Supementi Pena Shqiptare/ Bardhyl Agasi: Mbi vëllimin e ri poetik të Teuta Dhimës

44
Sigal

Emri i poetes Teuta Dhima tanimë është i njohur për lexuesit. Ky është libri i dytë i saj me poezi, i cili u promovua në nëntor në një nga mjediset e Pallatit të Kongreseve në panairin e librit në Tiranë. Madje para disa ditësh në hollin e teatrit A.Moisiu të qytetit të saj u organizua një koncert recital me poezitë e librit të ri. Ndoshta hera e parë që ajo nuk ishte organizatorja kryesore, sepse nuk ka aktivitet, sidomos me krijimtarinë e autorëve durrsakë, ku vetë ajo të mos jetë moderatorja e talentuar e tyre. Teuta është punonjëse në bibliotekën e qytetit. Pjesën më të madhe të kohës së saj ditore.e kalon mes librave , komunikon me dhjetra e qindra lexues, duke u propaganduar apo duke u dhënë atyre libra, mban një bashkpunim të ngushtë me krijuesit, kryesisht me ata durrsakë. Që në moshë të re ka mbajtur brenda vetes një dëshirë, të arrinte të botonte dhe ajo një libër, dhe brenda heshtjes se saj thurte vargjet e para. Në mënyrën e prezantimeve që u bënte ajo librave ndjehej e pastër gurgullima poetike. Dhe ajo guxoi të bëhej vetë autore e një libri me poezi, i cili u prit ngrohtësisht në qarqet letrare. Kjo e nxiti që t’i përkushtohej edhe më seriozisht kijimit, veçanërisht poezisë, ku ajo shfaq më kthjellët botën e saj të madhe shpirtërore. Dhe vëllimi i dytë i sapo botuar shënon një arritje jo thjeshtë për krijimtarinë e saj, por dhe  për poezinë kryesisht të shkruar nga një numër i konsiderueshëm të grave dhe vajzave tona krijuese. Titulli i vëllimit është i veçantë dhe deri në mbarim të librit ai mbetet pak enigmatik, ndoshta në fillim dyshon se është gjetur si një titull intrigues. Megjithëse poetja shprehet se përse mendohet një lule dielli asnjëhere nuk do ta kuptojë njeri, besoj se vetë poetja si lulja e diellit është gjithmonë përballë ngrohtësisë dhe dritës së diellit, i gëzohet atij. Dhe këtë ngrohtësi dhe dritë ajo e reflekton në vargjet e saj. Poezia është vetë shpirti i poetit, por kur ajo buron nga shpirti i një gruaje, i një nëne, i një vajze, i një të dashure, ndjenja poetike rrjedh nga një shpirt më i madh, më i dhembshur, më i ndjerë dhe Teuta nuk e ka kursyer shpirtin e saj të bukur në poezitë e këtij libri. Dashuria si një fill përshkon të gjitha poezitë, bën që të dashurojnë deti, valët, hëna, pemët, stinët, zogjtë, vetë natyra. Dhe vetë ajo nuk kërkon asgjë më shumë për dashurinë e saj, veçse të marrë si përgjigje, si dhuratë një lule viole, valëzime petalesh, të marrë fjalën më të thjeshtë dhe më njerëzore…ME DUAJ .

Më duaj,

shumë, aq sa zemra të regëtijë fort

e dëshira për mua të të shpërthejë trupit,

si petalet erëmira…

Tek poezia e Teutës Dashuria është sa vetë jeta, që kur lind në stinën rinore dhe mbetet po me atë ndjenjë sublime dhe besnikërie deri kur jeta mbaron. Ajo është e shenjtë për nënën, që i dha karakterin e fortë, …të mos mësohej me dhimbjen, të mos e humbë buzëqeshjen për askënd, pas çdo beteje të ngrihet sërish dhe të gjejë forcën për t‘ia nisur një kënge. Në poezinë e Teutës po aq vend ka dhe dashuria për babain, është mirënjohja ndaj atij që i dha emrin e bukur të një mbretëreshe ilire, është dashuria për vajzën, Anën, e bukur si hënë. Është kudo dashuria për njerëzit, që do t‘i shohë gjithmonë të lumtur, të lidhur, të bashkuar. Në poezinë „Prit varke“ ajo e personifikon atë, se shpinën ua vesh valëve dhe brigjet i bashkon pa pushuar. Poezia e Teuta Dhimës është plot vërtetësi jetësore, ku e vërteta është rruga ku duhet të ecin të gjithë, jo vetëm në rrugë të asfaltuar, por dhe në atë të kalldrëmtë, ku duhet të ruhesh të mos rrëzohesh, të ecësh qofte duke u mbajtur pas murit të saj. Dhe me këtë të vërtetë është ndërtuar vetë karakteri i saj, i një gruaje dinjitoze, që nuk thyhet kurrë, që u bën apel dhe atyre grave që mbyllen brenda mureve të vetharruara, që u nënshtrohen paragjykineve patriarkale dhe për më keq bëhen pre e dhunës në çdo formë të saj, të mos gjunjëzohen, të mos thyhen. Në poezinë „Nuk trembem prej teje“, ndjehet stoicizmi, i ngrihet himn jetës, kur as vdekjes nuk i trembet. Autorja e shikon jetën gjithmonë në lëvizje. plot gjallëri, ku çdokush të lerë gjurmën e tij, të mbesë dhe pas ikjes.

Ka të vdekur që kujtohen ende!

Ka Të gjallë që me kohë kanë vdekur…

E veçantë është se poezitë jepen në dy gjuhë: shqip dhe italisht, në përkthimin e bukur të Valbona Gjakovës dhe si mirënjohje Teuta shoqes së saj i ka kushtuar dhe në libër një poezi, Dy vargje perkthyesit, ku çmon rolin që ka një përkthyes për ta dhënë sa më saktë poezinë, …të thotë të njëjtën gjë për njerëz, që gjuha si një lumë i ndan. Edhe në poezitë e librit të dytë ndjehet lirizmi i ngrohtë, thjeshtësia që e bën aq joshës vargun, larg ndërlikimeve përmes një figuracioni abstrakt. Çdo poezi është një figurë më vehte, por dhe metaforat që nuk janë të pakta, perceptohen dhe lartojnë realisht nivelin artistik të tyre. Ato mbijnë vetë natyrshëm si lulet në degët e pemëve. Pas këtij libri për Teuta Dhimën rruga e suksesit të mëtejshëm është më e sigurtë, më e shtruar. Dhe dy fjalë natyrisht dhe për shtëpinë botuese Jozef me qendër në Durrës, me drejtues Aurel Kaculinin, për kontributin që jep në mbështetje të mjaft autorëve.