Po bie një shi i lehtë, e ndjej aromën e kujtimeve, ato po zgjohen. Mirë se vini i thotë zemra.
Duart nga sikleti po shtrëngojnë njëra tjetrën. Nuk dua të çohem, por as nuk dua tē dëgjoj zërat në kokë.
Shumë njerëz po më kalojnë pranë, por asnjëri nuk ka pelerinën e mbështetjes. Asnjëri nuk ka shpirtin e mbrojtjes. As shikimin e sinqertë.
S’di ku të shkoj, jam tepër e turbulluar nga maskat që zvarriten drejt një zemre të brishtë.
Mundohen ta çjerrin me mashtrime deri sa e plagosin aty ku s’ka shërim.
Se di ende kur është koha e duhur për t‘u çuar nga stoli. Por pamja përballë meje nuk po më pëlqen, frika fort më ka mbërthyer.
Lotët që janë të mbushur me sinqeritet kanë frikë të dalin, se njerëzit e maskuar do tallen me to. Ndaj zgjedh të qaj brenda vetes time, ai është vendi më i sigurtë dhe më i sinqertë që njoh. Zemra po përmbytet, ka pasur momente që kam zgjatur dorën diku me shpresë se mos thyem.
Por ende jam e ulur në stolin e mendimeve, e se di se kur do e braktis.
Asgje nuk harrohet asgje nuk fshihet nga shpirti, të gjitha të grumbulluara në këtë stol. Ti zgjedh të rrish apo jo me to. Çdo kush ka nevojë të zbulojë nga pluhurat të shkuarën, për të vlerësuar të ardhmen dhe për të shtyrë fort, larg vetes maskat e shumta.
Po pres e po qëndroj akoma në stolin tim deri sa dora e ngrohtë e dikujt të më ndihmojë të çohem, me respetin më të madh për të gjitha llojet e kujtimeve të mia, të cilat janë Unë!