Suplementi Pena Shqiptare/ Albert Z. Zholi: Vajza krenare

58
Sigal

Atë sezon-vere ishim pesë shqiptarë që u punësuam në një hotel-restaurant në Glifadha, ndërtuar në buzë të detit. Në atë hotel, vendet rezervoheshin qysh në dimër. Në sezonin e verës personeli dy ose trefishohej. Atë verë turizmi dukej i mbarë dhe pronari nuk mund ta fshihte gëzimin. Ditën e parë të punës na mblodhi, të pesë shqiptarëve:-Dua punë të shpejtë dhe korrektësi. Pagesa jashtë orarit është njëmijë e pesëqind dhrahmi-ora. Ne qëndruam, për disa minuta, në heshtje, pas largimit të tij. Nënkuptimi ishte i qartë: duhej të bënim kujdes e të mos vinim dorë. Media elektronike kish bërë punën e vet për “namin” e shqiptarëve. Kur u ngritëm që të fillonim punën i dhamë fjalën njëri-tjetrit, të punonim me korrektësi e ndërgjegje, për të mos e ulur asnjë çast emrin tonë dhe të vendit tonë. Për rreth pesëmbëdhjetë ditë, punët shkonin shumë mirë. Në banak qëndronte një vajzë simpatike greke, 22-25 vjaçare, së cilës fytyra i qeshte vazhdimisht dhe me ne ishte shumë e dashur. -Bravo Albania, jeni djem shumë të mirë!-dhe trokiste duart me ne. Por kjo atmosferë nuk zgjati shumë. Në javën e tretë, ndryshoi qëndrimi i personelit ndaj ne-shqiptarëve. Ne shihnim njëri-tjetrin të hutuar, pa ditur arsyen. Sigurisht diç kishte ndodhur. Një pasdite, një nga kuzhinierët, që na respektonte më shumë, na tha se kishte disa ditë që po vidheshin vezët e peshkut. Vezët e peshkut ishin ushqimi më i preferuar i turistëve, por edhe më i shtrenjti, pesëmijë dhrahmi-kilogrami. Ata dyshonin për ne, por edhe ne kishim një hije dyshimi për njëri-tjetrin. Punonim, por pa atë zellin e ditëve të para.
Një pasdite Dritani i thotë pronarit: -Zoti Aleko, ju lutem edhe në emër të shokëve, siç jemi të gjithë shqiptarë e grekë, na kontrollo. Duhet ta bësh pa tjetër që të marrë fund kjo gjendje. Pronari e pa me vëmëndje nga koka në këmbë. -Hapni të gjithë çantat!-tha pronari dhe e nisi kontrollin nga Agroni, Dritani e me rradhë. Mbasi mbaroi me shqiptarët vazhdoi kontrollin me grekët. Në fund ishte Agathia, vajza e banakut. Pronari u afrua dhe futi dorën te çanta e saj, me mendimin sa për të kaluar rradhën. Por dora e tij mbeti aty ku duhej. -Ti Agathia? Pse e bëre këtë? -Se isha e bindur se të gjithë do të mendonin për shqiptarët-tha ajo sikur të mos kish ndodhur asgjë.