Libri autobiografik “DITARI I SHPIRTIT”

98
Sigal

Libri autobiografik “DITARI I SHPIRTIT”

 Këtë libër ua dedikoj:

Kujtimit të prindërve të mi të paharruar. Nënës, që më solli në jetë e nuk arrita ta njoh, se u nda nga jeta kur unë isha pa mbushur tre vjeç. Dashurinë e munguar të saj ma plotësoi babai im i shtrenjtë, një burrë i mençur e atdhetar i madh, që më rriti, më shkolloi dhe më edukoi për të ecur vetë në jetë. Ia kushtoj bashkëshortes time, Lejlas, me të cilën kaluam e përballuam bashkë një jetë të tërë, me të mira e me të këqia. Jeta jonë u lumturua me lindjen e tri vajzave, të cilat janë shpirti dhe jeta jonë. Ndihemi krenarë për to dhe bashkëshortët e tyre. Ia dedikoj gjeneratës së re të familjes: tre nipërve:  Klausit, Kristit e Noas dhe katër mbesave: Helgës, Enxhit, Amës dhe Emilisë, që të gjithë janë si yje dhe engjëj të familjes, që na lumturojnë dhe na zgjatin jetën. Kur të rriten, përmes këtyre kujtimeve, të mësojnë për jetën e gjyshit, për sakrificat e dallgët e jetës së tij. Ia kushtoj tërë gjakut tim: vëllezërve, motrave, fëmijëve të tyre, tërë rrethit familjar, farefisnor, miqësor e shoqëror.

AUTORI

Xhevat Lluri

Do të mbetet në kujtesë të pashlyeshme dhe të paharrueshme monologu i Xhevatit me Nënën:

I shpërndaj lulet nëpër varre dhe ndiej që ato janë të lagura më shumë nga lotët se sa nga vesa. Ku e ka varrin nëna? Ku ta gjej? Askush nuk e di. Ishte luftë atëhere kur ajo mbylli sytë. U varros përmes plumbave…Po ku u varros?…“E di unë varrin e saj, – më tha një grua… Do ta tregoj unë…”. M’u bë sikur nëna m’u ngjall… Aq e fuqishme është dhimbja për nënën, sa mund të besosh edhe të pabesueshmen. Por ajo ishte e besueshme…Me tufën me lule shkova te shtëpia e asaj gruaje, që dinte varrin e nënës… Do takoja nënën, do ta puthja gurin e varrit të saj, do të bisedoja e do t’i tregoja gjithçka, gjithçka… Por, oh… lulet krejt në mënyrë instiktive më ranë nga duart… dhe mbeta si i ngrirë. Te porta e shtëpisë së saj, që do të më tregonte varrin e nënës ishte arkivoli. Ajo kishte vdekur. Mbeta pa frymë, ca nga dhimbja e ca nga që nuk kisha për ta mësuar kurrë më varrin e nënës… Prapë jetim.  “E di unë, -më tha një burrë… Do të shkojmë bashkë”… Por ah, ai u verbua… Sa i pafat!  Prapë jetim. Nuk kam rreshtur e nuk rresht së pyeturi edhe sot: Këdo që gjej nga ai fshat ku është varrosur nëna? Mos e dini varrin e nënës sime?

Anila Lluri (Çiraku), vajza e autorit

Në fjalën e saj ajo theksoi: “Libri “Ditar i shpirtit” përmban një informacion të plotë siç shprehet vetë autorin me: “Kujtime të jetës time. Ç’kam dëgjuar, ç’kam parë e ç’kam përjetuar”! I parë në prizmin familjar, shoqëror dhe shtetëror Xhevat Lluri në përcaktimin e tij real është njeriu i përsosur në kohën kur jetoi. Një jetëshkrim katërcipërisht i jetuar me ngjarje, episode, gëzime dhe hidhërime, me emocione ndërtuar me një strukturë letrare dhe kronologjike reale mund të renditet në llojet letrare të romanit”.