Promovovohet libri autobiografik  “Ditari i shpirtit”  i Xhevat Lluri

439
Sigal

 

 

Ditën e mërkurë në ambientet e Hotel “Rogner”, u promovua libri monogafik “Ditari i shpirtit” i publicistit Xhevat Lluri (Pas vdekjes). Në këtë promovim mbreslënës mernin pjesë  pjesëtarë të familjes, anëtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Shqiptare, anëtarë të shoqatës “Labëria”, miq, shokë dhe bashkëpunëtorë të Xhevat Llurit.Në këtë promovim diskutuan Anila Lluri (Çiraku)- e bija, shoku Odhise Porodini, Kryetar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ, z. Kristaq Lako redaktor i librit,  Prof. As. Zaho Golemi, miku i tij Shefki Velaj, Ilir Lluri i nipi autorit. Në fjalën e hapjes Albert Zholi theksoi: “Sot jemi mbledhur të bëjmë promovimin e librit “Ditari i shpirtit” të mikut tonë Xhevat Lluri, por këtë herë  pa Xhevatin. Ai, njeriu i qeshur, i dashur, i sakrificave, i ndershëm, patriot, familjar, i papërtuar, fjalë mirë, nuk është sot mes nesh. Nuk është fizikisht, pasi ai është në çdo kohë në bisedat tona, në shkrimet tona, në promovimet tona. Ai na mungon me fjalën inkurajuese, me fjalën e ngrohtë, me shkrimet, fotot e veçanta, historitë, por sot vjen dhe më i gjallë më këtë libër autobiografik. Në jetë nuk mjafton vetëm të jesh i mirë; por duhet të kesh edhe takt. Zemra e madhe është si oqeani: nuk ngrin kurrë. Këto dy cilësi, taktin dhe zemrën e madhe, Xhevati i kishte pjesë të pandshme në jetë. Personalisht kam shumë e shumë kujtime me të që në punën time më kanë shërbyer si ditar jete. Për mua, Mirësia, emrin e ka  Xhevat Lluri”

E veçanta e librit “Ditari i shpirtit”

Anila Lluri (Çiraku)

Faleminderit miq e të afërm të babait, që keni ardhur sot në këtë ditë të veçantë për mua dhe familjen time. Pse është e veçantë kjo ditë? Është sepse përkon me ditëlindjen  e babait tim, i cili do të mbushte 82 vjeç dhe se ai kishte filluar të shkruante ditarin e jetës së tij që për shkak të Pandemisë, nuk arriti ta mbaronte. Kështu vendosa që ta botoja pikërisht në këtë ditë të shënuar dhe sot jam shumë krenare që jam vajza e tij. Ndaj, kam shumë emocione dhe  e kam për  nder që sot, në emër të familjes tonë,  të prezantoj librin autobiografik “Ditari i shpirtit” me kujtime të jetës së tij. Për ta përmbyllyr si mision, m’u desh ta vazhdoja aty ku ai e kishte lënë dhe ta mbaroja  sa më parë dhe, falënderoj zotin që ia arrita. Por me këtë rast, në promovimin e këtij libri, do të doja të falënderoja autorin që për kaq vite kishte shkruar kujtimet e jetës së bukur të tij, Babin tim. Redaktorin, zotin Kristaq Laka, si shok dhe mik i ngushtë i babait. Zonjën Elvira Çiraku për dizanjin, për të cilën kemi punuar me orë të tëra. Nipin e babait, zotin Ilir për kopertinën aq të goditur dhe  me vlerë. Shtypshkronjën “Morava” për botimin dhe së fundi familjen time për gjithë përkrahjen dhe mbështetjen  që më kanë dhënë gjatë këtyre 3 muajve për ta mbaruar në kohë  librin.

Ai nuk e shkëputi asnjëherë jetën nga krahina ku u lind dhe u rrit.

