Suplementi Pena Shqiptare/ Kozma Gjini: Zbulohet letra e Xhuvanit drejtuar mësuesit Aleks Dani

140
Sigal

(Figura e mësuesit Aleks Dani, në vështrimin e prof. Koli Xoxit)

“…Është detyrë e vështirë për të bërë jetëshkrimin e një mësuesi”,-ka shkruar Viktor Gygo. Për të gjithë ne, kjo thënie është e lexueshme, sepse figura e mësuesit është  e një rëndësie të veçantë në historinë e bërjes së një kombi. Mësuesit, të cilët gjithë jetën e tyre iu përkushtuan me zell të pashoq mësimit të shqipes dhe edukimit të brezave, mund të quhen me plot gojën martirë të pavlerësuar të kombit. Një ndër këto figura është ajo e mësuesit myzeqar, Aleks Dani, i cili e shkriu jetën për shpërndarjen e dritës së diturisë, duke u bërë kështu një emblemë sa morale dhe fisnike atdhetare. Mësuesin Aleks Dani e kam njohur personalisht dhe kemi shkëmbyer biseda e përvojë pedagogjike. Lindur e rritur në fshatin Bishqethëm të Lushnjës, ai ka lënë një ndihmesë të vyer në fushën e arsimit dhe të leksikologjisë.

Një shtet pa mësues, do të thotë pa shkollë, dhe pa këtë, dritën e sfidon errësira, injoranca. Shqipëria në historinë e saj të dhimbshme ka pasur nevojë për mësues në çdo kohë dhe ata i janë gjendur me të gjitha forcat mëmës Shqipëri. Të formosh njeriun, është puna më e vështirë, sepse është një vlerë, që i shërben dhe garanton të ardhmen e kombit. Me sakrifica të mëdha e përmes një pune shumëvjeçare, mësues Aleks Dani e radhiti veten në plejadën e njerëzve që bënë historinë e arsimit të Myzeqesë e më gjerë. Nga ky këndvështrim ai mbeti deri në frymëmarrjen e fundit, një patriot dhe edukator kombëtar i pafjalë.

Vendin tënd nuk mund ta duash e respektosh pa pasur një edukatë, të cilën e merr fillimisht nga familja e më pas nga mësuesi në bankat e shkollës.

Mësuesi Aleks Dani ishte së pari një prind i mirë, një edukator i mirëfilltë i dhënë pas profesionit të tij. Kjo e përligj më së miri thënien e Hygoit se, çdo zanat është i mirë, pasi shpejton zhvillimin shoqëror, por ai i mësuesit, mbetet më i veçanti. Nga duart e mësuesve përgatitet “brumi” i njerëzve të një shoqërie.

Aleksi e donte atdheun e tij në mënyrë praktike, konkrete, të prekshme. Dashuria për atdheun është dhuratë prej perëndie, por edhe vepër e përbashkët e shoqërisë dhe njerëzve të aftë, të cilët e kanë mbështetur në ngritjen e personalitetit dhe realizimin e qëllimeve fisnike në jetë. Aleks Dani i pati të dy këta krahë dhe i vuri në shërbim të shoqërisë. Brezat nuk e njohin sa duhet kontributin e tij në fushën e arsimit. Dua të nënvizoj se mësuesi Aleks Dani, u lind dhe u rrit në një mjedis fisnor arsimdashës, filtrues të idealeve të rilindësve dhe punëtorë kokulur në truallin e tyre. I ndodhur në rrethinat e kishës së fshatit Bishqethëm, ai do të ndiente peshën e dhimbjes së largimit të njerëzve nga kjo botë dhe mësimi i greqishtes që jepej në shkollë, do t’i shërbente si tromplinë, për t’iu ngjitur i dëshiruar me gjithë shpirt gjuhës së nënës, shqipes së bukur. Ai u brumos që në fëmijëri me ndjenjën e atdhedashurisë dhe kjo do të reflektohej në mënyrë të dallueshme në përkushtimin e tij për mësimin dhe edukimin e fëmijëve kudo që e caktuan, deri edhe në fshatrat kufitare të vendit.

