë, të përzemërt, pak të dobët, por simpatike për moshën e saj.

Gjithsesi, mua dhe gruas na lindi një fije shpresë se mund të ishte ajo, gruaja e letrës së çuditshme. Një të dielë e kandisa gruan që ajo të shkonte për vizitë në shtëpinë e Nadires së merkatos, ndërsa unë dola, si zakonisht, për t’u takuar me shokët e mi, për kafe. Por, edhe për të shkëmbyer mendimet tona, lidhur me ecurinë e Shqipërisë komuniste. Përgjithësisht ishim nolistë që, pak a shumë, kishim mbështetur luftën partizane, duke kujtuar se kjo luftë ishte më progresiste për të hequr qafe nazifashistët, por edhe bejlerët e agallarët e vendit. Dy ose tre ishin enveristë të thekur. Ne, të tjerë ishim shokë  qysh  në shkollën tregtare të Vlorës, por dhe gjatë luftës çlirimtare…Ishim të rinj dhe merrnim të mirëqenë çdo propagandë që na bëhej, sidomos në shkollën tonë të mesme, vinin grupe të indoktrinuarë me frymëzime staliniste – komuniste, doktrinë që po lulëzonte, asokohe, edhe në Europë e gjetkë. Atëherë mendonim se e keqja e vendit i vinte nga bejlerët dhe agallarët, pa e ditur se komunistët me të cilët u bashkuam, po të merrnin pushtetin, do ta shkatërronin shtresën e mesme, e cila përfaqësonte pjesën më vitale të popullsisë, siç ishin tregëtarët, bujqërit dhe intelektualët, të cilët brez pas brezi kishin zhvilluar Shqipërinë, bujqësinë me djersën e tyre të ballit. Asnjëherë nuk na treguan se partia që drejtonte luftën partizane, të ishte parti komuniste: e quanin “Parti Demokratike për vegjëlinë,” siç ishin partitë europiane, por me emisarë jugosllavë. Vetëm pas çlirimit, pasi morrëm pushtetin, “Partia e jonë demokratike”, u shpall Parti Internacionaliste Komuniste, siç ndodhi edhe në Jugosllavi. Prishja me Jugosllavinë na gëzoi, por, edhe lidhja me Bashkimin Sovjetik nuk doli ashtu siç e prisnim! Takimi i Enver Hoxhës me Stalinin gjakatar, i cili kishte masakruar miliona bashkëkombas, nëpërmjet programit të luftës klasore, frymëzoi Enverin dhe partinë komuniste shqiptare. Menjëherë u shpallën “kulakët” dhe “tradhëtarët”edhe  në Shqipëri, si në Rusi, në shtresat e pasura të qytetit e të fshatit. Të gjithëve iu konfiskuan pasuritë e tundshme e të patunshme dhe u burgosën ose u pushkatuan, sidomos intelektualët, që kishin studiuar nëpër vendet perëndimorë- borgjeze, me motive nga më të çuditshme të pa para e dëgjuar ndonjëherë. Pak e nga pak shtresa e mesme po shtrydhej si limon e po zhdukej si një lumë që e përpinte dheu. Ishim disa nga shokët, që pavarësisht se patëm luftuar në krahë me komunistët, pas çlirimit, regjimin që u vendos me dhunë, nuk e mbështetëm. Nuk mund të pranonim vendosjen e diktaturës në vend të nacionalizmit, i cili mbante në këmbë çdo komb në botë. Për ne, si kudo në popujt e zhvilluar, shtresa e mesme është ajo që përparon vendin, është palca e çdo kombi, që ruan inteligjencën, dinjitetin dhe zhvillimin e vendit. Kur u kthye gruaja, po e prisja te porta, E kuptova në fytyrë që ajo kishte për të më thënë diçka të mirë, sepse i qeshte nuri. -Ajo është – më tha – Me një eufori që mezi e kishte mbajtur – E kishte burrin në burg, siç e menduam ne… Pastaj më tregoi fill e për pe çdo gjë rreth Nadires. Më tha se jetonte me të dy djemtë në një dhomë të varfër. Edhe pse në varfëri, rregulli dhe pastërtia në dhomë ishin për t’u admiruar. Edhe pse jetonin  vetëm me rrogën e saj, dy djemtë ishin si dy pëllumba: i vogli katërmbëdhjetë vjeç, i madhi tetëmbëdhjetë, të cilin gruaja e kishte parë me Nadiren në merkato, duke shoqëruar të ëmën. I kishte treguar edhe për të shoqin, i cili vuante gati mbi një dekadë në burg dhe kishte ende vite për të vuajtur, ngaqë ligji çnjerëzor, që u vendos në vitin 1962, për dënimet politike, nuk e lironte më asnjë të dënuar politik, pa mbushur vitet e dënimit. Nadiria, sipas saj, ishte një grua zonjë, këmbënguli gruaja, ngaqë e kishte pritur dhe trajtuar me cilësinë e një gruaje, me siguri, nga një derë e mirë. Shprehu kaqardhje për këta njerëz të mirë e të bukur, sidomos për brengën që ravizohej në fytyrën e trishtuar të gruas. Ajo më kujtoi historinë e ujkut me të qengjit, në lumë, që kishin shkuar për të pirë ujë: “E di që nuk ma ke turbulluar ti ujin,- i tha ujku qengjit, por babai yt, prandaj  unë do të  të ha!” Punonte sa i binte bretku në një ndërmarrje ndërtimi. Kush do t’i jepte punë të lehtë një gruaje  të një të burgosuri politik? M’u dhimbsën gruaja me djemtë dhe sytë m’u mbushën me lot. Po sa familje të tjera si kjo vuanin në Shqipëri, vetëm e vetëm, sepse nuk ishin në një mendje me komunistët? E mbylli ime shoqe rrëfimin. E lamë në mirëkuptim që gruaja ta vizitonte, herë pas here këtë familje nën terrorin e persekutimit, dhe, me këtë rast, të çonte ndonjë ndihmë të vogël në formë peshqeshi. Dhe kështu u bë. Ime shoqe u miqësua me Nadiren dhe djemtë e saj, derisa për mua ishte e lehtë tani, për vizitë me time shoqen, tek ata. Kjo ndodhi pas dy javësh, pasi ne shfrytëzuam festën e Bajramit, natyrisht patëm rastin që të merrnim me vete edhe një pjesë të harxheve, me arsyetimin e thjeshtë: ta festonim bashkërisht këtë festë të shenjtë! Ata u befasuan, por edhe u gëzuan kur na pane. Djali i vogël ishte një xhevair i rrallë: i urtë, i zgjuar, i pashëm. Pyetjet e tij, hera – herës, ishin interesante, të mprehta dhe befasuese, për moshën që kishte. Por edhe përgjigjet e tij ishin interesante, që të ngjallnin entuzizëm. Më mallëngjeu kur filloi të tregonte për të atin, i cili e kishte lënë në bark të nënës, kur babait i kishin hedhur hekurat në duar. Kurse i madhi m’u duk se ç’kishte një heshtje, jashtë natyrës së vet, një heshtje të sforcuar, sepse ndryshe shprehnin sytë e tij të ëmbël, ngjyrë kafe. Nga përvoja ime, natyrisht, nuk e pata të vështirë të kuptoja se ai djalë, më i rritur, i lidhur me hallet e të ëmës, me problemet familjare dhe të ardhmen e tyre, nën atmosferën e rëndë të luftës klasore, domosdo që do të përjetonte në sytë e tij edhe dramën shpirtërorë të nënës së vet. Sapo atmosfera u ngroh dhe nisën bisedat e zakonshme, atëherë vendosa të nxirrja letrën e t’ia tregoja Nadires. Nuk i thashë asgjë. Ajo e mori me majat e gishtave, pak e hutuar dhe e trembur. E lexoi me një frymë. Të gjithë po shikonim atë se si po ndryshonte në fytyrë.