                             Parathënia

 Libri “Ditar i shpirtit” përmban një informacion të plotë siç shprehet vetë autorin me: “Kujtime të jetës time. Ç’kam dëgjuar, ç’kam parë e ç’kam përjetuar”! I parë në prizmin familjar, shoqëror dhe shtetëror, Xhevat Lluri në përcaktimin e tij real është njeriu i përsosur në kohën kur jetoi. Një jetëshkrim katërcipërisht i jetuar me ngjarje, episode, gëzime dhe hidhërime, me emocione ndërtuar me një strukturë letrare dhe kronologjike reale, mund të renditet në llojet letrare të romanit. Nuk kemi vetëm rrëfime të thjeshta dhe të shkëputura nga jeta modeste e Xhevat Llurit! Fjalët lidhen njëra me tjetrën, fjalitë lidhen njëra me tjetrën, sipas strukturës së një vepre letrare. Përdorimi i gjuhës me ngarkesë emocionale- artistike i japin një intonacion poetik asaj çka ka ndjerë dhe përjetuar autori.

Për të gjithë që e kanë lexuar këtë libër do të mbetet në kujtesë i pashlyeshëm dhe i paharrueshëm monologu me nënën. Rrallë se gjen edhe te shkrimtarë të mëdhenj botërorë, një tragjedi kaq tronditëse, shprehur me fjalë magjike me një ndjenjë të fuqishme dhe të pashterueshme, sa monologu i Xhevat Llurit!

Që nga titulli “Ditar i shpirtit” shpaloset ideja kryesore frymëzuese: Ky është libri për ata që e njohin dhe ata që nuk e njohin Xhevat Llurin. Edhe njeriu, që nuk e vendos veten si shkrimtar, kur është fjala për jetën e tij me përkushtim mund të shkruajë ditar biografik, duke e realizuar me sukses dhe me mjeshtëri letraro-artistike.

Po cili është Xhevat Lluri?

Që në fillim, në kapitullin “Jam biri i Prongjisë” autori prezanton  vendlindjen, që mbetet vendi më i bukur në botë dhe përkushtimi dhe ngritja e vlerave të këtij fshati të vogël, por historik e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës:

“Unë Xhevat Lluri, kam lindur më 15 qershor të vitit 1939, në Prongji, në fisin Lluri. Fshati Prongji, vendlindja ime, gjendet në jug të krahinës së Kardhiqit të Gjirokastrës, 7 km nga rruga kombëtare. Është i rrethuar nga tre anë me përrenj shekullorë në formën e një gjiu nga ku mendohet se ka marrë edhe emrin. Prongjia të shpaloset para syve, si një horizont i madh me një peizazh piktoresk, rrethuar nga male të lartë me pyje të dendur, me kodra e bregore, lëndina e livadhe, që zbukurohen nga lule shumëngjyrëshe, me burime ujore e përrenj shekullorë, ujrat e të cilëve derdhen në lumin e kristaltë të Kardhiqit dhe bashkohen me lumin e Drinos tek Ura e Kardhiqit.”

Xhevat Lluri i takon atij brezi që kaloi provën e jetës në dy sisteme: sistemi monist dhe sistemi demokratik. Xhevat Lluri synon që të na japë sa më të gjallë jetën e tij të realizuar në këto sisteme me kapituj, ku secili është pjesë e jetës dhe e formimit të tij atdhetar, moral, shoqëror, edukativ, shpirtëror. E organizon jetëshkrimin e tij jo me data, por të ndarë sipas aspekteve të ndryshme të jetës, ku shpaloset personaliteti krahinor, Xhevat Lluri. Ai nuk e shkëputi asnjëherë jetën nga krahina ku u lind dhe u rrit. Në çdo kapitull ne mësojmë nga Xhevati diçka të re, si:- Pasuria më e madhe është njohja me rrënjët e familjes, e cila të krijon në vitet në vijim ndjenjën e unitetit e mirëkuptimit, ndershmërisë e sinqeritetit, dashurisë e besimit reciprok pa asnjë interes. Virtyte që e bënë Xhevatin pjestar të familjes gjenealogjike LLURI dhe më gjerë të familjes së madhe PRONGJI. Me inisiativën, dhe me kontributin e Xhevat Llurit dhe të bashkëfshatarëve përjetësuan në bust prej bronxi (2019) patriotin dhe atdhetarin e madh prongjotas, Barjam Ligu (Prongjia) i njohur në histori si atentatori i vrasjes së bimbashit turk, në mars 1908 së bashku me Hito Labin (Lekdushin).

