Suplementi Pena Shqiptare/ Grida Duma: Është e nderuar vepra e Zija Çelës

248
Sigal

 

Romanet e Zija Çelës nuk janë thjesht vepra narrative, pasi ato e tejkalojnë këtë kufi të zhanrit, duke u shndërruar në romane që sjellin vizione dhe ide universale. Ja ku po sjell menjëherë një citim nga romani Lavjerrësi i Qytetit, i fundmit që ka botuar autori:

“Dhe ishte shumë shpejt t’i thosha vetes: Prit, o kalorës, je vetëm në fillimin e fillimeve, vetja s’ta rrok diagnozën dhe prognozën e mbarimeve.”

Gjatë leximit, mbeta e befasuar dhe e përqendruar në këto radhë. Por mandej kuptova se i gjithë romani nuk është një prognozë mbarimi. Prej tipareve të njohura të prozës moderne të autorit, lexuesi ka lirinë jo për një, por për disa interpretime njëherësh. Dhe kjo është Frymëmarrja. Është liria dhe çlirimi i lexuesit, autoritetin e ri të të cilit, siç është shënuar nga studiuesit, shkrimtari e ka krijuar, duke e respektuar me rigorozitet në komunikimin e tij. Sidoqoftë, dua të theksoj se në çastet e errësuara të vlerave të shoqërisë shqiptare, Zija Çela ka arritur ta përshkruajë në mënyrë të përsosur se si është kjo errësirë.

Ngjarjet e Lavjerrësit zhvillohen në një qytet, që ka një burg të madh. Një burg që  është mbushur kapicë tej çdo kapaciteti. Atë e ndan një rrugë nga qyteti. Nga ana e burgut lexohet tabela “Rruga e të Pandershmëve”, ndërsa nga ana e qytetit “Rruga e të Ndershmëve”. Të burgosurit protestojnë për të drejtat e tyre. Por edhe qytetarët u vihen përkrah. Për ta sfiduar atë qytet, Kryeministri dërgon atje Ministrin e Brendshëm, i cili në një takim me përfaqësinë e qytetarëve, u drejtohet atyreve: A doni ju, zemërdhëmbshurit, që t’i merrni të burgosurit në shtëpitë tuaja dhe ta vuajnë aty pjesën që u ka mbetur nga dënimi? Ndryshe nga përgjigjja negative që priste, qytetarët pohojnë të kundërtën, madje me brohoritje.

Dhe tashmë Kryemistri nuk mund ta prapësojë sfidën, sepse prapësimi nuk i ka hije një burri shteti, siç e mbante veten ai. Kështu, kufiri i rrugës prishet, të ndershmit e të pandershmit fillojnë të jetojnë së bashku. Skena intensive pasojnë. S’ka më tabela rruge me ndarje bardhezi. Tashmë lavjerrësi i qytetit nuk është i ngrirë, ai lëviz në gjithë fushën e vet, e kjo do të thotë në të tëra sferat e jetës dhe shtresat shoqërore. Mjaft nga ata që hiqeshin si të ndershëm, përfshi zyrtarë të lartë që zhyten në korrupsion, zhvillimi i ngjarjeve i dëshmon të pandershëm, kandidatë për prangat e drejtësisë. Merret me mend çfarë konflikti origjinal ka skalitur Zija Çela, i mirënjohur si shkrimtar i trillit, por i trillit që irealen e bën më të besueshme se vetë realen. Prandaj, në thelb, Çela mbetet një shkrimtar realist. Është po ky autor që, disa vite më parë, në romanin Goja e Botës vuri këtë lutje në gojën e fifarasve: “Zot, rri me ne se është kah erret!” Mirëpo, pavarësisht nga situatat që ndërton në romanet e tij, është e çuditshme se si Zija Çela hedh dritë deri edhe në zemrën e errësirës. Unë besoj se ka një pakicë njerëzish, të cilëve u jepen sprova e vuajtje njerëzore, që nuk i meritojnë personalisht. Unë besoj që arsyeja përse kjo ndodh, fshihet te një mision më i madh sesa vetë ata. Është biblike, por edhe më shumë se aq.  Unë besoj se Zija Çela ka vuajtur në vetvete për të na dhuruar narracionet e tij,  duke lënë një trashëgimi të fisnikërisë së lartë të ndjenjës humane përmes të shkruarit. Të humbësh për të dhënë, me siguri ky mision nuk është zgjedhje. Por pa dyshim, është zgjedhje të vazhdosh, të dish të vazhdosh të shkruash. Shumë njerëz humbin në jetë, shumë njerëz gjenden përballë vendimit të fortë nëse mund të jenë të ndriçuar për të ardhmen apo të errësuar nga dhimbja. Mirënjohja që unë kam për veprën e Zija Çelës është se ai është i ndriçuar nga dhimbja, na jep neve ndriçim pas dhimbjes së vet. Dhe kjo ndodh rrallë, shumë rrallë!