Suplement Pena Shqiptare/ Këpuca e Humbur!

489
Mimoza Leskaj

Ulur në vagonin e fundit të trenit, shikoja me kënaqësi sa herë merrte kthesat lokomotiva me vagonët e fillimit. Jashtë bënte ftohtë, por ajri ishte i thatë. Ishte një nga ato ditë dimri që unë pëlqeja shumë. Më vinte për të qeshur se më kujtohej dikush që s’kishte parë akoma tren dhe kur e pa e quajti një gjarpër shumë të madh. Vërtetë atë ditë seç kishte një ngjashmëri, ecte me vrull dhe përdridhej në kthesa si i tillë. Nuk di pse, por qysh fëmijë më ka pëlqyer shumë zhurma e trenit. Udhëtoja shpesh dhe ishte i vetmi mjet që e krahasoja me ndjenjën e lirisë. Mendoja se liria ishte e vrullshme e shpejtë e zhurmshme dhe pa stacion. Pas disa orësh…arritëm. Nga Durrësi deri në Fier pastaj me shumë mundime prisnim biletë për të arritur në Vlorë. Deri këtu rruga ishte mirë, po për të vajtur në vendin ku ishin të internuar gjyshja me dajat, pothuajse për tërë jetën e kemi bërë në këmbë, në shi, në të ftohtë në dimër dhe shpesh në të nxehtin e verës. Shkonim shpesh të bënim Vitin e Ri të gjithë së bashku, të qëndronim afër gjyshit që kish dalë nga burgjet e egra komuniste i sëmurë dhe s’do jetonte gjatë. Pranë gjyshes që nga vajzë e vetme bejlerësh u kthye në një heroinë e heshtur dhe u qepej kodrave të ullishtave për të ushqyer fëmijët e saj. Dhe me aq pak lekë, e shkreta gjyshe, mundohej të na blinte të gjithëve çdo vit nga ndonjë gjë. Mua më kishte blerë një palë këpucë, dhe që të shkoja disa vite me to m’i kish marrë të mëdha për këmbën time të vogël. I mbushja me pambuk të mos më dilnin nga këmbët, megjithatë lumturohesha nga dhurata dhe s’më vinte fare keq, që këmba ime e vogël kishte hapësirë të lozte. Gjyshja ime ishte me të vërtet një njeri i shtrenjtë. Sakrifica e saj e madhe për të na bërë të lumtur. Nuk i qeshte më buza nga dertet që e kishin kapluar në atë vend, ku i vetmi faj ishte, se ishte e bija e një beu. Realiteti i saj ishte i trishtë po ajo ishte një grua trimëreshë. Po kur na shihte ne rrëzëlliste e tëra nga kënaqësia. E adhuroja gjyshen time, jo vetëm se më bënte dhurata. Ishte me të vërtet një grua e ngritur. Kish studiuar në shkollat më të mira të vendit dhe tregonte histori të pafundme ashtu nën zë për të mos u ndier nga të tjerët. Më shpjegonte parimet që duhet të ketë një grua në jetë dhe në bebëzat e saj ndriste mirësia. Mezi prisja që të përqafohesha nga krahët e saja të holla dhe të më bënte ndonjë surprizë që i blinte me shumë sakrifica. Atë natë ecnim në këmbë të gjithë…bënte shumë ftohtë, natë dhjetori… Rruga dukesh më e gjatë se herët e tjera e mezi prisnim t’i shikonim fundin. Trupat e të gjithëve fërgëllonin nga acari. Dhe ndërsa kishim bërë pothuajse gjysmën e rrugës, kalon një makinë e madhe. Shoferit i erdhi keq për ne, ndaloi dhe thirri: -Për ku jeni o njerëz? -Për në Lubonjë,- u përgjigj im atë.-Hajde hipni –tha. Gjynah këta fëmijët, bën ftohtë.Falënderuam dhe hipëm të gjithë. Ishim së bashku me familjen e tezes dhe bëheshim tetë vetë Shoferi zemërbardhë zgjati dorën dhe na dha një batanije.-Mbulojini fëmijët! – tha. Vazhduam rrugën të kënaqur për fatin tonë të mirë atë natë të fundit të dhjetorit.. Mirëpo s’e kisha vënë re që në momentin kur hipa në spondin e lartë të makinës, më kishte rënë nga këmba njëra këpucë, dhe kur zbritëm njëra këmbë ishte zbathur. U pikëlluan të gjithë dhe mua më rrodhën lotët. U ndjeva në faj, vetëm ato këpucë kisha dhe s’mund të më blinin të tjera në atë vend që ndodheshim. Im atë më mori në krahë dhe ndërsa qaja nga dëshpërimi u dëgjua zëri i dhembshur i burrit të tezes që tha:-Merri fëmijët dhe vazhdoni rrugën për në shtëpi. Unë do kthehem mbrapa të gjej këpucën e vajzës! Ashtu tha dhe s’priti asnjë përgjigje, por u nis në këmbë atë natë të ftohtë dimri pa hënë. Ndërsa ne arritëm dhe mbasi u përshëndetëm, të gjithë filluan të bënin tavolinën gati, gjyshi im i mirë zgjati duart, më mori në prehër dhe filloi të përkëdhelte këmbën time që ish bërë kallkan. Në tavolinën e shtruar për të pritur Vitin e Ri, askush nuk u ul. Pritëm shumë orë gjersa më në fund dera u hap dhe fytyra e qeshur nga kënaqësia tregoi, këpucën e gjetur.!! 
U ulëm të gjithë në tavolinë, për të festuar së bashku Vitin e Ri që kish shumë orë që kishte hyrë.!!
Sigal