Diskutuan njerëzit, të dinë
Krye arës mbi lëndinë,
Nënë hije, mbi lagunë,
Kush bën korrupsion më shumë.
Dhe thanë: -Kush çdo këpucë
Do ta lyejë më shumë me llucë,
S`ka dyshim e do besuar
Është më i korruptuar…
…Zyrtar` i ri, zemërbutë
I leu pakëz mu në shputë.
Polici blu me patllake,
Dy tri pika sipër take.
Drejtori eksiq nga dhëmbët,
Gjer në gju i leu këmbët.
Doganieri gjithashtu
Një pëllëmbë e ca mbi gju.
Shefi i tij tepër serbes,
Qe përbaltur gjer në brez.
Zëvendësministër i parë
Gjer te kotka, në kollare.
Ministri si askush tjetër
Përmbi gushë, nënë mjekër.
Mjeku me thik` e hanxharë
Gjer në ballë, si më parë.
Gjyqtari me gjithë shokë
Gjer te koka, përmbi flokë.
Prokurori mendjehollë,
Tek e tuk veç ndonjë njollë.
-Se, -tha, -si nën` gjethe-fiku
Më mbajti në sqetull miku.
Deputeti që s`të fal,
Krejt i pastër qe, Kristal…
… E cyt një mystaqelli :
-Na trego ti, o zotni,
Nëpër rrugët gjithë batak
Si s`u përbalte aspak?!
Tha: -Sikundër dhe më parë
Kam vendosur, e kam ndarë,
Eca, -shtoi,- vetë lezeti
Mbi shpinë imuniteti.

P.S
Për të tjerë mbi këta
Dorën vë e s`bëj shaka
Përmbi zjarr edhe bëj benë
Sipër dyshekut, kur flenë,
Gjithë përçart flasin në gjumë:
“-Ato ti dhe këto unë!”