Xhevati nuk e kuptonte vlerën e njeriut pa arsimimin dhe punën në jetën e përditshme.

Mbaroi shkollën e mesme bujqësore në Fier. Mbas shërbimit të detyruar ushtarak fillon punë në repartin ku kreu shërbimin. Kryen një kurs kualifikimi njëvjeçar pranë shkollës së M.P.Brendshme në Tiranë. Xhevati i apasionuar pas studimeve, duke parë arsimimin, sikurse thoshte Sami Frashëri, si “mendjen e një kombi”, përfundoi me rezultate të mira Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror në Tiranë në vitin 1976, dhe është titulluar “Jurist”.

Në kapitullin: “Sa herë më del në ëndërr, kujtoj amanetet e tua, baba…” ndiejmë ndikimin e fuqishëm që ka lënë në formimin e karakterit të Xhevatit, i cili shprehet: “ Gjatë gjithë jetës babai ka shpalosur ndjenja të larta atdhetare, ka qenë gjithmonë i ekuilibruar dhe ka përkrahur e mbështetur mendimet përparimtare… Falë këshillave e mësimeve të vlefshme dhe përkujdesjes së veçantë që tregoi për mua, për të vazhduar shkollën, më krijove mundësinë për të ecur ballëlart në jetë, të formoja personalitetin tim e të gëzoj jetën me familjen time. Nuk ka dalë kot sentenca, se kur vdes një plak, është njëlloj sikur digjet një bibliotekë.”

Në trevën e Labërisë ka një fjalë të urtë proverbiale: “çdo mundim, kërkon vlerësim”, Gjatë karrierës ushtarake puna me përkushtim dhe eksperienca në kryerjen e detyrave gjatë viteve të karrierës ushtarake është vlerësuar me tri dekorata nga Presidiumi i Kuvendit Popullor: – Medalja për “Ruajtjen e Rendit Shoqëror”, (1976); Urdhri “Për Ruajtjen e Rendit Shoqëror, (1981); Urdhri i “Shërbimit Ushtarak të Klasit I”, (1989).

Demokracia nuk e largoi nga aktiviteti shoqëror. Punoi si fotograf dhe deri në fund të jetës së tij u aktivizua në organizatat e veteranëve. Është vlerësuar me titujt: “Nderi Organizatës Veteranëve“, dhe “Nderi i organizatës për dëshmorët e LANÇ dhe dëshmorët e tjerë të Atdheut” dhënë nga Kryesia e Komitetit Kombëtar të veteranëve të LANÇ, “Anëtar Nderi” i Organizatës së Veteranëve dhënë nga Kryesia e Komitetit të Veteranëve të Tiranës, Dëshmi nga shoqata atdhetare për dëshmorët e atdheut për botimin e librit historik “Prongjia dhe njërëzit e saj”.

Për të shkruar këtë roman autobiografik nëpërmjet kujtimeve dhe përjetimeve ndër vite Xhevat Lluri ka arritur të ripërtërijë fenomenin jetësor të shoqërisë  njerëzore bashkëjetuar nga brezni të ndryshme, që ia lënë vendin njëri-tjetrit duke krijuar vazhdimësi të përjetshme të pemës gjenealogjike. Libri është njëkohësisht dhe një udhëzues që lumin e kujtimeve, mund ta shkruajë secili prej nesh.

