Mall
Sa i veçantë ky malli im
ç’të jetë vallë?
Mos përjetoj të qëna e të pa qëna
që treten, ngatërrohen, mpiksen!
Plagë më hapin ku ngjyej
penën e shpirtit tim!
Ja, në një rrugë, nën një avlli
në hijen e rrapit,
në aromën e një mimoze, kumbulle e bliri,
nën shushërimën dashurore, pishë e det
mëndja ime, tashmë në të bardhën gri
vrapon,…..ku të qëndrojë?…Nuk e di!
Sa i veçantë ky malli im
Shfrynte në çoroditje të egër
Era e zezë, nga diku ardhur
që pyllin e lashtë
me një valle makabre
me gjithë rrënjë diku ta përplaste.
E bindur për triumfin e saj,
shumë u mundua me zhurmë llahtari
rrënjët të plandosura t’i shihte
dhe në vëndin e tyre
ca gjëmba të mbillte.
Rrënjët si duar gjigante
gishtat lidhur shtrëngonin;
me buzëqeshje tallëse
erës së zezë, përqeshje i dërgonin.
Në ca degë të holla, të pa shpresa
era, forcën e saj përplasi,
dhe në rënkimin e betejës së humbur
si flamurë të grisur, me vete i mori
Qetësi të gënjeshtër nuk dua të ketë
Qetësi, pllaqarisur mbi pluhurin e kohës!
Jo, nuk dua të ketë
mbi bajgat e kuajve të mesjetës.
Jo,…jo, nuk dua të shkel
në qetësi të zhurmshme, zëmrake,
të vrullshme, pasionante, pa gënjeshtra.
Mbi krahët e shqiponjës ngarkuar
Atdheun tim dua ta shoh!
Ah, sikur…sikur fluturimin Shqiponjat
së bashku me mua shtrënguar.
Si nëpër përrallat e moçme
me Zana e Bajlozë, të fluturoj
Njohja
Njoha vitin, muajt, javët dhe ditët.
Pranverën e ëmbël njoha
me tekat shkëndijash lozanjare.
Njoha verën përvëluese,
si një grua e dashuruar.
Vjeshtës ia njoha dhuratat bollëk.
Ia njoha dhe dimrit grinë kallkan.
Fluturova me erën e marrë.
Forcën t’ia njihja më mirë
nëpër re notova, diku të qëndroja;
botën me nge të vështroja!
Tisin e mjegullës tym me frymë e zhbëra
dhe me natën e zezë, njohja, në dhimbje na ndau.
Njoha mëngjesin nëpër pemë shkëlqim
si dhe mbrëmjen hije-shumë ngarkuar.
Shiun breshër e dëborë
furtunë dhe acar, i njoha unë.
Aromën e luleve në çdo stinë;
Po…….. I njoha unë!
Njoha bilbilin këngë-madhin.
Tinëzisht këngën, vjedhur ia kam.
Në shpirtin tim, xhelozisht, ndrydhur e mbaj.
Kapriçot e maceve ledhatare, njoha.
Njoha besnikërinë e qenit të skllavëruar.
Zogjtë më njohin dhe i njoh.
Me pulëbardhat shpesh fluturoj.
Njoha shumë e shumë gjëra të tjera
Por ah… Njerëzit!
Njerëzit, këlthas…si nuk i njoha!





















