Në plasaritjen e një guri
u shfaq një filiz i ri,
dhe në gjoksin e një burri
si një perlë u shfaqe Ti.
Ç’u gëzua gur’i shkretë
për atë lule të brishtë!
U gëzua burr’i sertë
me dashuri të njëqindfishtë.
Guri gur e burri burrë
nuk i lanë të vyshken kurrë.
I dhanë ujë e i dhanë gjak
Në gji i rritën për merak.
Zëri i atdheut
Kur thërret Atdheu dridhet toka!
Brenda tij janë zërat e të parëve tanë
zërat e të rënëve nëpër epoka
ngadhënjimi i qëndresfitores mbi Tiranë.
Kur thërret Atdheu të gjithë bëhen male
edhe fëmija në djep ndjehet burr’.
Besprerët struken nëpër ferra e moçale
krahëqafen shqiptarët nën një flamur.
Në zërin e Tij janë zërat tanë anembanë;
në gjith trojet ku zjen gjaku shqiptar
zëri i së ardhmes dhe heronjve që ranë
historia e flamurit që na bënë krenar…
Është bekim hyjnor zëri i Atdheut tim
më e bukura këngë më burrnori kushtrim…




