Me shpresë se do të gjeni veten tuaj në këtë libër ju uroj lexim të këndshëm dhe frymëzim në përpjekjen modeste për të hedhur mbresa dhe kujtime në ditarin tuaj!

Odhise Porodini, Kryetar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ

Në fjalën e tij, ai theksoi rolin e z. Lluri në Organizatën e Veteranëve të LANÇ. Sipas tij, “Lluri për këtë organizatë mbetet një ndër figurat më të spikatura dhe më të nderuara. Ai ishte i thjeshtë, korrekt, i respektuar dhe i papërtuar, vizionar. Në çdo aktivitet tonin ai do të ishte gazetari dhe fotografi. Në arkivin e tij ndodheshin qindra foto të aktiviteteve tona. Asnjëherë nuk kursehej të vinte punën e tij në shërbim të Organizatës sonë.

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Njerëzit në organizime të ndryshme mblidhen me por dhe pa prezencën fizike, dhe në këto raste nderimi dhe homazhi për burra të urtë e të mençur të Prongjisë, sikurse ishte Xhevat Lluri por edhe me vlera patriotike,vijnë kaq të natyrshme. Edhe kur shuhet e shkon në parajsë ai që kujtohet nuk harrohet kurrë. Me “Ditarin e shpirtit”, këtë libër të shkruar e qëmtuar për katër vjet rresht ai është gjithmonë me ne, me të dashurit, i qetë, i thjeshtë, i shoqërueshëm, miqësor, këmbëngulës, i durueshëm, shpirtbardhë, me vlera humanizmi. Xhevat Lluri do të jetojë gjithmonë në kujtesë të mirësisë që la pas.

Sh. Shefki Velaj, anëtar Shoqatës së Veteranëve të LANÇ

Mbreslënëse ishin edhe fjalët e mikut të tij, bashkjetues për 43 vjet në të njëjtën lagje. Z. Shefki Velaj vuri në dukje punën e madhe të Xhevatit si kryetar i Shoqatës “Labëria”, dega e lagjes nr. 3 Tiranë. Ai theksin e vuri te puna përkushtuese, te sinqeriteti në jetë, tek fjalët e pakta dhe korrektësia në përditshmëri. Xhevati ishte njeri me kulturë, libërdashës, patriot dhe i ndodhur kudo për të dhënë ndihmë modeste. Ai kurrë nuk e bënte fjalën dysh dhe s’e hiqte kurrë penën nga dora. Virtytet e tij si intelektual, familjar dhe si shok sot, tek njerëzit, janë të rralla, përfundoi ai.

Ilir Lluri, nipi i autorit

Gjatë diskutimit të tij përshëndetës  Ilir Lluri nxori në pah vlerat e xhaxhait të tij si  intelektual, prind aktivist dhe publicist. Ai ishte ideues i kopertinës së librit të cilën e ideoi sipas shijeve që kishin lënë mbresa në bisedat me të. Gjirokastra ishte Tempull madhështie për Xhevatin. Madhështinë dhe krenarinë e qytetit ai e kishte kryefjalë në çdo bisedë. Ai vlerësoi autorin për njohuritë, lidhjen e ngushtë me vendlindjen, Gjirokastrën dhe të afërmit në atë zonë. “Ai iku kur kishte ende shumë për të shkruar dhe për të thënë. Me fjalën e tij të bukur ai na afronte, na jepte krahë dhe na orientonte. Me fjalën e bukur dhe buzëqeshjen e rrallë ai na sillte harmoni në fis. Fjala e tij e mirë, dijet e tij, kanë bërë që ne gjithmonë të ishim të bashkuar dhe të respektonim njeri-tjetrin. Ka një kontribut të rrallë në fis por edhe në zonën nga kemi origjinën.Njerëz si xhaxhai im, janë të rrallë, pasi janë të sinqertë, të dashur, dhe mbjellin farën e mirësisë”, theksoi Iliri.