Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Koçi: “Copëza jete” me ankth e tortura të Rukie Ramës

491
Sigal

Nga Bashkim Koçi

Mbeta  zemërlënduar  teksa u njoha me jetën dhe historinë e pazakontë  të çikës nga Tropoja, Rukie Ramës, të hedhur pa filtër e pa censurë në librin e saj “Copëza jete”. Jo se kam qenë krejt pa informacion  rreth ngjarjeve  tragjikomike  të jetës së saj, nga të cilat shkrimtari Ismail Kadare,  mori shkas dhe shkruajti romanin “Natë me hënë”, por rrëfimet e saj nga pozicioni i njeriut të masakruar keq,  në emër “të atdheut”, të një vajze të pafajshme, të “çnderuar” nga njerëz të poshtër me fuqi karrigeje, më ngacmuan  të shprehem në shenjë adhurimi, që zëri i saj arriti  t’u hiqte maskën disa “burrave të shtetit”.  Në shenjë adhurimi edhe sepse kjo malësore guxoi të kapte nga “jaka e xhaketës”,  ligësinë e njerëzve të ligj, për të hedhur dritë tek e vërteta dhe për t’i zbuluar e për t’i treguar me gisht, atë lukuni sigurimsash si përfaqësues të punëve të pista.

Rukie Rama nga fshati Vlad i Tropojës, na paskësh qenë “fatkeqe”, sepse ishte e bukur. E bukur si drita e diellit të Alpeve. Por edhe e shkolluar. Ajo kish përfunduar shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe, ashtu si kishte ëndërruar që kur ishte e vogël, mori profesionin e mësueses. Nga vetë  natyra e saj plot ëndërra e energji, Rukie Rama shumë shpejt u bë pjesë e kontigjentit  të vajzave të emancipuara,  e malësoreve që nuk nguronin të bëheshin pjesë e të resë, por edhe e lëvizjeve dhe aksioneve  kombëtare  të kohës. Mjafton të sjellim këtë fakt, të cilin Rukie Rama e përmend në libër si një nga krenaritë e jetës së saj. Me mbarimin e shkollës pedagogjike,  ajo u emërua mësuese për t’u ngjitur një shakallë më lart, në detyrën e drejtoreshës të shkollës në fshatin Zogaj, ku banorët e të gjithë zonës e thërrisnin “drejtor”.  Po në rrjedhën e asaj kohe, në qershor-korrik të vitit 1967, ajo u zgjodh komandante e brigadës vullnetare me 108 çika të Nikaj –Mërturit, në aksionin e rinisë në ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier. Në atë çast, sapo njihesh me këtë fillim të mbarë, madje jo të zakontë, lexuesit i duhet të ngrejë zërin: Rukie Rama komandante brigade me 108 vajza e gra tropojane?! Pra malësoret paskëshin mundur përfundimisht Kanunin e Lek Dukagjinit!  Çika me gërsheta, vajza krejt e pastër dhe me shpirt të kristaltë,  u bë shumë shpejt “zë që dëgjohej” në të gjithë malësinë e Tropojës.  Si e tillë ajo nuk mund të mos bëhej objekt  “gjahu” nga individë-monstra, të mbrojtur  nga segmente të caktuara të shtetit, nga ata që ishin specialistë për të ngritur gracka e për të kapur e vrarë shpirtra njerëzish të pafajshëm. Dhe t’u jepje pozitë dhe të krijoje besim tek kontigjente të tilla pa moral, dhe që karierën e tyre e mbështesnin tek servilizmi dhe punët e fëlliqura, ishte si të hedhësh në ndyrësira një qese me margaritarë.   Donin ta përdornin Rukie Ramën.  Donin të loznin me të, si ta kishin lodër. Donin të shfrynin epshet si të ishin sulltanë të fundshekullit të XX-të.  Dhe për ta bërë më të lehtë dorëzimin e saj në krahët e krijesave-shtazë me fytyrë njeriu,  ngaqë “cuca e maleve”,  Rukie Rama,  i pështyu, i neveriti, duke ua varur teneqenë për çka ata i kërkuan, sajuan  e shpifën atë që kishin në dorë, më të pabesueshmen për të gjithë Tropojën: Rukie Rama na qenkësh agjente, e rekrutuar nga shërbimet e huaja, UDB-ja jugosllave, dhe ishte përgatitur që të arratisej.  Këtë  “sekret”  Rukia, ia paskësh thënë në çaste intime  operativit, sigurimsit  të zonës. E mjera Rukie!  U bënë të gjithë sigurimsat e shtetit bashkë. Nga ai i zones, e deri tek ministri në Tiranë, njeriu më i zi i të gjithë atij sistemi, Feçorr Shehu. Ç’nuk shpifën! E bënë agjente në shërbim të amiqve shekullorë të vendit të saj. Por ajo që i dhembi më shumë, që tronditi familjen, fisin, të gjithë Tropojën, ishte damka që i vunë si vajzë e përdalë, si “e dashura” e njeriut të punëve të pështira si operativ i zonës, gjë që i binte t’i kish falur virgjërinë.  