Azis Gjergji/ I etur për pushtet Zogu u bashkua me Esat Pashë Toptanin, tradhëtarin me damkë, dhe armikun më të egër të Qeverisë së Vlorës

899
Sigal

 

Azis Gjergji/ I etur për pushtet Zogu u bashkua me Esat Pashë Toptanin, tradhëtarin me damkë, dhe armikun më të egër të Qeverisë së Vlorës. Mbështetja e Nikolla Pashiqit, 17 marrveshjet e fshehta me Italinë, shitja e trojeve dhe grabitja e floririt.

I etur për pushtet,  Ahmet Zogu u bashkua me Esat Pashë Toptanin, tradhëtar me damkë, kundërshtari më i egër i Qeverisë Kombëtare të Vlorës

 

Ahmet Zogu ia doli mbanë që gjenerali serb Damjan Popoviç ta emëronte shef të administratës serbe në krahinën e Matit

– Në gusht 1924 Zogu i kërkoi Benito Musolinit dy milionë lireta në këmbim të një baze në bregdetin shqiptar

-Pasurinë e tij, që llogaritej në 20 milionë franga ari, Zogu e depozitoi në bankat e Zvicrës, Londrës dhe Nju Jorkut.

-Musolini i pat dhuruar me bujari 10 milionë franga ari për të ndërtuar një rezidencë “të denjë, që i shkonte për shtat hirit mbretëror”.

-Më 19 mars 1936 Zogu nënshkroi 17 marrëveshje të fshehta me qeverinë fashiste italiane

Azis Gjergji 

 “Rinia e mbretit Zog”, (Shtëpia Botuese GEER, Tiranë, 2020, 465 faqe)

Shkrimi i një monografie kushtuar sundimit të mbretit Zog I (1928-1939) përbën një provokim të mirëfilltë, thjesht edhe për faktin që emri i tij, nga çdo këndvështrim, është larg atij të monarkut të huaj jetëshkurtër, Ëilhelm fon Vidit. Fillimi dhe mbarimi i sundimit të Zogut I përfaqësojnë një krizë të pandërprerë në sfondin e një skene të jetës politike të brendshme dhe ndërkombëtare tepër të nderë. Periudha e qëndrimit të tij në Fron, e këqyrur në tërësi nën prizmin e politikës që ndoqi, ka qënë kritike.

Nga ana tjetër, gjatë dhjetëvjetshave të dytë e të tretë të shekullit të kaluar, në Shqipëri u shënua një farë gjallërimi në zhvillimin ekonomik-shoqëror, por me çmimin e huave skllavëruese të marra nga jashtë, kryesisht nga Italia dhe nënshkrimit të marrëveshjeve gjunjëzuese me të e me Jugosllavinë. Për këtë arësye, vlerësimi i mësipërm është i diskutueshëm. Në Shqipërinë interbelike u ndërtuan rrugë, ngrehina monumentale, lulëzoi tregtia, u fuqizua monedha kombëtare, u reorganizua dhe u evropianizua administrata civile dhe ushtria, u bë një reformë agrare, sidoqë e cunguar etj. Gjithashtu, u botuan gazeta e revista me frymë demokratike dhe polemike. Sidoqoftë, arsimi pothuajse mbeti në vendnumuro dhe as që bëhej fjalë për çelje universiteti apo akademie shkencash. Ishte koha, sidomos pas vitit 1930, kur në rajon lëvizjet reaksionare fashiste me synime revizioniste për ndryshime kufijsh, – ndër të cilat ra në sy sidomos agresiviteti i epërm i Gardës së Hekurt në Rumani, – morën hov të paparë dhe çuan në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Fatmirësisht forcat e së djathtës së skajshme me prirje antisemite, nuk mundën ta merrnin pushtetin politik në Shqipëri, por tërthorazi ndikuan në rritjen e oreksit të “diktaturës mbretërore”, të ushtruar nga monarku në vitet 1925-1939, të cilët pasuan periudhën trevjeçare kur ai ishte President e kryeministër i Republikës.