Fillimet e mësimit shqip në fshatin e tij të lindjes do ta inkurajonin Aleksin për të studiuar kulturën e traditat e trashëguara të trevës së kombit, të cilat ai më pas do t’i pasuronte me modestinë e dokumentuar të tij. Gjithandej ka lënë gjurmë, si një njeri, ku shumëkush mund ta merrte si shëmbëlltyrë të një edukate me prirje përparimtare. Ishte i respektuar në fshat, si nga nxënësit dhe prindërit e tyre, ashtu edhe nga pushtetarët.Në dorëshkrimet e fletoreve të tij gjejmë edhe poezi që flasin për bindjet dhe formimin e botëkuptimit të Aleksit:

Lule e bukur, porsi dielli:/

Kush të mbolli ty këtu?/

Më ka mbjellë imzot nga qielli/

Për të ndritur mendt e tu…/

Shtylla e formimit të personalitetit të tij ka qënë edukata mëmëdhetare. Kjo e bëri atë një njeri të dashur, të respektuar dhe të kërkuar nga populli, për të mësuar dhe edukuar fëmijët. Karakteristikë dalluese e personalitetit të tij ishte se, ai mbeti shëmbull i një edukate të kujdesshme njerëzore, që do të thotë se, në marrëdhënie me të tjerët, askush nuk ka privilegjin e lëndimit të shprtit të askujt. Aleks Dani ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së tij, përfaqësuesi i qytetërimit shqiptar. Sipas tij atdheu duhej medoemos të shkëputej nga errësira që mund të radhitej përkrah qytetërimit evropian perëndimor. Në memorien e tij ishin ngulitur pikëpamjet e rilindësve, se pa mësuar kulturën dhe gjuhën, nuk mund të ndriçohej rruga e ardhmërisë së kombit.

Ishte kjo arsyeja, që Aleks Dani do të ngjitej me guxim dhe i sigurt në shkallët e arsimimit dhe duke studiuar deri vonë, nën dritën e qiririt dhe të kandilit, do të sfidonte vështirësitë.

Mbarimi i shkollës së shkollave të asaj kohe, Normales së Elbasanit, e kishte armatosur atë me metodologjinë e shkencës gjuhësore dhe vullnetin e paepur, që përgjatë jetës do ta orientonte dhe do ta bënte një mësues të shquar. Si vazhdues i rrugës dhe mësimeve të prof. Aleksandër Xhuvanit, nxënës i të cilit ishte në Normale, ai e përmbushi me sukses të plotë detyrën e tij si mësues dhe edukator. Ai e bëri pjesë organike të qënies së vet filozofinë e dijeve që jepeshin  në shkollë dhe u bë vijues besnik i ideve që rrezatonin pedagogët e Normales.

Miqësia që ai lidhi me prof. Aleksandër Xhuvanin dhe imitimi i zellit të tij në punë, ndikuan dukshëm në formimin e ardhshëm si mësues të Aleks Danit. Në këtë kuptim, Aleks Dani personifikon shëmbëlltyrën e nxënësit më të bindur, të vetëdijshëm e punëtor të Aleksandër Xhuvanit, miqësinë me të cilin e ruajti deri në fund të jetës së profesorit. Faktet dhe dokumentet që sjell autori, dëshmojnë në mënyrë të pakundërshtueshme  sinqeritetin e shkuarjes dhe marrëdhënieve të ngushta të Aleksit  me personalitetet e kohës në takimet ballore dhe, më pas, me korrespondencat e herëpashershme.

Duke qëndruar pranë patriotit Naun Prifti, mësuesi Aleks Dani mësoi shumë prej tij dhe u mbrujt me ndjenjën e flaktë të patriotizmit, të cilin do ta reflektonte në shumë raste, kur ngarkohej për kryerjen e detyrave shoqërore në fshat. Kurse më vonë, kur të dy ata do të bëheshin baxhanakë, miqësia u forcua edhe më tepër.

