Suplementi Pena Shqiptare/ Alma Zenellari: Një çerdhe fjalësh s’më mjafton!

29
Sigal

Ah marsi im i bukur!

Në ballkonin tim
një bletë ul shpirtin e saj mbi lule
mbledh polen…,këndon !
Dielli hyn në sytë e saj.
Shi rrezesh prekin trupin dhe krahët e brishtë,
por ajo sërish këndon…

A thua kjo bletë e zbuloi e para pranverën?
Shpiku emrat e luleve, ngjyrave dhe stinëve?

Ah marsi im i bukur?

Ti zgjon një tufë zogjsh të trembur.
Ata rrahin krahët pranë pemëve,
duke kërkuar gjelbërimin e njomë të sytheve.
Ata nuk e dinë se edhe drerët e pemëve
dremisin me ikjen e tyre
dhe presin këtë zgjim.

Kështu zgjohem dhe unë kur vjen ti;
përtërihem me ndjenjën e gruas,
me ndjenjën e nënës

(dy vjollca më rrinë thellë zemrës)

 

Ah marsi im, që ti të jesh kaq i bukur
më duhet pak polen dhe ca flatra të kaltra!
Më duhet kënga e këngëve
për të mbushur një qiell me trëndafila.
për të thurrur himnin e kësaj pranvere.

Një çerdhe fjalësh kurrë s’mjafton!

 

NJË DALLËNDYSHE, PRES!

 

Të pash dallëndyshja ime kur erdhe!

Vrapova mallshëm dritares,

për të shijuar fluturimin tënd.

Ti erdhe me cicërimë, zhurmuese.

Me flatra të gjalla vallëzove nën folezë.

Oh sa e bukur ardhja jote!

U vonove pak sa malli m’u bë syth,

sa malli trazoi këngën e erës dhe resë.

 

Me fije të brishta bari në buzë, ti cicërite…

Eja dallëndysh!

Çele një gjeth, çele një syth,

se ardhja jote është ngazëllim i ajrit,

është limfa që lëvrin trupit.

 

Drerët e pemëve nisin vrapin

nga një tufë e kaltëreme resh.

Harlisin brirët, përqafen

sytë u ndrijnë nga lumturia.

 

Eja dallëndysh,

se ardhja jote thërret agimet!

Thërret bletët,fluturat në dritare,

se ardhja jote më çel në zemër

zambakun e bardhë të paqes.

Një lulëkuqe ngre kyet në fushë,

dhe unë ndizem prush.

Eja dallëndysh !

 

Me gishta blerosh një verore dy ngjyrëshe

e lë mbi degë pemësh për ty.

Merre !

Me sqepin e brishtē bëje hark ylberi ,

mbaje syve këtë hark ngjyrash,

këtë hark drite,

ngazëllema stinën e luleve me bisqe cicërimash!

* **

Në zemrën time

zgjohet çdo pranverë

një dallëndysh!

 

 

ASAJ RRUGE

 

Është një rrugë pa emër mbi shpinë!

Një rrugë që thjesht ia dija ekzistencën.

Një rrugë që nuk më pat ftuar kurrë të ecja mbi të…

di veç se asaj rruge kalohet shpesh,

 

Di veç se atij shtegu

rrinë në pritje “orët “

mbuluar me vel të zi,

Era vajton sikur zogjtë,

edhe gurët, edhe pemët sikur njerëzit.

Shpirti vishet me vetmi qeparisash;

lotët bëhen fletë,

bëhen plagë mbi sy dhe përvëlojnë.

 

Di veç se ajo rrugë mban mbi shpinë

peshën e dhimbjes së të gjallëve,

ikjen e të dashurve, pa kthim.

Klithmën shterruese të zemrave,

këngën vajtuese të lamtumirave.

 

Tani eci unë e përhumbur në atë rrugë,

me heshtjen time vetmitare, veshur.

Me një grusht lotësh mbledhur në lukth të kraharorit,

dhe klithmën e mekur në fyt ngecur …

 

Brenda meje vajton vajtimi,

e pikëlluar mbi mua.

Shtrydh zemrën e saj dudia.

Rrënqethen krizantemat,

psherëtijnë dhe vdesin duarve të mia!