Suplementi Pena/ Autobiografia e popullit në vargje frymëzim për shkrimtarët e talentuar Kuteli-Kadare

314
Sigal

 

Populli është këngëtari dhe letrari i proporcioneve të mëdha. Nëqoftëse letërsia shqipe në fillimet e saj është e varfër: krijimtaria letrare e popullit është shumë e pasur. Në traditën gojore kanë arritur legjenda, poezi dhe këngë popullore shqiptare, të cilat kanë qenë dhe mbeten burim frymëzimi edhe për shkrimtarë me përmasa kombëtare shqiptare dhe ndërkombëtare. Folkori gojor mbetet një pasuri e pashtershme edhe për çdo krijues letrar.

E njohur është në këngët popullore legjenda e vëllait të vogël.

Legjenda e vëllait të vogël është e përhapur edhe në Ballkan. Në Shqipëri kemi disa variante të kësaj kënge: “Kënga e Dhoqinës”, “Kënga Kostantini e Doruntina”, “ Kënga e Halil Garrisë”, “Besa e Kostandinit”. Variantet janë një realizim me një gjuhë të thjeshtë, plot skena e dialog të gjallë. të cilat u ruajtën dhe u transmetuan në shekuj për vlerat e tyre historiko-letrare nga gjeniu popull.

 

Besa e Kostandinit

“ Ditën e Pashkës në drekë,

seç u ther një ka në fshat.

Vajta mora një okë mish

dhe e hodha në kusi.

Me vrap dola në avlli,

të marr një kërcu të zi.

Të më shpiket një stihi (gjarpër),

me vrap m’u hodh në kusi,

më helmoi djemt’ e mi.

 

Nëntë djem e nëntë nuse,

të nëntë me djem në duar!

Nëntë djepe ç’m’i përmbyse!

Nëntë pajë ç’m’i zhurite!

Nëntë dyfekë ç’m’i shite!

Kostandin, të ardhtë gjëma!

Martove Doruntinën larg-

larg e larg mërguar,

tre male kaptuar.

 

Ditën e Pashkës së madhe,

Doruntina na hidhej valle.

Kostandini u ngrit nga varri:

Rrasa iu bë kalë!

Balta iu bë shalë!

 

Vrap e vrap e te Doruntina.

-Mirë se erdhe, im vëlla!

Në ke ardhë për të mirë,

të vishem si gjeraqinë.

Në ke ardhë për të keq,

të vishem si kallogre.

– Jo motër, sikundër je!

 

E hipi në vithe të kalit.

Zogjtë udhës thoshin:

Ciu-viu, viu-viu.

Kini parë e s’kini parë?

Shkon një bishtbardhë,

i vdekuri me të gjallë!

 

Venë gjer te dera e kishës.

– Ikë moj Doruntinë,

se kam punë n’ajodhimë,

se aty e kam shtëpinë.

 

Shkon Doruntina gjer te dera.

Çëk, çëk në portë!

-Ç’je ti që kërcet në portë?

Mos je bushtër a murtajë?

A mos je zonja murtajë,

që më hëngre djemt e mi?

 

– Hap, moj nënë, derënë,

jam Doruntin’ e vetëme!

– Me cin erdhe, moj Doruntinë?

– Unë arçë me Kostandinë!

– Ç’Kostandin, moj të ardhtë gjëma?

Kostandini i vdekur,

ç’bën tre vjet pa tretur?

 

Një në prag e një në derë,

plasën si qelqe me verë.

 

***

Mitrush Kuteli

 

Legjenda e vëllait të vdekur ka frymëzuar shkrimtarin e talentuar Mitrush Kuteli për të realizuar tregimin “Besa e Konstandinit”.

“Ishte njëherë e një mot një mëmë shumë e mirë. Ajo kishte njëmbëdhjetë djem dhe një vajzë të bukur, që e quanin Doruntina. Vasha u rrit dhe u bë për t’u martuar. Mirëpo nga djemtë e atij vendi asnjë nuk e gëzoi. Atëherë na vjen një trim i largët dhe e kërkon për nuse. E ëma dhe të njëmbëdhjetë vëllezërit nuk donin t’ia jepnin, sepse ishte nga një vend shumë i largët. Vetëm Kostandini, vëllai më i vogël, donte.

– Aq larg do të ma shpiesh Doruntinën time?- i tha e ëma.

– Të jap besën zonja Mëmë, se, kur ta duash ti Doruntinën, qoftë për gaz, qoftë për helm, vete unë e ta sjell!

Mëma dhe të dhjetë djemtë u bindën dhe e martuan Doruntinën me trimin e largët.

