Është një rrugë pa emër mbi shpinë;
një rrugë që thjesht ia dija ekzistencën.
Një rrugë që nuk më pat ftuar kurrë të ecja mbi të…
Di veç se asaj rruge kalohet shpesh.
Di veç se atij shtegu rrinë në pritje “ orët “
mbuluar me vel të zi.
Era vajton sikur zogjtë,
edhe gurët, edhe pemët sikur njerëzit.
Shpirti vishet me vetmi qeparisash,
lotët bëhen fletë,
bëhen plagë mbi sy dhe përvëlojnë.
Di veç se ajo rrugë mban mbi shpinë
peshën e dhimbjes së të gjallëve,
ikjen e të dashurve, pa kthim.
Klithmën shterruese të zemrave.
Këngën vajtuese të lamtumirave.
Tani eci unë e përhumbur në atë rrugë
me heshtjen time vetmitare veshur.
Me një grusht lotësh mbledhur në lukth të kraharorit,
dhe klithmën e mekur në fyt ngecur …
Brenda meje vajton vajtimi!
E pikëlluar mbi mua
shtrydh zemrën e saj dudia.
Rrënqethen krizantemat,
Psherëtijnë dhe vdesin duarve të mia!



















