Suplementi Pena Shqiptare/  Bashkim Koçi: Gjovalin Gjeloshi bën “Një portret për njeriun”

448
Sigal

Një libër i shkruar me profesionalizëm dhe me shumë dashuri  për “babazotin”e gazetarisë shqiptare, Profesor Hamit Boriçin.

Unë nuk e kam njohur nga afër Prof. Hamit Boriçin. Nuk më kishte “ndritur fati” që ta kisha patur pedagog, apo shef në profesionin ku kam punuar për dhjetra vjet si gazetar. Jo, nuk e paskësha patur këtë fat! Por Profesori, ashtu si shumë të tjerë të profesionit të gazetarit, më ka qëndruar pranë me emrin e tij të madh. Por paksa lart e larg për ta arrirë në këtë fushë, si të jetë “babazot” i gazetarisë shqiptare. Ndoshta jo të tërin, por Prof. Hamit Boriçin e gjen “atë që është” në librin “Një portret për njëriun”. Atë na e kanë sjellë, me rastin e 90-vjetorit të lindjes, një ish-nxënës e koleg i tij, Gjovalin Gjeloshi, i përkujdesuri deri në detaj në “gdhendjen” që i kanë bërë plot 15 emra të tjerë të dëgjuar të gazetarisë, njëri më vlerësues se tjetri ndaj profesorit, për të “shteruar” të gjitha kujtimet, vlersimet dhe “borxhet e harruara” të mblojtura, por për t’ja thënë ashtu si e kanë njohur ata, në atë pervjetor. Të gjithë udhëtimet e gjata fillojnë me një hap të parë, e që këtë “hap të parë” e ka bërë edhe Hamit Boriçi, njeriu i fisit të vjetër dhe me emër të madh të qytetit të Shkodrës. Sigurisht ai vjen e qëndron në rradhë pas disa brezave të Boriçëve, patriotë e mëmëdhetarë, trashëgimtarë të pasurive intelektuale e arsimore, por është fakt që edhe ai ka qenë dhe mbetet “gur i rëndë” i vlerave të çmuara të atij fisi me emër të ndritur. Në këto gjurmë, nga kur e ka filluar jetën e deri sa arriti në finish, autorët e librit “Një portret për njeriun”, por edhe nën mbikëqyrjen syhapët të Gjovalin Gjeloshit, Prof. Hamit Boriçi paska rrugëtuar për të qenë produkt i formimit të tij, i mendimeve që ia kanë pushtuar veten për të filluar e mbetur  njeri i kontributeve si askush tjetër. Them se autorët që kanë hedhur në letër ca fakte e copëza jete të padëgjuara nga ne të tjerët, që janë zbuluar e “zbrazur” si për të mos harruar asgjë që u ka mbetur brenda vetes, e kanë menduar gjatë që libri të pagëzohet me këtë titull kaq të bukur e qiellor, “Një portret për njeriun”. Dhe të jesh njeri, ta meritosh atë nëse të tjerët të dhurojnë pa vendime e dekrete, titull sa i thjeshtë, por aq edhe hyjnor, besoj se një ndër të paktët që mban ky dhé, është Prof. Hamit Boriçi. Dikush në libër, një zë i mirënjohur i gazetarisë shqiptare, Besnik Dizdari, me pak radhë, vetëm me pak, tregon se sa e madhe dhe e magjishme është zemra e njeriut. “Mësuesit më origjinalë, shkruan Besniku, nuk janë ata të shkollës klasike, që të ftojnë në klasë, që të caktojnë bankën, që të bëjnë apelin, që të ngrejnë përpara dërrasës së zezë, që të vejnë notën e mandej, që të spjegojë mësimin. Janë të tjerë. Janë ata që, ndoshta edhe papritmas, kur ti sapo ke dalë në jetë dhe kërkon të ushtrosh profesionin për të cilin ke studjuar ose të cilin ke dëshirë ta përvetësosh, të ndihmojnë e të drejtojnë. Them se Prof. Hamiti ishte nga ata të llojit të dytë, që të ndihmonte e të drejtonte.”  Profesor Hamit Boriçi shfaqet në libër, nga të gjithë ata që janë ulur për të na i sjellë plotëngjyrësh portretin e tij, njeri i kompletuar, intelektual nga ata që ka ditur të gjejë qetësinë për të pranuar gjërat që nuk mund të ndryshojnë, por që ka patur fuqi e guxim për të dhënë këshilla të mençura e që mbanin brenda vendosmërinë e një burri me eshtër. Autori, Gjovalin Gjeloshi, ashtu si edhe të tjerët që kanë vënë nga një copë metal në bustin e bronxtë të Profesorit, ka shkruar me ndjenja të pastra, të sinqerta dhe me vërtetësi që mbajnë brenda shpirtin njerëzor. Në një rast Gjovalini “ngutet” të fus aty në libër një bisedë që e paska bërë rastësisht me Ramiz Alinë, aty rreth vitit 2001, episod të treguar në prani të Hamit Boriçit, e që ky i fundit, pra Profesori, paskësh qënë ai të ish “zbutës” për të kapërcyer “pa u lagur” një situatë me rrezik të madh.

