Suplementi Pena Shqiptare/ Andrea Petromilo: Kritika letrare ka humbur rrugën

142
Sigal

Bota e letrave shqipe për më se tridhjetë vite, po “ pasurohet “ me prurjet që vërshojnë nëpër mediat e shkruara periodike dhe ato elektronike, nëpër shtëpitë botuese dhe studio, nëpër faqet e facebook-ut, etj, duke formuar kështu “ një lum” me “shtrat” tepër të gjerë. Kjo dukuri a e ka një sens pozitiv? Një kritikë e mirëfilltë letrare me profesionalizëm, ndoshta do t’i jepte një përgjigje të saktë. E them këtë pasi kemi të bëjmë me letërsinë shqipe dhe një bum i tillë i botimeve duhet t’i tërhiqte me kohë vëmendjen institucioneve përkatëse, për të ngritur “ pendat” për ta mirëpritur, apo për ta ndërprerë sadopak këtë vërshim, thjesht për të ruajtur cilësinë e letërsisë shqipe. Çdo prurje ka një vend në skedinat e bibliotekave, qoftë asaj kombëtare ashtu dhe degëve nëpër qytetet e vendit, paçka nëse e meritojnë të zenë vendin atje. Pra, a duhet ta gjejë rrugën e humbur kritika letrare profesioniste?

Dikur ishte kjo kritikë letrare që vendosi emrat më të spikatur të letërsisë shqipe në podin e merituar. Objekti i këtij shkrimi nuk është lëvrimi në tërësinë spektrale të letërsisë, por i zhanrit të poezisë, madje i poezisë lirike, që do më pëlqente ta cilësojë të traditës, me vargun e rregullt e metrikën ku letërsia shqipe ka korifejtë e saj si Dritëro Agollin, Koçi Petritin, Dhori Qiriazin, Ndoc Gjetjën…Në dekada, kjo lloj letërsie ( poezie!), parë në këndvështrime të ndryshme, ka qenë objekt i trajtuar nëpër organet e shtypit letrar të kohës. Pra, kritika letrare me emra profesionistësh e analistë të ndryshëm, poezinë e tyre ( e autorëve më në zë!) të traditës jo pak herë e kanë kaluar nëpër krehërin e saj, për të mos thënë se kishte arritur një mbingopje aq sa në vijimësi të rishikimit të tyre nuk thuhej më asgjë e re por, si puna e një “supe” bajate, që kërcet me lugën e drunjtë të të kapet ndonjë grimcë prej përbërësve ende të patretur, të krijohej bezdi. Ndoshta, dhe sot, ndonjë fanatik i tyre ( jo i poezisë, por i autorit), vazhdon e merret me ta duke qëmtuar terma e skuta që gjoja kanë mbetur të paeksploruara, duke u munduar për t’u dhënë dritë në këndvështrime moderniste e postmoderniste. E nëse ekziston ky “oreks” për t’u marrë me letërsinë shqipe ( dhe që është e nevojshme!), përse nuk angazhohen në të mirë të saj, pikërisht me prurjet e reja ( flas gjithnjë për poezinë e traditës!) në këtë gjini të poezisë, e cila mendoj se meriton të vëzhgohet e të merret në considerate, si kurora e poezisë elitare, pasi jo vetëm se është zanafilla e këtij zhanri, që jo vetëm shpreh, por dhe përfaqëson këngën e botës shpirtërore, që i jep emocionet duke e kënduar së brendëshmi, siç ndodh me ligjërimin e ëmbël të burimit kur del nga nëntoka?! Se për të arritur të kurorëzohet kjo lloj poezie kërkon talentin e mjeshtërinë, përvojën dhe guximin për të mos rënë në kurthin e vargëzimit bajat. Për ta “qendisur” me aoreolën e figuracionit artistik, gjë që nuk është e thjeshtë, kërkon “ thesarin” e fjalës. Se për t’i gërshetuar pjesën e naracionit me elementët e detajit derisa të jepet mesazhi, nevojitet njohja e thellë dhe fantasia. Se ruajtja e strukturës realizohet kujdesshëm jo me ecjen çapraze, por me qetësinë, ritmin e elegancën e saj. Se gjuha që duhet të përdoret është e selektuar, me metaforën. Nga ana stilistikore duhet të jesh konseguent me metrikën që të mos dëmtohet muzikaliteti… Dhe jo kushdo mund ta bëjë këtë… Prandaj poetët modern nuk i josh kjo lloj poezie dhe i largohen, siç i shmanget një xhongler i papërvojë ballafaqimit në publik. Nuk do të thotë se nuk jam admirues i poezisë së vargut të lirë, i poezisë së hapur apo dhe asaj hermetike ( e quajtur hermetike!), por nëse kjo në ecjen e saj ka zhurmërimën dhe ritmin e trokashkës, që të lodh në një moment dhe nis e humbet “shijen”, ndryshe poezia lirike ka fëshfërimën që të qetëson.

