Suplementi Pena Shqiptare/ Albert Habazaj: Një tufëz me lule poetike për 5 Tetorin – Ditën Botërore të Mësuesit

MËSUESIT E MI, MË TË MIRËT NË BOTË

Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë” (Konfuci)

Sigal

 

Kur nxënës ne kemi qenë

Mësuesi quhej prind i dytë.

Dinjiteti i tyre kishte vlerë,

si mësuesit s’kishte të dytë.

Ata qenë të mençur shumë;

qenë si male hyjnorë!

Ata qenë diell në furtunë:

Një nga një u bën’ meteorë.

 

Mësuesit më ikën një nga një;

fisnikët e mi të lartë!

I kam, dhe pse s’ua dëgjoj atë zë,

në frymëmarrjen time dit’ e natë.

Ku t’i gjej t’u puth fjalën

siç puth Dheun e Flamurin,

si bregu i detit pret valën,

pres urtësinë e tyre të Burrit.

 

Mrekulli mund të ndodhë vërtet;

të bëhem sa një e mijta e tyre.

Ata erdhën e ikën profetë,

dhe zbukurojnë qiellin me yje.

Nderim mësuesve të mi;

më të mirëve në botë.

Baras qenë me Perëndi,

Diell që thyen çdo shqotë.

 

Mësues të dashur, Gëzuar 5 Tetorin – Ditën Botërore të Mësuesit, sepse në kushte shumë të vështira, në kohë dhe hapësirë kornizore, ju ishit vërtet më të mirët në botë, të zotë, të aftë e të plotësuar me dije, të devotshëm e të përkushtuar si ju, dinjiteti i shkollës dhe krenaria e arsimit shqiptar. Si ata që më kanë dhënë mua mësim, edhe të tjerët, jo vetëm në Tërbaç, Labëri, Vlorë, Tiranë e kudo në Shqipëri ishit Misionarë të Vërtetë Drite.

Dritë ata që janë në krahë të Paharrimit tonë e, se na vështrojnë nga yjet, dritërofshin në përjetësi…

Mësuesit e sotshëm rrofshin e përparofshin!

 

Nderim nga Albert R. Habazaj