-Nuk mund të rri pa të thënë për një nder që më ke bërë para disa viteve.                                       -Pa hë, më tha Ramizi, çfarë ndihme?                                                                                                                              -Bëhet fjalë për një letër që të kam shkruar, aty nga viti 1986. Nismëtar ishte Hamit Boriçi.

Gjovalini e shtjellon atë ngjarje edhe më tej, duke hedhur dritë tek forca e karakterit, tek bindjet, tek forca e argumentit dhe “aventura prej të marri” e Hamit Boriçit për ti shkuar të drejtës deri në fund. Në librin “Një portret për njeriun” është marë përsipër të shkruhet e të thuhet për Profesorin gati i gjithë rrugëtimi për veprimtarinë e tij të gjërë, shumëplanëshe dhe kontribuese për breza të tërë studentësh, gazetarësh, por edhe të kategorive të tjera që rrok gazetaria. Dhe ai, në radhë të parë, ka shërbyer si frymëzues dhe shtytës për të qenë i guximshëm, duke e konsideruar profesionin e gazetarit nga ata që ta japin “bukën e gojës”, por jo pa rrezikuar. Eshtë vendi të themi se të gjitha për çka rrezikohej edhe vet Hamit Boriçi, ishin aty, në të gjitha mjediset ku atë mund ta gjeje vetëm duke punuar. “Hera e mbarë e ka prurë që gjatë jetës sime, shkruan Prof. Dok. Akad. Gjovalin Shkurtaj, sidomos në vitet e shkollimit në Fakultetin e Historisë e Filologjisë të UT-së dhe të punës në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë e në Akademinë e Shkencave, të kem njohur një yjësi burrash të shquar, midis të cilëve si një lis i madh e degëgjerë, ka qenë për mua edhe Prof. Dok. Hamit Boriçi, për të cilin, teksa jam ulur të shkruaj disa mbresa e vlerësime për ndihmesat e tij si professor universitetesh, më duhet që, ashtu si e kam shprehur edhe më parë, të theksoj se kanë qenë e mbeten kujtime të bukura e të veçanta, mbi të gjitha të paharrueshme. „Fusha e veprimtarisë të Prof. Hamit Boriçit ka përmasa të mëdha dhe shtrihet në dekada të tëra, për më shumë se 60 vjet. Autorët e librit, i cili është më shumë se një monografi, e kanë pasqyruar me korrektësi këtë udhëtim disi ndryshe nga të tjerët, duke e ndjekur punën e tij shkallë pas shkalle, deri tek ato të fundit, ku lexuesi merr vesh se jeta e tij nuk ka psuar asnjë tkurrje falë kurajës për të mbetur kërkues i suksesit deri në fund. Prof. Boriçi, pas mbarimit të studimeve për gazetari në Universitetin “Llomonosov” në Moskë, e filloi punën si korespodent i gazetës “Zëri i rinisë” për rajonin e Shkodrës (1954-1958) e pastaj gazetar, redaktor dhe përgjegjës redaksie në gazetën e përditëshme “Bashkimi” (1978-1990). Ai njihet si themelues i të së parës Degë-Katedër të Gazetarisë (1964); ligjërues për më shumë se 40 vjet i lëndëve “Teoria dhe praktika e gazetarisë”, “Historia e gazetarisë”, “Etika profesionale e gazetarisë” etj. Pozicionet e tjera si i shefit të Katedrës së Gazetarisë në UT (1986-1991); I antarit të Këshillit Shkencor të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1980-1985); anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike të UT dhe antar i Këshillit Drejtues të Fakultetit Histori-Filologji të