Theksojmë se mbreti i kontestueshëm vërtet nuk dha ndonjë ndihmesë të drejtpërdrejtë për zhvillimin e kulturës kombëtare, por heraherës mundi të luante rolin e mbrojtësit dhe mecenatit të saj. Jo pak rëndësi i vuri ai mbajtjes afër të disa personaliteteve të njohura duke bërë të mundur “zbutjen” e qëndrimit të tyre antizogist apo të heshtur, indiferent. Madje nuk ngurroi t’i joshte me poste të larta, siç veproi, për shembull, me Faik Konicën, autorin e dhjetra shkrimeve kritike ndaj regjimit, duke e emëruar ambasador në SHBA.

Në monografinë e historianit serioz, hulumtuesit të palodhur dhe gazetarit të njohur Azis Gjergji  “Rinia e mbretit Zog”, që po analizojmë këtu, me gjuhën e dokumenteve dhe të fakteve bindëse, i bëhet “tomografia” një individi, qënia e të cilit në krye të Shqipërisë për një dekadë e gjysëm, fillimisht si kryetar i Republikës e më pas si monark, ka qënë një aksident i dhimbshëm, me rrjedhoja gati-gati fatale për kombin. Kuptimplotë është një citim që autori e ka vënë në vend ballor, sipas të cilit ky individ asnjëherë nuk ka thënë “një të vërtetë. Kurrë nuk e ka mbajtur fjalën…Nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie. Është i pandershëm, i pashpirt, egoist, i pangopur”. (Faik Konica për Ahmet Zogun). Prapësitë e panumurta që ka kryer mund t’i përligjë pjesërisht vetëm për shkak të papjekurisë së moshës së brishtë kur u përfshi në vorbullën e politikës.

Qysh në rininë e hershme, i vetëfryrë me pompën e vetëkënaqësisë, ka parë vetëm e vetëm interesin personal, paçka se në dëm të të tjerëve, dhe u ka kthyer shpinën e i ka ndërruar pa ngurrim aleatët sa herë i janë rrezikuar pikësynimet. Në këto paudhësi sistematike, Ahmet Zogu është nisur nga premisa që njerëzit janë naivë dhe nuk dinë cila është e mira e tyre. Si rrjedhojë, në marrëdhëniet ndërnjerëzore monarku matjan ka punuar me zell e këmbëngulje drejtpërdrejt me të gjithë ata që kanë qënë lehtësisht të ndikueshëm. Me të tjerët, pra me “të pabindurit”, ka përdorur thikën pas shpine.

Qëndrimet dhe veprimet e Ahmet Zogut alias Zogu I, na bindin se, sikurse del edhe nga monografia, i është përmbajtur me fanatizëm pikë për pikë teorisë politike të shpalosur nga Nikolò Makiaveli në librin “Princi” (1515), ku me cinizëm mbrohet ideja që në politikë mund të përdoren pa asnjë përjashtim të gjitha mjetet të cilat të çojnë drejt arritjes së pikësynimeve që i ke vënë vetes, përfshi dinakërinë, mashtrimin, mungesën e skrupujve, intrigën, manovrat djallëzore, tradhtinë, korruptimin (“qëllimi përligj mjetet”).

Libri i Azis Gjergjit çelet me varrim-zhvarrimin e ish-mbretit Zog; vazhdon me një përshkrim të hollësishëm të Zogollëve – aristokratë të Matit. Ky kapitull mbyllet me shkollimin në Stamboll të pinjollit të tyre më të shquar, Ahmetit.

