Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Koçi: Lutje nga burgu e Bedri Vëndreshës

63
Sigal

Bedri Vendresha (Lëmi) njihej në fshat si njeri hokatar, që e donte jetën, njeri që ishte i kërkuar për zërin e tij të bukur e melodioz. Pra ishte edhe një këngëtar, që i bënte të tjerët t’u jepnin fund fjalëve nëse ai niste këngën. E kisha parë me sytë e mi sesa magjishëm e hidhte vallen dyshe skraparase. Në muhabete të mëdha, ku pihej raki e ku nuk kishin fund dollitë, Bedriu bëhej çakërrqejf dhe arrinte të çudiste të gjithë muhabetin, duke e hequr vallen “mbi dy pëllëmbë sofër”. Por dikur Bedri Vendresha, aty rreth viteve ’60 të shekullit të kaluar, bëri një gabim fatal e që do ta paguante me 6 muaj burg. Po cili ishte faji që kishte bërë Bedriu? Ai kishte kundërshtuar urdhërin e organeve të pushtetit të kohës për të dërguar vajzën në shkollë. Dona, vajza e bukur e Bedri Vendreshës, kishte mbaruar katër klasët e fillores, por pas kësaj, ishte e detyrueshme për të vijuar 7-vjeçaren. Për arsye të ndryshme Bedri Vendresha e kishte kundërshtuar këtë detyrim ligjor, e ndaloi vajzën të shkonte në shkollë. Por kjo marrëzi e tij do ta çonte në burg. Provimin e lirisë e shleu aty në burgun e Degës së Punëve të Brendshme, në qytetin e Çorovodës. Në atë kohë burgu nuk bëhej si tani, që burgaxhinjtë hanë e pinë në kurriz të taksapaguesve, pra në kurrizin tonë. Të dënuarit atëherë punonin në fronte të ndryshme. Dikush punonte në minierë, dikush në punë xheniere, të tjerë në tharje kënetash etj. Bedri Vendershës i ra fati të punonte në ndërtim, në ngritjen e pallateve për banim në qytetin Çorovodë. Por në atë sistem kishte edhe një vendim tjetër paksa demokratik. Ai që tejkalonte normën, kudo ku punonte, shpërblehej në të holla në bazë të asaj që kishte tejkaluar mbi detyrimin ditor. I burgosuri Bedri, meqë ishte i ri, plot shëndet dhe “i dashuruar” pas lekut, arriti të grumbullonte goxha të holla, aq sa përballonte mjaftueshëm nevojat e familjes në fshat. Ky “shpërblim” me lek në dorë kishte bërë që Bedri Vëndresha të harronte sa kohë i kishte mbetur për t’i dhënë fund dënimit, apo të kujtohej për të trokitur në zyrat e administratës të Degës së Punëve të Brendshme për këtë gjë. I kishte harruar të gjitha. Erdhi dita që ai duhej të largohej nga burgu dhe, sigurisht, edhe nga puna si ndërtues. Dënimi me 6 muaj heqje lirie kishte mbaruar e nga ai çast duhej të kthehej në shtëpi, pranë familjes. Shokët diçka kishin kuptuar kur bashkëvuajtësi i tyre, Bedri Vendresha u kishte kërkuar një laps e një copë kartë, por se do të dëgjonin çudinë e padëgjuar, nuk e prisnin. Në atë copë letër ai kishte bërë lutje, lutje ku u drejtohej kompetentwve të burgut, e ku u kërkonte t’i bënin një nder, për t’ja shtyrë lirimin nga burgu edhe 6 muaj. “Kam fëmijë për të rritur more shokë të komandës. Këtu bëra burg, por kam marrë edhe lekët që më janë dashur për të rritur fëmijët. Nëse nuk u bëj qeder, u bëj rixha të më mbani këtu në kushtet dhe rregullat tuaja si i burgosur! U jap fjalën e nderit se nuk do t’ju turpëroj.” Bedri Vendreshës, mesa di, iu pranua lutja. Madje merrte të gjitha lekët për punën që bënte, duke ia hequr “taksën” si i dënuar me burg. Ndërkohë e bukura Donë vijonte shkollën 7-vjeçare në Vendreshë. At e bijë tashmë nuk jetojnë, ndaj edhe e shkruajta këtë rrëfenjë në kujtim të tyre.