Lermë të të dua
ashtu siç dua unë!
Mos më bëj të vuaj;
ditën, mos ma bëj muaj…
Lermë të të mbaj
në ëndrrat e mija,
e mos më zgjo ti,
por veç Dashuria!
Lermë të të ndjej
këtu, thellë në shpirt.
Zemra të më trokasë;
malli s’paska masë…
Të të përqafoj,
se më ke munguar.
Të puth si i dehuri
në dashuri harruar…
Lermë të të mbaj në gji
me sytë lart nga qielli
të ndrij e të ngroh
si hëna dhe dielli…
Ta mbështesësh kokën
në kraharorin tim…
të të ndjej frymëmarrjen
e gjakun në vlim…
Lermë të të puth;
aty të harrohem
mes ndjenjës e mallit
të fle e të zgjohem…
Sytë e tu më treten
ndaj lermë që t’u falem
me ty dashuruar
jo, s’dua të ndalem…
E lermë për një çast
thellë të ëndërroj
humbur, përgjeruar,
por i dashuruar…
Lermë të futem brenda teje
se tek unë ke hyrë me kohë.
Të qendis ëndrrat e shpirtit
siç i dua dhe i do…