UT. (2001-2003). Me të gjithë këtë kontribut të tij më duhet të them se Prof. Hamit Boriçi të gjithë jetën e tij e ka konsumuar për të krijuar vetveten. Tek libri “Një portret për njeriun” shkruesit nuk janë kursyer që Prof. Hamit Boriçi të njihet ashtu si e njohin studentët e shumtë, qindra bashkëpunëtorë në punë si epror e vartës, miq e shokë brenda e jashtë vendit, shqiprarë e të hujat. Duke lexuar librin të krijohet bindja se profesori paskësh qenë njeri shumë i suksesshëm, por edhe intelektual që gjatë gjithë jetës ka qenë gjithmonë në kërkim të mundësive për të ndihmuar të tjerët. Gazetari Petro Dhimitri, për çka ai i është gjendur në një moment të vështirë, e konsideron “engjëllin e tij mbrojtës”, përcaktim shumë domethënës dhe që zbulon botën e madhe, shpirtin njerëzor të thellë si një pus të Hamit Boriçit. Episode po kaq të panjohura, si të nxjerra nga një kasafortë e mbyllur për dekada të tëra, sjell edhe gazetari tjetër Mitro Çela. “Po ti nuk je gazetar rajonal. Kostum i ngushtë për ty. Shkruaj tema të mëdha!” Këto tri fjali, të thëna nga eprori Hamit Boriçi vartësin të tij Mitro Çela, njëri kryeredaktor e tjetri korespodent rajonal, zbulojnë atë fakt të “vockël” që Hamit Boriçi ishte njohës i thellë i punëve në gazetë, i gazetarëve që përgatisnin shkrimet dhe ca më shumë aftësitë e tyre si puntorë të shtypit. Suksesi dhe gjërat e mira zakonisht vijnë tek ata të cilët nxisin dhe i japin shtysë mendimit progresist. Libri “Një portret për njeriu” e sjell këtë veti të personaliteteve të shquara nëpërmjet personazhit Hamit Boriçi. Libri është ndërtuar kryesisht nga kujtimet dhe mbresat e shkruesve, të cilët për fat të mirë janë që të githë gazetarë të karierës, por aty vijnë edhe personazhe të tjerë, të cilët, edhe pse nuk i lidh gjë me Profesorin, në kuptimin e afërsisë me profesionin e gazetarit, ndjehet dora e ngrohtë e tij, siç është rasti me At Kolë Berishaj, për ndihmesën që i dha si mik i njohur “rastësisht” për botimin e veprës së tij voluminoze etnografiko-publicistike. Kur njihemi me punën dhe kontributin e Prof. Hamit Boriçin në kaq e kaq dekada në fushën e gazetarisë, gjë që shkruesit e librit i sjellin profesionalisht “të qëruara”, lexuesi mund ta shohë qartë lavdinë e tij publike e që një nga gazetarët, Aleksandër Çipa, i cili ka shkruar për vlerat profesionale e njerëzore të Profesorit, nuk druhet ta pagëzojë Hamit Boriçin “At-krijuesin e bibliografisë të historisë së gazetarisë shqiptare”, “individ diogjenik i shoqërisë së sotme shqiptare” apo “triumfator i pazëshëm në suksesin e vet”. Nga pak dhe të gjitha këto vlerësime sjellin edhe ish kolegë e vartës si Qemal Sakajeva, Sulejman Demarku, Frano Kulli, Alfred Çapaliku, Majlinda Bushja, Arben Muka, Jolanda Lila, Gjekë Gjonaj dhe Padër Pashko Gujçaj.   Por sakrificat dhe kontributet e Prof. Hamit Boriçit nuk kanë qëndruar jashtë vëmendejes së shoqërisë dhe institucioneve më të larta të vendit.  Ai mban titullin Profesor dhe është dekoruar me titullin “Mjeshtër i madh i punës”. Ndërkohë Unioni i gazetarëve të Shkodrës, për të vlerësuar punën e gazetarëve dhe Profesorin, jep çmimin “Hamit Boriçi”.