Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Anila Omari: Kontributi i Shaban Demirajt në filologjinë e teksteve shqipe

495
Sigal

Punimi i parë i rëndësishëm i prof. Shaban Demirajt në fushën e filologjisë, është ai kushtuar veprës së poetit arbëresh të shekullit XVIII, Jul Variboba

 

 

Me këtë shkrim dëshiroj të vë në dukje një aspekt jo fort të evidentuar të veprimtarisë shkencore të prof. Shaban Demirajt, atë të punës së tij mbi filologjinë e teksteve shqipe dhe historinë e shkrimit të shqipes. Kjo anë e punës së tij të gjerë e të shumanshme albanologjike u takon fillimeve të kërkimit të tij shkencor në fushë të gjuhës e të kulturës shqipe nga fundi i viteve ’40 e gjatë viteve ’50 të shek. XX, dhe ka mbetur disi në hije pas gjase për shkak të veprimtarisë së tij madhore në fushën e studimit të sistemit të gjuhës shqipe e të historisë së saj në periudhën më të frytshme të aktivitetit të tij mbresëlënës shkencor.

Por aq më e merituar rezulton puna e tij në fushë të filologjisë e të historisë së lëvrimit të shqipes, kur arritjet në këto fusha ishin ende të pakëta dhe metodat e kërkimit ende të pakonsoliduara.

Botimi filologjik i veprave të shkrimtarëve të mëdhenj të së kaluarës dhe hulumtimi i gjuhës së tyre është një fushë studimi që e ka tërhequr autorin në fillimet e kërkimeve të tij studimore dhe së cilës i është rikthyer edhe më vonë.

Punimi i parë i rëndësishëm i prof. Shaban Demirajt në fushën e filologjisë është ai kushtuar veprës së poetit arbëresh të shekullit XVIII Jul Variboba me botimin kritik të saj, i hartuar në vitet 1949-1951. Pjesa e botimit kritik për fat të keq mbeti për një kohë shumë të gjatë në dorëshkrim në arkivin e Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, dhe vetëm vitin e kaluar u botua si punim i plotë monografik nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë nën kujdesin e Bardhyl Demirajt.

Punimi i prof. Shaban Demirajt përkon me atë periudhë të hershme të veprimtarisë së Institutit të Shkencave,  kur studiuesit  e sektorëve gjuhësorë kishin marrë përsipër botimin e trashëgimisë letrare të autorëve të vjetër të shqipes, si bazë e themel i domosdoshëm për kërkime të mëtejshme në fushë të historisë së gjuhës shqipe e të gramatikës historike të saj, si dhe të historisë së gjuhës letrare shqipe. Kjo veprimtari ishte në vijim të traditës filologjike shqipe të viteve ’30 e ’40 që dha frytet e para në disa përpjekje botimi të pjesshëm të teksteve të vjetra. Fundi i viteve ’40 shënon disa arritje të rëndësishme në fushën e botimit të teksteve të vjetra nga I. Zamputi, Dh. Shuteriqi, K. Cipo e O. Myderrizi, e më pas edhe nga Çabej me botimin e “Mesharit” të Gjon Buzukut. Në dekadat pasardhëse kjo traditë filologjike do të ndërpritej për arsye të ndryshme, për t’u rimarrë vetëm mbas viteve ‘90.

Ndërmarrja e prof. Sh. Demirajt mbi tekstin arbëresh të Varibobës ishte ndër të parat në fushën e filologjisë së teksteve të vjetra shqipe dhe në veçanti të atyre arbëreshe. Kjo ishte dhe pjesë e fazës së parë të veprimtarisë së tij studimore në fushën e filologjisë dhe kritikës letrare, që u plotësua më tej me punime mbi autorë arbëreshë e shqiptarë të periudhës së Rilindjes. Sidomos teksteve arbëreshe dhe krijimtarisë folklorike të tyre autori u kushtonte rëndësi të veçantë, siç e thekson vetë, “jo vetëm për historinë e letërsisë shqipe por edhe për Albanologjinë e veçanërisht për dialektologjinë shqipe”. Zgjedhja e poemës së Varibobës si objekt studimi e botimi kritik ishte bërë për disa arsye: ajo është ndër veprat e para poetike të arbëreshëve të Italisë, paraqet gjendjen e dialekteve arbëreshe të Kalabrisë në shek. XVIII, si dhe për faktin se deri në atë kohë kishte dalë vetëm një botim tekstual i kësaj vepre shumë popullore ndër arbëreshët, ai i V. Librandit, shumë i kritikuar për shkak të të metave të rënda e deformimeve të tekstit origjinal që përmbante.