Ishte ende e parritur e gjora vajzë, pa përvojë dhe e mbetur vetëm. Edhe pse ajo ishte njeri i ndershëm, dikush e paskej bërë “të rrezikshme”. Në këto kushte pritja ishte shumë e dhimbshme. Edhe më e dhimbshme ishte sikur të bëje ta harroje. Por të mos dije se çfarë vendimi të merrte, kjo ishte akoma më keq, një nga vuajtjet e saj më të mëdha. Sigurisht guximi i saj, vendimi që mori në një çast shkrepëtimi të trurit, është i rrallë, në mos edhe i vetmi në botë, veprim që nxiti edhe shkrimtarin tonë të madh, Ismail Kadare, të shkruante romanin, tashmë të njohur nga lexuesit, “Natë me hënë”. U dorëzua te mjekët Rukie Rama, tek gjinekologët, me kërkesën më të çuditëshme: më provoni nëse jam apo jo e virgjër! Në librin e saj “Copëza jete”, lexuesi përjeton momente gati të pabesueshme e që ia turbullojnë shpirtin, duke i krijuar një stuhi zemërate për marrëzitë e njerëzve të pushtetshëm të kohës. “Ajo certifikata e ardhur nga laboratori, rrëfen në libër e tronditur Rukie Rama, do të rrëzonte dëshminë e  sigurimsit, të cilit i paskësha thënë në momente intime se do të tradhëtoja atdheun e do të arratisesha. Tashmë ai dokument, që vërtetonte shkencërisht virgjërinë, do të binte si bombë te të gjithë ata që kishin organizuar këtë kurth.” Rukie Rama i sfidoi të gjithë, ua la turpin në derë, por nuk mundi të shpëtonte dot nga kthetrat e njerëzve të ligj, por edhe të pangopur për t’u hakmarrë ndaj saj. Sepse hakmarrja ishte përpjekje e fundit për të përkeqësuar të kaluarën e Rukie Ramës. Dhe ajo, pra hakmarrja, është gjithmonë kënaqësi për njerëzit e dobët, të vegjël në shpirt dhe me mendje të fiksuar për të bërë të këqia. E dini ç’sajesë shpikën? Rukia kish bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor! Arrestimi i saj u realizua në fillim-dimri të vitit 1975. Më në fund “qeni” kishte guxuar të kafshonte të pafajshmen vajzë dhe ia kish arritur qëllimit.  Dosjen e “kopsitën” bukur, ashtu siç dinë t’i ujdisnin punët njerëzit  djallëzorë tek të cilët  vendimet i merr  ndjenja e primitivitetit.  Historia e saj e përgatitur nga skenaristë pa karakter,  përfundimisht u koleksionua në një dosje nga ato të tipit ‘sekret’, me emra e ngjarje të trilluara e që nuk dokumentonte askund të vërtetën e ndëshkimit. Ditët e para të izolimit i kaloi aty, në burgun e Tropojës, në qelinë nr. 7. Pastaj kalvari i vuajtjeve  vazhdoi në burgun e  Kuçovës, për t’u dhënë fund  në Kosovë të Elbasanit.  Me forcën dhe guximin e saj, Rukie Rama nuk u ndal për asnjë arsye, për të hedhur dritë mbi të vërtetën. Ajo vuante dhe qante fshehurazi, të mos e shikonin  shoqet për gjëmën që e kishte gjetur, për padrejtësinë që i ishte bërë. Por nuk u tërhoq.  Tek libri “Copëza jete”,  lexuesit i çfaqen skena e ngjarje tronditëse, të cilat e bëjnë që “të vuajë e të qajë”, ashtu si personazhi i librit, Rukie Rama.  Por në rrjedhën e ngjarjeve më në fund vjen “një ditë me diell”.  Qëndrimi i saj në gjyq, sfidoi jo vetëm dëshmitarët e rremë, por edhe titullarët më të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme e të Gjykatës së Lartë. Falë qëndrimit të saj stoik, argumentues dhe këmbëngulës  arriti t’i shkonte deri në fund betejës për të drejtën e për të fituar më në fund pafajësinë.  Iu përulën, i kërkoi vetë shteti ndjesë Rukie Ramës. Po ç’vlente pendimi pas dëmit, pas shkatërrimit moral e shpirtëror që iu bë, madje edhe i pariparueshëm?  Libri “Copëza jete”,  për gjykimin dhe përfundimet që nxjerr autorja, në sy të lexuesit, emri i saj lartësohet dhe të krijon ndjesinë sikur dëgjon një zë të fortë e kumbues që vjen nga thellësia e viteve: Ja, unë jam Rukie Rama!