Shumë luftëra u bënë atë mot te dheu ynë. Të njëmbëdhjetë vëllezërit dolën të luftojnë për vendin e vet dhe u vranë një pas një të gjithë.

Një ditë mëma vajti te varret e të bijve, ndezi qirinj dhe vajtoi.

Mbi varrin e Kostandinit ajo tha:

– Kostandin, o biri im, ku është besa që më dhe, se do të ma sillje Doruntinën? Besa jote vdiq bashkë me ty dhe kalbet në varr të zi!

Në mesnatë Kostandini u ngrit nga varri. Guri i varrit u bë kalë i zi si nata. Dheu i zi u bë shalë e zezë si nata. Rrotulla që mbante gurin u bë fre i argjendtë. Trimi i hipi kalit dhe arriti te shtëpia e motrës.

– Doruntinë, motra ime! Eja të shkojmë. Të do zonja Mëmë në shtëpi!

E mori në vithe të kalit. Ata kapërcyen male e fusha, pyje e kodra, lumenj e përrenj. Kur arritën pranë kishës, Kostandini i tha së motrës:

– Ti shko përpara, se unë dua të hyj të falem në kishë.

Kostandini shkoi e hyri përsëri në varr të zi. Doruntina ngjiti shkallët dhe trokiti me gëzim në derë.

-Mëmë hapma derën!

– Kush je ti që trokëllin aty te dera?

– Hapma derën zonja Mëmë! Jam unë, bija jote, Doruntina! Nuk më njeh?

– Kush të solli deri këtu, o bija ime?

– Më solli Kostandini, im vëlla.

– Cili Kostandin moj bijë? Ai ka tre vjet i vdekur? Kanë kaluar shumë kohë që ai u vra në luftë .

Dhe atë çast, një në prag e një në derë plasën të dyja si qelqe me verë.

 

Ismail Kadare

Shkrimtari Ismail Kadare, mbi bazën e legjendës frymëzohet dhe shkruan novelën: “ Kush e solli Doruntinën.”

…Kapiten Stresi ndodhej ende në shtrat, kur iu duk se dëgjoi një trokitje te porta: tang –tang-tang. Ndërsa zbriste shkallët te porta trokitën për herë të tretë… Tërhoqi shulin e hekurt dhe vrulltasi e çeli portën.- Ka ndodhur diçka,- u ngut të thoshte ndihmësi i tij: Zonja plakë e Vranajve dhe e bija e saj, Doruntina, që ka mbërritur mbrëmë natën, në rrethana krejtësisht misterioze, janë të dyja në kllapi duke dhënë shpirt. Si është e mundur,- tha për të tretën herë Stresi,-ajo është martuar aq larg, saqë as në zi të familjes s’ka ardhur dot. Gjithë puna është të gjendet se si pati mundësi të vinte Doruntina. -Pikërisht,-tha ndihmësi.- jua thashë ka mbërritur mbrëmë në rrethana misterioze.

Të nesërmen e kthimit nga Manastiri i Tri Kryqeve, Stresi nxori një urdhër të ri, ku jo vetëm jepeshin udhëzime se si të ndaloheshin në vend të gjithë të dyshimtët, por premtohej edhe një shpërblim për atë që do të ndihmonte në kapjen e mashtruesit. Krahas kësaj Stresi i dha urdhër ndihmësit që të gjente se cilët njerëz kishin munguar në katund prej fundit të shtatorit gjer 11 tetor dhe për secilin prej tyre të bënte hetime të fshehta. Ndërkaq Stresi caktoi njërin prej njerëzve të vet të gatitej me ngut për në udhë të largët gjer në viset e Bohemisë, për të hulumtuar në vend zhdukjen e Doruntinës…

Kush e solli Doruntinën? Unë do t’ju përgjigjem, përderisa e kam marrë përsipër, këtë hetim. Kini durim hirësi. Kini durim njerëz bujarë,- foli Stresi…

Ju keni dëgjuar, besoj, se kjo krushqi e largët, e para e një largësie të tillë, nuk do të bëhej nëqoftëse, Kostandini, njëri prej vëllezërve të nuses, nuk do t’i jepte besën nënës se do t’ia sillte Doruntinën sa herë që të lipsej, në gaz apo në zi.

Dhe ju e dini pastaj se sa shpejt erdhi koha e zisë, për Vranajt dhe për Arbrin, por Doruntinën nuk e solli dot askush, sepse dhënësi i besës Kostandini kishte vdekur.

