Promovohet në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë monografia e parë kushtuar të drejtës së koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat në Shqipëri

230
Sigal

Promovohet libri “E drejta e koncesioneve dhe e Partneritetit Publik Privat” i autorëve Dr. Elona Bano dhe Dr. Edmond Ahmeti nën drejtimin dhe moderimin e Presidentit të UMSH Prof. Dr. Anastas Angjeli dhe të Rektorit të Universitetit Prof. Dr. Adrian Civici. Sot në ambientet e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë ky aktivitet promovues mblodhi bashkë profesorë dhe akademikë të fushës së të drejtës, ekonomisë, sociologjisë ku vlen të përmenden zëvendës Rektorët e UMSH Prof. Asoc. Dr. Greta Angjeli, Prof.Asoc.Dr. Nevila Rama dhe Prof. Asoc. Dr. Përparim Kabo së bashku me dekanët e fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane Prof. Dr. Ksenofon Krisafi dhe Dekanen e Shkencave Ekonomike Prof. Dr. Lindita Milo.  Botimi i librit “E drejta e Koncesioneve dhe e Partneritetit Publik Privat” u vlerësua maksimalisht nga Presidenti i UMSH, Prof. Dr. Anastas Angjeli, i cili e vlerësoi si një gur themeli në një fushë kaq shumë të diskutuar dhe të anatemuar në tre vitet e fundit në vendin tonë, i cili do të shërbejë si një shtrat doktrinar për mirëinformimin e juristëve, ekonomistëve, biznesit, gazetarëve dhe opinionit publik.

Prof. Dr. Anastas Angjeli vlerësoi monografinë pasi jo vetëm që është rezultati i një pune voluminoze të mirëstrukturuar, me një logjikë të fortë analitike, por sjell në rrjedhë të natyrshme zhvillimin e kontratave të koncesionit dhe ato të Partneritetit Publik Privat, duke filluar që nga Roma e lashtë dhe kryerja e punëve publike, vijuar me periudhën e post-revolucionit francez në Francë, Angli, Amerikën Latine e deri në ditët e sotme nga shumë vende të botës anembanë globit. Profesor Angjeli evidentoi në fjalën e tij hipotezat e ngritura në punim përsa i përket natyrës ligjore të kontratave koncesionare dhe atyre të partneritetit publik privat si kontrata shumëdimensionale që luhaten mes të drejtës publike, kryesisht asaj administrative, pasi autoriteti kontraktor është gjithmonë një autoritet publik, dhe të drejtës private sidomos përsa i përket kontratës në vetvete dhe marrëdhënieve që lindin në zbatim të saj. Ai vlerësoi po ashtu maksimalisht konkluzionin e arritur nga autorët, sipas të cilit për shkak të zhvillimeve të fundit dhe aplikimit gjithmonë e më në rritje nga shtetet e këtyre kontratave, ka ardhur momenti që kontratat e koncesionit dhe partneritetit publik privat të shihen si një disiplinë autonome në fushën e së drejtës. Presidenti i UMSH-së ftoi autoritetet e universitetit që të parashikojnë module specifike dhe “master classes” të fokusuara në llojet e kontratatve të koncesionit, si dhe të partneritetit publik privat, duke rekomanduar përdorimin e këtij libri si bibliografi në përgatitjen e programeve lëndore. Aktiviteti u pasua me fjalën e rastit të Rektorit të Universitetit Prof. Dr. Adrian Civici, i cili u fokusua në dimensionin ekonomiko-financiar të këtij studimi, duke vlerësuar risitë që sjell përsa i përket analizës së riskut financiar, udhëzimeve për hartimin e klauzolave të kontratave të koncesionit sipas modeleve të Bankës Botërore, UNCITRAL-it dhe Komisionit Ekonomik të Kombeve të bashkuara për Evropën (UNECE).

Në fjalën e tij Profesor Civici vlerësoi maksimalisht këtë punim, duke nënvizuar domosdoshmërinë që paraqet realiteti i doktrinës shqiptare në këtë fushë, si dhe theksoi se vëmendje e veçantë i duhet kushtuar dhe forcimit të kapaciteteve njerëzore kompetente në administratën publike për fushën e koncesioneve dhe PPP-ve si një kërkesë edhe e autoriteteve ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, dhe ky libër mund të shërbejë shumë mirë për trajnimin dhe thellimin e njohurive të specialistëve të fushës. Dimensioni juridik i këtij studimi u soll nga Dekani i Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, i cili vlerësoi autorët për punën skrupuloze dhe voluminoze, duke i përgëzuar për metodologjinë e ndjekur prej tyre në trajtimin shkencor të fushës së koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat. Po ashtu, Prof.Dr. Ksenofon Krisafi u shpreh se monografia “E drejta e Koncesioneve dhe e Partneritetit Publik Privat” është një botim i vlefshëm praktik për administratën, biznesin, juristët, ekonomistët dhe studentët, si dhe përbën një model të mirë për t’u studiuar në universitete dhe më gjerë. Më pas aktiviteti vijoi me prezantimin e librit dhe gjetjeve kryesore nga autorët ku Dr. Edmond Ahmeti prezonatoi risinë që sjell ky studim, i pari studim i plotë në fushën e koncesioneve dhe PPP-ve, i cili përveç trajtimit teorik ofron dhe studim të çështjeve gjyqësore, praktikave dhe legjislacionit vendas, evropian dhe ndërkombëtar në këtë fushë. Një tjetër risi e këtij studimi, u shpreh Dr. Ahmeti, konsiston në zhvillimet më të fundit të kontratave koncesionare dhe PPP në botë ku tashmë i kushtohet një vëmendje e veçantë dimensionit të PPP-ve dhe për qytetarët apo siç njihet ndryshe “People`s fist PPPs”, ku nuk ka më rëndësi vetëm “vlera për paranë”, por ajo duhet të jetë bashkëudhëtare me “vlerën për qytetarët” dhe “vlerën për të ardhmen”. Ky aktivitet u mbyll me fjalën e bashkëautores Dr. Elona Bano, e cila si pedagoge disavjeçare e të drejtës ndërkombëtare publike ka kontribuar me realizimin e analizës së legjislacionit evropian dhe ndërkombëtar dhe praktikave më të mira në fushën e koncesioneve dhe PPP-ve. Po ashtu, Dr. Bano solli në vëmendje një dimension të tretë që ky studim sjell, rezultat i një pune shkencore më shumë se tre vjeçare, dimensionin social ekonomik. Në kohën kur e gjithë bota është orientuar në nocione si zhvillimi i qëndrueshëm dhe zbatimi i objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, vihet re, u shpreh znj. Bano, se shumë shtete apelojnë pikërisht në kontrata koncesioni apo PPP për t`u ofruar sa më shumë akses në shërbime cilësore qytetarëve të tyre. Risi e këtij studimi është dhe sjellja në gjuhën shqipe për interesin e studentëve, profesionistëve apo studiuesve të tekstit të plotë të Ligjit Model për People`s First PPP miratuar së fundmi në kuadër të UNECE.