Suplement Pena shqiptare/ Orë e zakonshme leksioni me studentët part-time

493
Agron Tufa
Se çohet dikush, fjala vjen, politikan në timonin e shteti, dhe thotë: “Të mbushen auditoret dhe universitetet tona!” Kjo vikamë e ky kyshtrim / të bën djalë e të bën trim. Dhe auditoret mbushen me vajza. Me gra. Dhe laraska. Tek-tuk ndonjë djalë, që vjen më shumë për pallë. Kështu urtë e butë, dynden taboret part-time, me kushtetutë, plot 400 krerë për kurs: me pagesë, jo me bursë.
E mos me e zgjatë, ja një situatë.
Ky rrëfim është i vërtetë: jap leksione në vit të tretë – letërsinë e Modernizmit… në kurset kundër analfabetizmit. Dhe zëri im jehon, gjëmon mbi një pyll kokash që s’dëgjon. Dhe as që do t’ia dijë kush në këtë pyll të shtrembët drush, se drutë të gjitha janë vënë në garë, të flasin me celularë. Hordhisë që bën shamatë, i bëj apel për edukatë; duket – kjo nuk ua prek veshin: hungërijnë, zhaurijnë, qeshin.
“Zotëri’nj, kjo s’është e ndershme… me këto zhurma të skëterrshme, s’keni për t’u marrë vesh kurrë! Ky s’është mësim, kjo është torturë! Se për nder, dreqi ta hajë, po silleni si kalamaj…! – ankohem për të qindtën herë. Por e ndjej fjalën të prerë:
“Mos bre burrë! – (një karagjoz leshradredhur, shtihet pikë e vrer i zverdhur). – Ç’na ke prekë mu në tela me këto mendime t’thella… Mua vetë më dridhet thembra, tash p’e çoj dorën te zemra. Më vjen zor bre profesor, po më duket vetja horr: Falmë! Falmë! Falmë!”.
Fill mandej, gjithandej, porsi zjarri me napalm, zërash pizgë e zërash bas, u përndez gazi në klasë.
“Pushoni!” – këlthas i acaruar me një inat t’papërcaktuar, sa nga ky gaz solidar, zë t’më ngjajë vetja i marrë.
Ka gjashtë orë që flas paprerë: kordat në gurmaz janë nderë. Një uturimë në veshë rëndon, si të gjendesha në avion. Po dhe me veshë të bërë dhallë, dëgjoj një zëth të hollë përballë:
“Qy presori qenka pallë!”.
Seç u drodh një kukurismë.
“Këtu puna vajti pisk”, – them me vete dhe ndërhyj:
“Zotërinj! Nëse doni sak barinj, shkoni gjetkë e gjeni stallë!
“Jo more! – shfryu tej një zë nervoz (ishte po ai karagjoz): – Ndjesë, na ndje, – dhe me një gjest të zgjatur dore, bën drejt meje në foltore: – po pse o, pse, për të mençëm të kemi vënë atje?!”
Nga kjo pyetje e papritur, gjendem krejt papërgatitur. Bëj zap mllefin dhe, avash, të mos marr si flakë në kashtë, i përgjigjem pikë për pikë me një ton apatik:
“Për të mençëm, po se po – dhe le ta dijë cilido, që t’mos mbetet i tradhtuar: – Për këtë keni paguar! Dhe jo pak! Rrumbullak shtatëqind mijë të vjetra i ka vënë sekush kapak. Këto vegla-punë kam unë: t’ju shes mend mëngjes e darkë. Vetë m’i blini pa përdhunë! E përse? Për zoopark?”
Kukurisje, kukurisje, gaz i bujshëm rretheqark…
Sigal