Suplementi Pena Shqiptare/ Arben Duka: Të falem, Ali Asllani

314
Sigal

 

 

Të falem Ali Asllani,

o i madhi i të mëdhenjve,

që flori t’u bë mellani,

në kohën e maskarenjve!

Gdhende atë Hakërrim,

ashtu siç gdhenden shkëmbenjtë.

Po këtu në vendin tim,

nuk kanë ikur maskarenjtë!

Dhe çudia e çudive,

ato vargje o im zot,

s’dua që t’u besoj syve,

sikur i ke shkruar sot!

Të lexoj o dallgë e detit,

kambanë më buçet në kokë,

skipëtarët e pushtetit,

janë të njëjtë në çdo epokë!

E shkrove në kohë të mbretit,

atë hakërrim të rrallë,

po bijt’ e Sulltan Salepit,

nuk kanë vdekur-janë gjallë!

Janë të gjallë fajdexhinjtë,

në kolltuqet ku kanë qenë,

dhe njëlloj si gjarpërinjtë,

e kafshojnë të zezën nënë!

Shkruaj unë e shkruaj ti,

dhe të dy nuk kemi faj,

se shqiptarët o Ali,

nuk ndryshokan kaq kollaj!

Tetë dekada më parë,

shkrove ti si Zoti vetë.

Gati të njëjtët zagarë,

janë akoma në pushtet!

Nuk janë mbyllur kund hendeqet,

mbeten ato që ke shkruar,

jemi racë që nuk ndreqet,

apo jemi të mallkuar?!

Apo jemi të mallkuar,

nga të gjitha perënditë,

gjersa s’kanë të mbaruar,

Ahmet Zogët dhe Salitë!

Ti ke shkruar me kursim,

se s’rroje prej kësaj pune,

po vetëm ky hakërrim,

vlen njëmijë e një volume!

Paqe gjer në amëshim,

paqe o Ali Asllani,

s’të deshi asnjë regjim,

po Gjeni të ka vatani!

Ta kam njohur frymëzimin,

edhe fllade dhe furtunë,

gjithmonë them për Hakërrimin:

“Ah ta kisha shkruar unë!”…