Kujtimet e Aleksit për Naun Priftin (Doko), në librin “Revolucioni i Qershorit”….,  hedhin dritë për kontributin myzeqar në luftën për çlirimin  kombëtar e shoqëror. Aleks Dani, që nga shtrati i favorshëm familjar, (ku pa droje mund të thuhet se nisën shkëndijat e para të tij në rrugën e shkollimit), e deri në Plotoren e Lushnjës, e më pas në Normalen e Elbasanit dhe në detyrat e ndryshme ku punoi, gjeti shokë e miq, të cilët e nxitën në punën e tij. Aleksi ishte njeriu i duhur që i vlente shoqërisë. Nuk ishte rastësi dhe njohja e Aleksit me Hilë Mosin, ministrin e Arsimit, njërin nga drejtuesit e arsimit kombëtar të atyre viteve. Kontaktet dhe porositë që ai merrte nga ministri i shërbyen për të punuar me një ndërgjegje të lartë në detyrën si mësues i kudondodhur e gojëmbël, në të gjitha funksionet ekzekutive, që do t’i besoheshin, në drejtimin e shkollës dhe të arsimit, si në rrethin e Fierit dhe të Lushnjës.

Jeta e Aleks Danit ishte dëshmia e gjallë e njeriut me edukatë të shëndetshme, që gëzonte një popullaritet e simpati të veçantë te nxënësit, prindërit e tyre, te kolegët dhe shoqëria. Ai nuk u bë kurrë shkaktar i përplasjeve të kota në kolektivat mësimore, as kur ishte mësues, as si drejtues, përkundrazi, i menaxhoi në mënyrë të shkëlqyer problematikat e punëve, duke shfaqur kështu cilësitë e rralla komunikuese pedagogjike. Në qendër të personalitetit të tij del bindshëm një fakt: Aleks Dani, ky mësues i thjeshtë, kishte shkuarje tepër njerëzore, me takt, kudo që ndodhej në shoqëri. Të gjitha këto aftësi, s’kishte si të mos pasoheshin me rezultate të larta e inkurajuese në procesin e përvetësimit të programeve mësimore, në përvetësimin e dijeve shkencore dhe edukatën e kulturën që ishin pjesë e veprimtarisë së elitës së mësuesve të paktë cilësorë. Mësuesi ynë luftonte për arsimin laik. Jeta e Aleks Danit iu përkushtua arsimit dhe kulturës. Atij i vlonte në dej etja për mësimin e shqipes për të gjitha moshat dhe ndihej ngushtë për numrin e madh të analfabetëve, që kishte brezi i tij, (ndonëse me kurset kundër analfabetizmit u bë aq sa ishte e mundur).

Çdo detyrë që iu ngarkua, Aleks Dani e justifikoi me besim të plotë e punë të ndershme.

Me shëmbullin e tij në çdo front, ai u tregoi brezave të mësuesve se vetëm me përkushtim e sakrifica do të bëhej e njihej kombi ynë. Në çdo veprimtari pedagogjike që organizohej ai shkonte i përgatitur, ndiqte me vëmendje diskutantët, mbante shënime dhe jepte orientime për ndjekjen rigoroze të problemeve duke i parë dhe prekur ndryshimet e pritshme. Kudo që ndodhej, ai e mbronte punën e mësuesit e vlerësonte dhe e quante atë si të shenjtë. Në Bularat ka punuar në vitet 1928-29, është njohur  edhe me mësuesin patriot Jani Minga, inspektor në seksionin e Arsimit Gjirokastër, i cili do ta vlerësonte Aleksin si mësuesin metodist më të mirë. Më 31 gusht 1929 popullsia e fshatit Imshtë i drejtohej me një korrespondencë Ministrisë së Arsimit : “ Ajo ministri të na emërojë si mësues Aleks Danin, nga katundi Bishqethëm, për të cilin dëshirojmë me të madhe, meqënëse ka sjellje të mirë.” Prof K.Xoxi.Rev.Pedagogjike1/1980.Më 1930-31 vjen mësues në Fier, kurse në tetor 1932 në Lushnjë, ku mori në ngarkim klasën e tretë të shkollës mashkullore. Më 1949, me suprimimin e qarqeve, Aleks Danin ministria e Arsimit e caktoi shef të arsimit të Fierit.