Ndër vite të tërheq vëmendjen poezia e Pozaet Qoses, Gjergj Shytit, Viktor Gjikolës, Agim Bajramit e Lola Shehit… Secili prej tyre ka individualitetin e vet që, edhe pse veprojnë në një oaz, përsëri, po të vësh re, secili prej tyre krijon portretin e vet. Pozaet Qosja me lirikën e vet tregon bindshëm monopatet mahnitëse për tek lirishtat e saj, ku merr frymë e ngopesh me “oksigjenin “ që ajo çliron. Ai si poet luan me detajin, që e has përditshëm, kaq lirshëm e kaq pa sforcim, nuk abuzon me fjalën, por qëmton e gjen atë çka është e përshtatshme për motivin që trajton, duke i dhënë një bukuri, brenda atij kuadri që shijohet, duke ruajtur dhe sensin e masës për të qenë tepër racional. Poezia e tij nuk i kalon kurrë të katër strofat, por brenda tyre emocioni nuk zbehet dhe mesazhi stigmatizohet…Por kritika nuk i kthen sytë nga arti i vërtetë. Ndryshe sillet poeti lezhjan Gjergj Shyti, i cili është një njohës i jashtëzakonshëm i natyrës, por kurrë poezia e tij nuk bie në natyralizëm. Ai rrok të veçantën dhe e përgjithëson atë, me një varg model deri në përsosmëri, ku gjatë leximit edhe brendavetja e lexuesit këndon, siç këndon shpirti i njeriut ninullën e një foshnje ëngjëllore. Poezia e Valter Dautit është lirikë e kohezionit shpirtëror, ai operon mbi karakterin, kurse poezia e Lola Shehit mbështetet tek ndjesitë që shpesh burojnë nga intimiteti vetiak…Lirika e Pozaet Qoses kap një spektër të gjerë tematik, por ajo që ndeshet më shumë është erotika nostalgjike…Duket krejt e rastësishme rrokja e detajit tek poeti Qosja. Ja si e ndeshim atë tek poezia “ Gruas së mrekullueshme” dhe sa me finesë na e jep mesazhin:/ Ti je shëmbëllim Shën Marie.// Dhe pse Krishtin s’e pate si fat,// por ne kurrë s’na vështrove si hije,// nëpër honet e udhës së gjatë./ Apo po kaq befasuese është poezia “Ftesa Blirësh”: / Me gjethe blirësh ftesa shkruan maji,//në fund të tyre emri s’është askund!/ Apo tek poezia “Të gjitha dhe asgjë”: / të gjitha ditët merri ti,// asnjë në je llasticë,//që të humbas në dashuri,// si qengji, kur pi sisë…/

Nuk është fjala për një kritikë letrare në rolin e censuruesit. Aspak. Është fjala për një kritikë letrare profesioniste në rolin e vëzhguesit, të analistit dhe pse jo të autoritetit, i cili do të përcaktojë dhe cilësimet e krijuesve, të cilët me prurjet e tyre, ata që e meritojnë, të zenë vend me veprat e tyre nëpër skedinat e bibliotekave.

**

II

Jo, nuk po plakem

Viktor Hygo

– Po plakesh,- më thanë ,- nuk je më ai që ke qenë, po bëhesh më i hidhur dhe më i vetmuar.

– Jo, – u përgjigja.- Nuk po plakem, po bëhem më i mençur. Kam pushuar së qeni ai që u pëlqen të tjerëve dhe po bëhem ai që më pëlqen të jem. Nuk dua më si të më pranojnë të tjerët, por dua të pranoj veten time; i kam shmangur pasqyrat gënjeshtare që mashtrojnë pa mëshirë.

Jo, nuk po plakem;  po bëhem më i vërtetë, më i dukshëm nga larg, nga të tjerët dhe nga e zakonshmja; po çlirohem nga lidhjet dhe nga lëndimet e panevojshme shpirtërore; po heq dorë nga netët festive për shkak të pagjumësisë; po i shmang historitë e gjalla dhe kam filluar t’i shkruaj duke lënë mënjanë stereotipet e imponuara; nuk bëj më grime për të fshehur vrajat; tani mbaj me vete një libër që më zbukuron mendjen; gotat e verës i kam zëvendësuar me filxhanët e kafesë; kam lënë së idealizuar jetën dhe kam nisur ta jetoj atë.

Jo, nuk po plakem , në shpirt ruaj ende freskinë; në duar butësinë dhe në zemër pafajësinë e atij që çdo ditë zbulon veten; në fytyrë ruaj buzëqeshjen që ta jep vëzhgimi i thjeshtësisë së natyrës, gjelbërimi i pyllit dhe dëgjimi i cicërimave të zogjve.

Jo, nuk po plakem , po përzgjedh kohën time për të paprekshmen duke rishikuar historinë që më kishin thënë dikur; duke rizbuluar botën; duke iu kthyer librave të vjetër që i kisha lënë përgjysmë. Po bëhem më i matu; kam ndalur shpërthimet që nuk lipsen për asgjë; po mësoj të flas për gjëra transhendente; po mësoj të kultivoj dije; po mbjell ideale dhe po farkëtoj fatin tim.

Jo, nuk është se po plakem , ngaqë të shtunave dhe të djelave zgjohem herët duke shijuar kafen, pa u nxituar dhe duke lexuar me qetësi një libër me poezi. Njeriu nuk ecën ngadalë për shkak të pleqërisë , por ngaqë vëzhgon marrëzinë e atyre që ecin me nxitim dhe pengohen nga pakënaqësia. Heshtja nuk vjen për shkak të pleqërisë , por ndonjëherë duhet heshtur, sepse jo çdo fjalë duhet të ketë jehonë.

Jo, nuk po plakem , po filloj të jetoj atë që më intereson vërtet.

E shqipëroi Bajram Karabolli

Ndërsa miku im , Albert Habazaj, më ftoi të pinim një kafe dhe më tha se do të më jepte diçka që na duhet të gjithve ta kemi si relikte të vyer për jetën. Ishte kjo sintezë e të pavdekshit Viktor Hygo.