Suplementi Pena Shqiptare/ Adriana Benga: Mesazhi në gjethe

563
Sigal

Përrallëz

 

Atë ditë vjeshte, kur ngjyrat e verdha duket se vallëzojnë me shirat, një bredhi të gjelbër diçka i zunë sytë: Në grupin e gjetheve të verdha që rrotulloheshin e vallëzonin si balerina të vogla, dalloi një gjethe ndryshe nga të tjerat. Ajo dukej pak më e madhe dhe vinte më e verdhë e më e pastër.

Bredhi zgjati dorën për ta marrë, por gjethja i shpëtoi nga duart, bëri një kthesë të beftë, kërceu lart, pastaj u ul lehtë-lehtë përdhe. Bredhit të moçëm iu bë se lexoi në trupin e saj një mesazh dashuror!

Sa zgjati dorën për ta marrë, një korb fluturoi dhe lëshoi jashtëqitjen. Ahhh, sa keq!

Dikush mbeti në pritje të takimit. Dikush s’i lexoi dot fjalët e zemrës.

Ra mbrëmja. I trishtuar nga kjo ngjarje, bredhi priste miqtë e tij të hapej dhe t’u tregonte ç’ndodhi. U afruan fluturimthi pëllumbat, bilbilat, kanarinat… Erdhi dhe një sorrë në ngjyrë më të errët se të tjerat. Bredhi e shihte për herë të parë.

Biseduan bashkë për mesazhin në gjethe dhe sorrës, ashtu si dhe bredhit i vinte keq për dashurinë e dy të rinjve. Atje erdhi dhe korbi, që s’pranonte asgjë.

Edhe pse shpendët e tjerë e këshilluan, ai me një mospërfillje tha, se nuk ekzistonte dashuria njerëzore. Se njerëzit nuk meritonin të ishin të lumtur.

Sepse korbit nuk i pëlqenin ngjyrën dhe zërin. Shante dhe fyente gjithë urrejtje.

Miqësia e bredhit dhe sorrës po rritej çdo ditë. Për natë takoheshin mbi degët e bredhit të gjithë zogjtë këngëtarë… Bisedonin këndonin dhe në mesnatë largoheshin.

Dalëngadalë vjeshta po shkonte në ditët e saj më të ftohta.

Zogjtë po bëheshin gati për shtegtim. U larguan të mërzitur nga ndarja me bredhin.

Një mesjavë, kur era dhe breshëri rrëzuan në tokë dhe gjethet e fundit të pemëve, Bredhi u ndje krejt i vetmuar. Degët e tij ishin kaq të blerta dhe të pastra.

Më pas erdhi dhjetori, muaji i festave… Bredhi po ndihej i lumtur… Ai ishte gjithmonë në shërbim të njerëzve, sidomos të fëmijëve.

Ai i donte shumë ata. Zërat e tyre i ngjanin me cicërimat e miqve që tani ishin në shtegtim. Krishtlindjet afruan, çaste nga më të lumturat panë sytë e bredhit.

Fëmijët e stolisën me drita dhe ngjyra. Simboli i tij hyri ne çdo shtëpi… edhe tek ato më të varfrat. Natën e Festës bredhi vuri re, që çifti i dashuruar nuk ishte më bashkë.

Mendja i mbeti tek mesazhi në gjethe.

Mendoi për korbin dhe krenarinë e tij. Pse ishte aq i palumtur vallë?!

Çdo gjë e shikonte me mosbesim, gati neveri urrejtje. Mikja e tij, sorra ishte pak më ndryshe, por dhe ajo e mbështeste. Kur bëheshin bashkë, qielli nxihej dhe fillonin shkreptimat.

E kështu kaloi dhe një vit.

Bredhi i gjelbëruar në mes të parkut dhe të pemëve të zhveshura, priste me pa durim pranverën.

Priste të ktheheshin nga shtegtimi miqtë e tij të vjetër.

Bilbilat, kanarinat, gushëkuqet, pëllumbat. Edhe korbi dhe sorra sigurisht ishin pjesë e miqësisë.

Pranvera erdhi dhe frymëmarrja iu shtua. Bredhi u ndje i lumtur për miqtë e tij që e donin se i mbështeste gjithmonë. Çdo natë ndodhte e njëjta ngjarje.

Ata mblidheshin në krahët e bredhit; këndonin, bisedonin, pastaj, secili në shtëpinë e vet.

Bredhi tregonte kujtimet e tij nga muaji i festave, por korbi dhe sorra ishin miqësuar shumë me njëri-tjetrin. Ato e tallnin bredhin… E shanin që ai e përjetonte lumturinë mes zërave të fëmijëve. E ku dinin ata çdo të thoshte zë engjëjsh. Dini veç të grindeshin me çdo zog tjetër këngëtar.

Zëri i tyre ishte i veçantë. Sorra ishte bërë njëlloj si korbi, që hidhte jashtëqitjen vend e pa vend, duke ndotur mjedisin dhe njollosur njerëzit qe kalonin atypari.

Tek stoli poshtë bredhit nuk rrihej më. Qelbej erë jashtëqitje. Megjithatë ato mburreshin, se kënga e tyre ishte më e bukur. Në mbrëmje nuk po vinin më bilbilat, kanarinat mbi krahët e bredhit. Ai shumë u mërzit dhe fryma iu mor. Mblodhi forcat, degët pastroi dhe pa afruar vjeshta dy miqtë e vjetër i dëboi. E shanë… e ç’nuk i thanë: I paaftë, i pisët, mosmirënjohës, hajdut…!

U mërzit bredhi, por zogjtë e tjerë, miqtë e vërtetè e mbështetën. Korbi dhe sorra tani kishin gjetur një pishëz gazmore. Atje shkonin çdo nate për të kënduar, e për të përgojuar bredhin fisnik. Në fund të verës, në një mbrëmje romantike, bredhi u trondit nga një puhize erëmirë. Në stolin poshtë tij erdhi çifti i dashuruar. Ata ishin bashkë. Vajza ishte shtatzënë.

Ehhhhh, lumturia e bredhit nuk përshkohej. pastroi halat, hapi krahët dhe hije i bëri dashurisë.

Dhe qelli u pastrua, dielli shkëlqeu. Ajri u freskua. Mbi kokat e çiftit zogjtë këndonin. Serenadën më të bukur të dashurisë.