Me njohjen time personale me Aleksin, kam krijuar bindjen se ai kishte disa parime bazë që e udhëhiqnin në jetë. Në detyrën e shefit të arsimit të rrethit të Fierit Aleksi motivohej nga një prirje e re dhe për kreun e drejtimit të shkollave merrte mendimin e masës dhe opinionet e prindërve e më pas emëronte kuadrot më të aftë dhe figurë sociale të pakontestuar. Vinte në krye njerëz, që kishin treguar prova në punë e në marrëdhëniet mes komunitetit që ishin transparent dhe të besueshëm, të përkushtuar në çdo aspekt dhe me vlera morale njohëse. Aleks Dani udhëhiqej nga filozofia progresiste e Hipokratit, i cili e kishte shpallur me zë të lartë në Greqinë e lashtë: “…Mësuesi edukator do ta transformojë botën”. Me përvojën e vyer jetësore që zotëronte, ai përpiqej të ndikonte në forma të ndryshme edhe te mësuesit e tjerë, me qëllim që të lartësohej shkalla sasiore e cilësore e njohurive profesionale të tyre. Kurrë ndonjëherë ai nuk e ndau disiplinën e formimit të punës shkencore nga disiplina, që duhej të mbizotëronte brenda mjediseve të shkollës. Ishte kjo arsyeja që z. Aleks Dani, si nga zëri dhe hapat që hidhte korridoreve të shkollave, ishte tepër i kujdesshëm që të mos tërhiqte vëmendjen e nxënësve, që bënin mësim  brenda në klasë.

Aleks Dani ishte i pranishëm në çdo rreth mësuesish të zonës, njohës i thellë i problemeve dhe katalizator veprues direkt në zgjidhjen e problemeve, të cilat edhe në atë kohë nuk i mungonin shkollës sonë.

Veprimtaria e tij ishte frytdhënëse, sepse mbështetej në vjeljen e mendimeve dhe konsultat me zemër të hapur, të sinqertë e pa djallëzi të kolegëve, që përbënin trupin e shëndoshë mësimor. Z. Aleks ishte një njeri fisnik, jo vetëm në shkollë, por edhe në familje. Kjo aspiratë duket sheshit në edukatën e pasardhësve të tij, intelektualë, të cilët janë njerëz që jetojnë, me djersën e tyre, që rrezatojnë kulturë dhe me kontribute në shoqëri. Kudo që punoi Aleks Dani linte gjurmët e një drejtuesi fisnik që gjeneronte kulturë dhe edukatë qytetare.

Ish-ministri i arsimit, Thoma Deliana për Aleks Danin është shprehur: “Aleks Dani është një ndër arsimtarët e paktë të Lushnjës dhe të Shqipërisë, që e çuan dritën e diturisë në majat më të larta të maleve tona, nga veriu, në jug dhe arritën ta ngrenë arsimin tonë në një nivel të lartë e ta shpien më tej. 24/04/2004.