Ju keni dëgjuar për mallkimin që zonja mëmë i bëri të birit për shkeljen e besës dhe e dini se si tri javë pas këtij mallkimi Doruntina erdhi më në fund.

Por kush e solli Doruntinën në shtëpi? Ja përse unë e shpall se Doruntinën nuk e solli askush tjetër, veçse vëllai i saj, Kostandini, fjala e dhënë e tij, besa e tij. Asnjë shpjegim tjetër s’ka dhe s’mund të ketë ky udhëtim. S’ka rëndësi u ngrit apo s’u ngrit i vdekuri nga varri, s’ka rëndësi cili qe kalorësi dhe ç’kalë shaloi ai atë natë të errët kur u nis… Secili nga ne ka pjesën e vet në këtë rrugëtim, sepse besa e Kostandinit, ajo që e solli Doruntinën ka mbirë këtu midis nesh. Ndaj për të qenë më i saktë do të thosha se Doruntinën duke e sjellë Kostandini e sollëm ne të gjithë, të vdekurit tanë, që pushojnë atje te kisha, ju që jeni këtu, unë…

 

Jos Garcia Nieta

Jos Garcia Nieta komenton kryeveprën e Kadaresë në skajin e një krijimi të rrallë.

Gjendemi përpara një novele misterioze, që ka shumë nga policejskij dhe që zhvillohet në një mjedis legjendar. Një grua kthehet në fshatin e saj në mesin e natës nga një udhëtim, që filloi përtej Ballkanit. Nuk dihet kur, por e ka sjellë një kalorës misterioz për të cilin thuhet se është i vëllai dhe se ka vdekur para disa kohësh. Fshati flet shumë për ngjarjen, sepse për më tepër Doruntina, emri i protagonistes, vdes kur vjen në shtëpinë e nënës. Nëna e pret dhe vdes gjithashtu pas mbërritjes së të bijës. I biri, Konstandini, i kishte premtuar se po të kishte nevojë të shihte të bijën, ai do t’ia sillte prej kudo që do të ndodhej.

Por, Konstandini nuk mund të kishte qenë udhëtari që e ktheu në shtëpi, pasi kishte kohë që kishte vdekur, si gjithë vëllezërit e tjerë. Mbi këtë mister thuret fabula, që ngre në këmbë fshatin ku histori nga më të çuditshmet përhapen në të gjithë rajonin dhe madje mbërrijnë në Konstandinopol. Zhdukja e njeriut apo i fantazmës që solli Doruntinën e rrit konfuzionin dhe i shton enigmat. Një njeri nuk mund të ringjallet. “ është një dukuri së cilës i mungon logjika njerëzore, por jo ajo hyjnore, e cila bën që banorët e atyre trojeve, që jetojnë në kufijtë e një sakrilegji të tmerrshëm ta kqyrin të gjithë me drithërima memece”.

Kapedan Stresi e çon kërkimin e tij përtej ekstremeve dhe më në fund njerëzit e tij arrijnë të kapin një njeri, i cili identifikohet me udhëtarin që solli Doruntinën. Në fillim nuk rrëfehet, por nën shtrëngim arrin të pranojë. Sipas tij ka grabitur vajzën dhe në udhëtim e ka bërë për vete. Por rrëfimi i tij nuk shërben për asgjë. Stresi fillon ta pyesë përsëri dhe e vë nën tortura. Shpejt shihet se ka shpikur historinë e tij nga fillimi në fund.

Do të zhvillohej mbledhja e madhe, ku do të thirreshin njerëz për t’u zbuluar ngjarja e mistershme. Stresi ka ndërruar qëndrim. Mbledhja do të mbahej në Manastirin e Vjetër të qytetit, me praninë e Arqipeshkvit dhe të fisnikëve të rrethinave.  Kapedan Stresi fillon dhe flet në mes të një heshtjeje tronditëse. U tregon të pranishmëve rrëfimin e njeriut të kapur që nga çdo drejtim ishte fallc.”ai njeri nuk e kishte njohur kurrë Doruntinën”. Dhe pyetjes që qëndronte sa në ajër, aq edhe në mëndjet e të pranishmëve Stresi i përgjigjet para çudisë së të gjithëve. Doruntinën e solli Konstandini. Dhe pas ligjërimit të tij Stresi u zhduk mes turmës.

Kadare ka ditur të mbajë një klimë intrige të përzjerë me legjendën dhe fjalën e urtë popullore të Arbërisë. Fantazia dhe tmerri, të vdekurit dhe të gjallët përzihen në këtë libër, të cilin poezia e autorit ka ditur ta ngjisë në skajin e një krijimi të madh.( ABC, 8 SHTATOR 1990).