Hyrjen në politikë të Ahmet Zogut, politikanit më të ri të Shqipërisë, monografia e vendos në kontekstin e zhvillimeve politike të mesvitit 1912 në kryeqëndrën e “Të Sëmurit të Bosforit”. Në atë kohë djaloshi Ahmet, nga Stambolli, ku studionte në një shkollë ushtarake, u kthye në vendlindje bashkë me Ibrahim Pashën,valiun e sapoemëruar të Kosovës, krahinë ku kryengritësit vendës, me udhëheqës politik Hasan bej Prishtinën, kërkonin, ndër të tjera, njohjen zyrtarisht të kufijve të Shqipërisë dhe që autoritetet civile e ushtarake të ishin me kombësi shqiptare.

Në Mat, Ahmeti, tashmë kolonel, iu përgjigj thirrjes së sulltanit, njëlloj si dikur gjyshi i vet, për të luftuar kundër sërbëve e malazezëve duke mobilizuar dy mijë trupa.

Në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, të thirrur nga atmëmëdhetari i shquar Ismail Qemali, u ftua për të marrë pjesë edhe Ahmet Zogu, krahas një numuri komandantësh ushtarakë të krahinave të ndryshme. Nuk kaloi shumë kohë dhe, i etur për pushtet,  Ahmet Zogu u bashkua me Esat Pashë Toptanin, tradhtar me damkë, kundërshtari më i egër i Qeverisë Kombëtare të Vlorës. Në monografi, autori jep një numur të madh dëshmish të shkruara e gojore për sa më sipër.

Ahmet Zogu e zhbëri bashkëpunimin me Esat Toptanin kur në Shqipëri mbërriti Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, i caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër si organ pushteti në vigjilje të ardhjes së Princit Vilhelm Vid. Aty Zogu e paraqiti veten si përfaqësues i krahinës së vetëqeverisur të Matit dhe i shprehu Princ Vidit besnikërinë e tij dhe të matjanëve.

Në momentet e vështira që Princ Vidi do të kalonte së shpejti, Ahmet Zogu shfaqi gatishmërinë konkrete për t’i shkuar në ndihmë me dy mijë luftëtarë kundrejt një pagese. Në fillim Zogu përparoi dhe pushtoi Krujën, por më pas tradhtoi. Në vazhdën e veprimeve dinake, tri javë pas fillimit të luftës ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Sërbisë, në korrik 1914, Ahmet Zogu e priti në vendlindjen e tij, në Burgajet, dhe foli kokë më kokë me oficerin e zbulimit serb Mlladen Statatoviç, çka, sipas të gjitha gjasave, pasi mori 4000 dinarët e parë, u finalizua  me rekrutimin e Zogut si agjent i kryeministrit sërb Nikolla Pashiq.

Ahmet Zogu ishte lidhur me konsullatën austro-hungareze në Shkodër qysh më 1914 dhe, kundrejt shpërblimeve të majme, sa herë ia donin interesat vetjake, jepte informacione denigruese për kundërshtarët, përfshi Esat Pashë Toptanin. Me këtë të fundit ishin “nip” e “dajë”, por gjithaq “vëllezër ujq”. Nga ana tjetër, duke ngrënë me dy lugë, Ahmet Zogu ia doli mbanë që gjenerali sërb Damjan Popoviç ta emëronte shef të administratës sërbe në krahinën e Matit. Prefekti i përkohshëm i  atjeshëm, Mlladen Stamatoviç, në një letër që i dërgonte më 29 korrik 1915 kryeministrit Pashiq, theksonte: “… Ahmet Beu i ka bërë shërbime Serbisë, si brenda, ashtu edhe jashtë; nëse tani i kërkojmë të largohet si armik i yni nga Shqipëria, ai do të shkojë në Itali ose Rumani e kjo do të jetë në dëmin tonë”.

Ndërkaq, koloneli Dragutin Milutinoviç, në një raport për Komandën e Ushtrisë sërbe shprehte bindjen se Ahmet Zogu, “shefi” i ri i Matit, nuk donte ta lidhte fatin e tij me Esat Pashën, por me qeverinë e Sërbisë.