Aleksi ka qënë edhe një hulumtues i palodhur i leksikologjisë. Gjatë shumë viteve, krahas punës së mësuesit,  vlerësonte tepër edhe punën shoqërore të papaguar, për mbledhjen e fjalëve të rralla e të folkloristikës, në shërbim të pasurimit dhe të pastrimit të gjuhës sonë. Grumbullimet e tij, të botuara më parë ose jo, sa më shumë që të kalojnë vitet, aq më tepër vlera marrin. Ato kanë vlera njohëse, përdoruese, edukaive dhe historike. Sidomos këngët e mbledhura, proverbat dhe shprehjet frazeologjike të qëmtuara me kujdesin  e “ bahçevanit”, fjalët e rralla që i ka botuar Aleksandër Xhuvani me citimin dhe autorësinë në kllapa (mbledhur  nga Aleks Dani, Myzeqe), flasin për figurën e kompletuar të mësuesit të shekullit të XX, që në të njëjtën kohë janë edhe tipare të arsimit tonë kombëtar. Vetëm po të shikosh me pak vëmendje radhën alfabetike të vendosjes së proverbave apo shprehjeve frazeologjike, nxjerr përfundimin se këtu kemi të bëjmë me një mësues kërkues dhe njohës të metodave kërkimore-gjuhësore. “Mbledhjen  e fjalëve të rralla e kam patur amanet nga prof. A.Xhuvani. Edhe sikur të isha duke ngrënë bukë, do ta lija në mes, kur më vinte ndërmend të shkruaja ndonjë fjalë të rrallë”. Aleks Dani bashkë me Hysen Dërvishin dhe Mehmet Ginën, janë tre mësuesit e Lushnjës që morën pjesë në Kongresin  e parë Antifashistë të Shqipërisë në Korçë më 25-27 /11/ 1944

Por qershia mbi tortë e korrespondencave dhe besimit reciprok mes pedagogurt dhe nxënësit të zellshëm të tij, Aleks Danit, mbetet një letër të cilën prof. Aleksandër Xhuvani ia dërgonte Aleks Danit, në kuadrin e mbledhjeve folklorike që do të shërbenin për botimin e Fjalorit të Gjuhës Shqipe. Po e botojmë për herë të parë këtë korrespondencë mes dy autoriteteve gjuhësore:

 

“Tiranë, 25/11/1948

I dashuni  Aleks! Po të shtie këtu mbrenda nja gjashtë faqe udhëzime për mbledhjen e Folklorës. Për fjalët që ke mbledhë, simbas nji norme që kemi për të tilla punë, do të marrish 1300 e ca lekë, mbasi t’u hiqet taksa, etj. Për këtë, do të bëjsh nji faturë simbas modelit që ke këtu në faqen tjetër dhe këto t’ja dërgojsh faturën Seksionit të Llogarisë, se unë do të dal jashtë mbas disa ditësh e nuk më gjen këtu letra.

Udhëzimet e Folklorës punoji ti dhe me anë të ndonjë mësues të zot, se asht ma mirë. Të fala A. Xhuvani.”

 

Mësuesi Aleks Dani mban distinktivin “Mësues i dalluar” dhe i dekoruar nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë me “Urdhër i Lirisë kl. 2”. Është “Qytetar nderi i Lushnjës”. U nda nga jeta në vitin 1991.

Të mos harrojmë se figura të tilla si Aleks Dani etj, meritojnë studime specifike sipas kontributit gjuhësor të mbledhur, pasi janë zëdhënës të arsimit e të kulturës sonë. Të mos harrojmë gjithashtu se arsimi dhe kultura janë pararoja e përgatitjes së brezave, janë pasaporta e qytetërimit të një kombi..

Tiranë, më 01.01.2008

Prof. Koli Xoxi

 

 

Aleks Dani

Fëmijët e Aleks Danit

Prof.Aleksandër Xhuvani

Prof. Koli Xoxi

Ulur: A.Dani, E.Libohova, I.Puka, M.Kushi

 

 

 

Mësuesit: A.Billo, H.Sefa, H.Dervishi, R.Ballhysa, I.Mebelli, J.Nushi, A.Dani, K.Allkanjari, R.Ranxhi

 

Letra e Profesor  Xhuvanit drejtuar mësuesit A. Dani