Në qoftë se do të ndalemi shkurtimisht në këtë punim, do të shohim se nga ana metodologjike ai nuk i lë gjë mangut modeleve klasike të filologjisëtekstuale.Ai përmban elementet përbërës të domosdoshëm që një botim i një vepre letrare të përfillet si botim filologjik:1. studimin hyrës që i paraprin një botimi kritik; 2. një analizë grafike dhe gjuhësore të tekstit. 3. rindërtimin tekstologjik të veprës (transkriptimin) dhe 4. shënimet kritike qëarsyetojnë punën filologjike me tekstin. Pjesa kryesore e veprëspërmban tekstin e plotë të Varibobës të transkriptuar në alfabetin e sotëm. Synimi i studiuesit ka qenërindërtimi i tekstit mundësisht sa më pranë gjuhës origjinale e vullnetit të autorit, duke e projektuar gjuhën e tekstit në fazën e arbërishtes së shekullit XVIII kur shkroi autori i poemës dhe jo sipas gjendjes gjuhësore të sotme të vendlindjes së Varibobës.

Pjesë përbërëse e studimit të autorit mbi veprën e Varibobës ështëdhe studimi i gjerë i detajuar i i tij mbi gjuhën e poetit arbëresh, me titull “Disa shënime të krahasuara mbi gjuhën e Varibobës”, botuar në tre numra të Buletinittë Institutit të shkencave, 1953. Në këtë studim bien në sy njohuritë e thelluara jo vetëm për gjuhën e Varibobës që merret në shqyrtim, por edhe për tekstet e vjetra shqipe dhe ato të periudhës së Rilindjes, me të cilat krahasohen veçoritë gjuhësore të Varibobës,si dhe metë folme të ndryshme të shqipes. Gjuha e Varibobës analizohet në mënyrë të plotë në të gjitha rrafshet e sistemit të gjuhës:në fonetikë, në sistemin morfologjik ku trajtohen të gjitha pjesët e ligjëratës, dhe në leksik. Studimi mbi gjuhën e Varibobësi Shaban Demirajt është i pari studim i plotë e serioz mbi këtë autor dhe mbetet edhe sot i pakapërcyer nga gjerësia dhe thellësia e trajtimit.

Me të njëjtin formim filologjik e gjuhësor të konsiderueshëm për atë periudhë fillimesh të albanologjisë shqiptare, autori ka ndërmarrë botime të tjera filologjike të autorëve të Rilindjes, siç janë poemat e vjershat e Naim Frashërit  “Lulet’ e verse” dhe “Bagëti e Bujqësia”, vepra e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, “Kënga e sprapsëme e Balës” e Gavril Darës etj. Për botimin kritik të poemës së famshme naimiane  “Bagëti e Bujqësia” po mjaftohemi të sjellim konsideratën e Prof. Franco Altimarit në studimin hyrës të botimit të tij kritik model të së njëjtës poemë, të vitit 1994. Me rastin e vështrimit kritik të botimeve të mëvonshme të poemës pas botimit të parë të saj, të cilat i ka marrë në shqyrtim për krahasimin e varianteve, ai vë në dukje ndërhyrjet “normalizuese”që janë bërë pas vdekjes së autorit pa një metodë filologjike korrekte. I vetmi përjashtim nga botime të tilla është ai i prof. Shaban Demirajt, i vitit 1956, i bërë me skrupulozitet dhe kujdes.