– Për ty është? – i thashë, i paduruar, si një axhami. Ajo nuk ktheu përgjigje. E lexoi letrën përsëdyti, derisa nga buzët i doli një pshërtimë e thellë.

– Po, po…për mua është shkruar…

Dhe lëviste buzët vetmevete. Çuditërisht si tjetër njeri. Sytë e mëdhenjë, të pastër e të qëruar nga trishtimi, nuk shikonte asnjë nga ne.

– Po si ndodhet kjo letër në dorën tuaj? – pyeti sikur zbriti nga një planet tjetër.

-Rastësisht! Ka disa muaj. A ju ka takuar ky njeri?

-Patjetër. Erdhi më takoi…

-Ishte i jashtëzakonshëm ai njeri. Me siguri i liruar nga burgu!

– E paskët njohur?

– Vetëm sa e kam parë. Por e kuptova që atij i kishte rënë kjo letër…E ndoqa deri sa u gjenda m’u pranë tij, por letrën nuk ia dhashë. Dëshiroja të njihesha me atë, me ju që vuani nga diktatura e sotme. Kam falenderuar Zotin disa here, që më dha mundësinë të jem sot midis jush, bashkë me gruan, në shtëpinë e një martiri, që po vuan në burgjet tona të tmerrshme, me shumë shqiptarë të tjerë dhe familjet e tyre, sepse duan lirinë e shqiptarëve, të Shqipërisë rrethuar me tela me gjëmba dhe bashkimin e trojeve tona të grabitura me dhunë. Qofshin të lavduar idealistët e vërtetë!