Kryeministri i Mbretërisë së Jugosllavisë Pashiq e priti dy herë Ahmet Zogun dhe ky i dorëzoi atij një Memorandum, në të cilin pranonte: “1.T’i dorëzohemi shtetit serb; 2. Mati të qeveriset sipas së vjetrës: populli të bëjë zgjedhjen, të bëhet organizimi i nahijeve, por të drejtë sanksionimi të ketë qeveria serbe; 3. Të mblidhen armët dhe të dorëzohen”.

Në zbatim të premtimit që i kish dhënë Pashiqit kur ky ishte në luftë me ushtrinë bullgare, Ahmet Zogu rekrutoi 12 mijë vetë. Ndërkohë bullgarët u futën në Dibër. I paskrupulli Zog e drodhi sërish: i furnizuar me të holla dhe armatime nga bullgarët, u nis për të sulmuar trupat sërbe në Elbasan. Me të mbërritur në Çermenikë, e siguroi Stamatoviçin se nuk do të sulmonte sërbët dhe vetëm dy ditë më vonë u takua në Burgajet me atasheun ushtarak të Austro-Hungarisë në Sofje. Me të ishte edhe një kolonel bullgar. Pasi i dhanë Zogut secili nga një shumë të majme të hollash, ky premtoi se do ta ndihmonte Austro-Hungarinë, por, sipas huqit të vjetër, sërish e hëngri fjalën.

Në Kongresin Kombëtar të Lushnjës të janarit 1920, ku Ahmet Zogut iu besua posti i rëndësishëm i ministrit të Brendshëm, u morën vendime historike për shpëtimin nga coptimi dhe rimëkëmbjen e shtetit të pavarur shqiptar, të shpallur në Vlorë më 28 nëntor 1912. Nga Tirana, që u bë kryeqytet, Ministria e Brendshme, me Ahmet Zogun në krye, u mor me shtrirjen e pushtetit të ri në të gjithë Shqipërinë dhe me demaskimin e qeverisë së rrëzuar të Durrësit, duke i damkosur anëtarët e saj si “mohues dhe ngatërrestarë të atdheut”.

Ndërkaq Ahmet Zogu mbante letërkëmbim të fshehtë me kryeministrin jugosllav Nikolla Pashiq. Qeveria e kryeministrit Sulejman Delvina ia pakësoi dukshëm kompetencat Ahmet Zogut, në radhë të parë duke ia hequr komandimin e ushtrisë. Sidoqoftë, duke manovruar me shkathtësinë që e veçorizonte, Zogu ia doli mbanë të zgjidhej deputet. Nga aristokrat, u vetëshpall demokrat i flaktë i grupit parlamentar “Partia Popullore” dhe fliste keq për ministrat “bejlerë të pareformuar”.

Në ujrat e turbullta të politikës shqiptare, ai lundroi me shkathtësi në ballë  të “anijes” së ngarkuar me mijëra pasues të armatosur, që marshuan drejt Tiranës. Ishte fjala për një grusht shteti, që siç është shprehur patrioti Hoxhë Kadri Prishtina, Ahmet Zogu “qëndroi në Tiranë si një diktator absolut”. Shkriu Këshillin e Naltë duke zgjedhur në përbërje të tij katër deputetë prozogistë. Praktikisht kësisoj mori fund uniteti i farkëtuar në Kongresin Kombëtar të Lushnjës. Zogu shpërndau Parlamentin, mori në dorë Komandën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë e të Xhandarmërisë Kombëtare dhe nisi një valë vrasjesh, përndjekjesh e dënimesh të rënda të kundërshtarëve të tij.

Më 20 mars 1923 e uroi kryeministrin e Mbretërisë së Jugosllavisë Nikolla Pashiq për fitoren që ky korri në zgjedhjet parlamentare dhe i ripohoi besnikërinë ndaj Jugosllavisë. Në pikën e parë të Marrëveshjes së fshehtë Pashiq-Zog të gushtit 1924 thuhej: “Shqipëria angazhohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal”.

