Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xheka: Ej! Unë qenkam poet!

158

( Biçim proze poetike )

Sigal

Më pyeti e dashura:

– E di ti se cili është profesioni i poetit?

Unë ngrita supet.Ç’ti thosha?

– Poezishkrues.- Ja prita shkurt.

– Jo.- Tha ajo dhe vazhdoi.

– Poezi shkruan kushdo.

Shkruan edhe një bujk apo blegtor,

shkruan edhe një murator apo puntor,

shkruan edhe një sportist apo doctor,

shkruan edhe një polic apo minatory!

Dhe vazhdoi të rendiste me dhjetra profesione.

Në fund mori frymë thellë dhe tha me qesëndi:

– Madje mund të jesh edhe ti…

E ndjeva veten të përkëdhelur, e pash me çudi

dhe i thash se nuk kisha shkruar kurrë poezi.

Ajo tha duke soditur trëndafilin tim në dorë:

– Profesioni i gjithë poetëve është eksplorator.

– Si ke arritur në këtë konkluzion?

– Sepse poeti është gjithmonë në kërkim të së bukurës

kudo ku ndodhet ajo. Edhe atje ku nuk është e dukshme

ai eksploron dhe e zbulon.

Madje e zbulon edhe tek e shëmtuara, e zbulon tek dhimbja,

e zbulon tek plaga, tek loti.

Duke zbuluar kudo të bukurën,

ai e kultivon në shpirtin e tij,

e pastaj na e përcjell edhe ne.

Dhe… ne habitemi që e paskemi

pasur kaq pranë e s’e paskemi ditur…

Unë mbeta pa fjalë, ndieva të më bërtiste zemra.

Ajo u shqetësua dhe më mbuloi me përkujdesje.

– Çfarë ke? Nuk ndjehesh mirë? Ku të dhëmb?

– Jam shumë mirë madje.Ndaj rri e qetë.

Zbulova edhe bukurinë e mëndjes dhe shpirtit tënd,

dhe u binda katërcipërisht që qenkam POET.