Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Hoxha: Duartrokitësit

501
Sigal

Kur zhurmat platiten, trainieri nis spiegimin: Do t’ju flas fillimisht për duartrokitësit. Jam i sigurt se shumë prej jush nuk keni dëgjuar kurrë më parë për këtë profesion, por ky është ndër profesionet më të vjetra. Jo aq i vjetër sa ai i pari, por, sidoqoftë, i vjetër është. A e dini se shkollën e parë të duartrokitjeve e ka themeluar Neroni? Nga romani në proces botimi tek ONUFRI DUARTROKITËSIT

…Klajdi këmbëngul, merr në dorë filxhanin e përmbysur dhe përpiqet të deshifrojë llumin e kafesë. Llumi i kafesë i vizatuar nga shkundja e filxhanit i sjell ndërmënd një pesiazh të përbaltur që ka parë dikur në një nga fshatrat e Myzeqesë, të gërryer nga rrotat e qerreve. Mendimi i parë që i vjen në kokë, e bën të qeshi me vete trishtueshëm. Tani e kuptoj pse nuk po vjen fati im. Ka qëlluar që vjen me qerre dhe prandaj është kaq i ngadaltë. Kushedi kur vjen… ( Nga romani i ri DUARTROKITËSIT në proces botimi tek ONUFRI)

  • Rudolf Marku, Poet Laureat

Është një libër mbizotëruar nga një sarkazëm mjeshtërore dhe nga një melankoli inteligjente dhe e ndjerë poetike. Romani lexohet me lehtësi, sepse është shkruar natyrshëm dhe nga një autor me përvojë. Herë-herë dalloj prozatorin që ka përvojën e një skenaristi të regjur dhe herë të tjera më shfaqet poeti i mençur e i matur. I gjithë romani është strukturuar me kujdes, proporcionalisht dhe me mençuri. Është si një elegji sarkastike e brezit kuturu, apo KU-TU-RU, siç thuhet diku në roman.

-Adil Olluri, shkrimtar

“Duartrokitësit” është një roman për mashtrimin, zhgënjimin dhe shpresat e thyera. Një roman që flet me zërin e kohës, me zërin e njeriut të sotëm shqiptar. Autori i tij, shkrimtari i njohur Bashkim Hoxha, ka krijuar një rrëfim që më tronditi me të ndodhurat dhe krajatat e personazheve të tij, të cilët më morën për dore dhe më dërguan në rrugët e tyre të dëshpërimit dhe hekakeqësisë së të rinjve të sotëm shqiptarë. Me t’u futur në rrugën e Klajdit dhe Jonës, dy personazheve kryesore të këtij romani, bashkëndjeva e ecejaket e tyre të pashpresa dhe gjatë leximit e pyeta veten : “A jemi të tillë ne shqiptarët e shekullit të ri ? Mos vallë njëmendësisht jemi degdisur kaq keq në honet e marrëzisë, saqë i duartrokasim secilit mashtrim që na serviret?” Përpos rrëfimit për Klajdin, që është boshti i këtij romani, edhe rrëfimi për Jonën është rrëqethës. Fati i tyre është fat i të rinjve të sotëm në Tiranë, Prishtinë, Tetovë e qytete të tjera shqiptare. Mund ta them se Bashkim Hoxha është një Migjen, i ardhur mes nesh nga njëqindvjeçari i kaluar, për të rrëfyer për të bijtë dhe bijat e shekullit të ri.

“ Duartrokitësit” është një rrëfim të cilin do të doja ta shkruaja.