Kur në qershorin e vitit 1924, revolucioni demokratik i kryesuar nga Fan S. Noli rrëzoi qeverinë e Zogut, pushtetarët e Beogradit e armatosën këtë të fundit dhe, me ndihmën e bjellogardistëve të Vrangelit, e sollën sërish në krye të vendit si kryetar të Republikës Shqiptare dhe kryeministër. Ky operacion i kushtoi qeverisë jugosllave 30 mijë napolona flori, por mori prej Zogut në shënjë mirënjohjeje si dhuratë Shën Naumin etj.

Në gusht 1924 Zogu i kërkoi Benito Musolinit dy milionë lireta në këmbim të një baze në bregdetin shqiptar dhe ratifikimin e të gjitha koncesioneve që do të kërkonin investuesit italianë në Shqipëri. Duke qënë se, paralelisht, dinaku Zog u ofroi mundësi për kërkim-zbulimin e vendburimeve të naftës e të mineraleve të tjera të dobishme një kompanie britanike, diktatori i Romës u shpejtua t’i kërkonte marrjen me koncesion të 50 mijë hektarëve për kërkime dhe shfrytëzim pasurish nëntokësore në një sipërfaqe prej 30 mijë hektarë. U bënë hapa për themelimin e Bankës  Kombëtare dhe huamarrje në vlera të mëdha nga Shoqëria për  Zhvillim Ekonomik të Shqipërisë (SVEA), e cila gjatë gjithë periudhës së sundimit zogist do të prangoste ekonominë, politikën, ushtrinë dhe mbarë popullin tonë. Vijuan nënshkrimi i “Paktit Pesëvjeçar të Miqësisë e të Sigurimit” (1926), që e vinte Shqipërinë nën protektoratin e Italisë fashiste; i “Aleancës Mbrojtëse” apo i “Paktit të Dytë të Tiranës” (1927) etj. Të gjitha këto lëshime do t’i hapnin Zogut rrugën për t’u kurorëzuar mbret “nën hijen e flamurit italian”, në pajtim me planet ekspansioniste italiane në Ballkan. Asambleja Kushtetuese më 1 shtator 1928 e shpalli Ahmet Zogun Mbret të Shqiptarëve me titullin “Zog I”, me rrogë vjetore 500 mijë franga ari, e barabartë me 1,77% të buxhetit të shtetit për atë vit. Pasurinë e tij, që llogaritej në 20 milionë franga ari, Zogu e depozitoi në bankat e Zvicrës, Londrës dhe Nju Jorkut. Musolini i pat dhuruar me bujari 10 milionë franga ari për të ndërtuar një rezidencë “të denjë, që i shkonte për shtat hirit mbretëror”. Më 19 mars 1936 Zogu nënshkroi 17 marrëveshje të fshehta me qeverinë fashiste italiane.

Kur Roma, që me kohë ishte shtruar këmbëkryq në të gjitha qelizat e trupit të drobitur të Shqipërisë, e pushtoi jo vetëm ekonomikisht, por edhe ushtarakisht vendin tonë më 7 prill 1939, mbreti, që ishte zotuar të mbathte opingat e t’i ngjitej malit për t’i dalë zot atdheut, ia mbathi me familjen e vet dhe me besnikët, duke zhvatur me lukuni rezervat e thesarit kombëtar. Në mërgim bëri çmos të kthehej në krye të vendit, por regjimi që doli nga gryka e pushkës çlirimtare, ia vuri kufirin tek thana.

Për ironinë e fatit, më 2012 eshtrat e Zogut e të pjesëtarëve të tjerë të vdekur të familjes së tij, u sollën me shpenzimet e me nderimet më të larta në atdhe për t’u vendosur në mauzoleun e restauruar, ndërsa Presidenti i Shqipërisë i akordoi pas vdekjes “Urdhërin e Flamurit Kombëtar”.

Përgatiti: Kopy Kyçyku