Studimi i thelluar mbi tekstin dhe gjuhën e Varibobës e shtynë studiuesin të zgjerohet edhe në tekstet e tjera arbëreshe dhe në gjuhën e tyre. Deri në atë kohë të folmet arbëreshe njiheshin kryesisht nga një punim i M. Lambertzit mbi të folmet arbëreshe në Itali (Albanische Mundarten in Italien, Indogermanisches Jahrbuch, Bd. II, 1914-1915). Disertacioni i Çabejt i mbrojtur në Vjenë në vitin 1937 nuk ishte botuar. Prof. Demiraj i studioi tekstet arbëreshe nga burimet e dorës së parë, duke i lexuar nga origjinali dhe jo nga botimet e të tjerëve, dhe mbi bazën e hulumtimeve e vjeljeve gjuhësore prej tyre, realizoi një studim të krahasuar mbi letërsinë arbëreshe, mbi aspektin grafik dhe ortografik të teksteve të tyre të parë në mënyrë përqasëse mes autorëve të ndryshëm, mbi gjuhën e teksteve arbëreshe në të gjitha rrafshet e sistemit gjuhësor, duke u përqendruar sidomos në rrafshin leksikor por edhe në fushën e morfologjisë e të ndërtimeve sintaksore. Si rezultat, nga këto studime doli një punim themelor që shërbeu si tekst për një pjesë të rëndësishme të lëndës universitare Historia e gjuhës së shkruar shqipe (botimi i parë Prishtinë 1970, botimi i dytë ASHSH, 2019), dhe që në shumë aspekte mbetet edhe sot i pakapërcyer dhe një burim konsultimi i pashmangshëm.

Një aspekt i rëndësishëm i filologjisë së teksteve është gjuha e autorëve, fushë në të cilën prof. Shaban Demiraj gjithashtu ka dhënë ndihmesa të vyera. Ndër këto studime spikat ai për gjuhën e Sami Frashërit, botuar në Buletin për Shkencat Shoqërore, nr. 3, 1955, f. 191-234 (43f.), një studim analitik e i detajuar mbi punën e jashtëzakonshme krijuese të Sami Frashërit për pasurimin e leksikut të shqipes.Për tekstet e tij shkollorenë gjuhën shqipe dhe traktatin politik “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” rilindasi i madh ka ndeshur në vështirësi për të gjetur termat e nevojshëm në gjuhën shqipe dhe i është dashur të krijojë fjalë të reja e terma shkencorë. Autori ka hulumtuar me imtësi gjuhën e teksteve shqip të Sami Frashërit, nga të cilat ka nxjerrë një fjalës shumë të pasur neologjizmash të këtij shkrimtari, qoftë si fjalë të leksikut të përgjithshëm, qoftë si terma të shkencës, sidomos terma të gjuhësisë.

Studimi i gjuhës së autorëve të Rilindjes ishte në bazë të punimit tjetër të autorit “Disa shënime rreth lëvrimit të gjuhës shqipe gjatë shekullit XIX”, botuar në dy numra të Buletinit të USHT, 1958 dhe 1959. Krahas një vështrimi panoramik mbi autorët kryesorë të shekullit XIX që shkruan gjuhën shqipe të nxitur nga ideja e ringjalljes kombëtare, punimi ndalet në punën e përkushtuar të tyre për pastrimin e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja dhe pasurimin me fjalë të reja e me terma diturorë, në ortografinë e shkrimeve të tyre të parë në mënyrë të krahasuar, në format morfologjike të gjuhës së teksteve të tyre dhe në ndërtimet sintaksore ku vihen re ndikime të sintaksës popullore. Ky studim ka shërbyer si pjesa e dytë e lëndës universitare Histori e gjuhës së shkruar shqipe. Duhet thënë se kjo është një nga lëndët e rralla, mendoj, të ligjëruara në Universitetin e Tiranës që mbështetet mbi bazën e studimeve vetjake të autorit dhe jo mbi kompilime apo përkthime nga tekste të autorëve të tjerë.

Botimi dhe njohja e veprave të tyre është nderimi më i mirë që mund t’u bëjmë studiuesve tanë të shquar e pedagogëve të paharruar siç ishte prof. Shaban Demiraj.