Kosta Nake: Romani “Rusja e bukur Natalja” e Ylli Polovinës

53
Sigal

 

 

UDHË TË NDËRPRERA NGA POLITIKA

 

 

Ky roman nuk është si “Dimri i vetmisë së madhe” të Kadaresë që e ka vështruar plasaritjen e kampit socialist në nivelet e larta partiake, nuk është si “Ngjizja e papërlyeme” e Agron Tufës dhe “Libër i hapur, ruset në Shqipëri” e Vera Isakut që dramat familjare të ndarjes i kanë kqyruar kryesisht në tokën shqiptare. “Rusja e bukur Natalja” fillon dhe mbaron në Bashkimin Sovjetik duke u fokusuar te djemtë shqiptarë që ishin studentë në një nga shkollat e aviacionit afër Moskës, u lidhën të gjithë me vajza ruse dhe acarimi i marrëdhënieve mes dy partive motra, i ndërpreu këto lidhje sikur të ishin tela të panevojshëm të një linje telefonike të dalë jashtë funksionit. Vepra ka aq detaje nga jeta studentore dhe moskovite, sa mendimi i parë është se autori mund t’i ketë përjetuar ato, pastaj, kur biografia e tij nuk përputhet me përmbajtjen e romanit, mund të mendosh se materiali është vjelë nga një burim i sigurt dhe njëri nga karakteret e veprës mund të jetë  nga rrethi i afërt familjar. Ylli Polovina ka ndërmarrë një udhëtim të largët në vite dhe ka guxuar të sjellë jo fatin e një individi, po të përballet me një grup studentësh dhe çiftet e të dashuruarve ose flirtuesve: Kastriot Leka, Natalja dhe prindërit e saj Sergej dhe Nina, Palush Bardhoshi dhe Irini, Janaq Papa dhe Larisa Mjevedovna, Bujar Andoni dhe Svjetllana, Rexhep Mema dhe Tamara. Nga ana tjetër janë dy shefat Smirnov dhe Lisenko, dashnori rival i Kastriotit, Aleksej Leonidoviçi dhe Leleçka Besonovna, gjeorgjiani Ekvtime, piloti Fjodor, tekniku i avionëve Mamai, kubani Kutinjo, kinezi Hu Shi, pastruesja Maria, mjeku Zaposhnikov, huligani Boris, etj. Autori është ndalur në një hapësirë të ngushtë kohore prej pak muajsh, pikërisht nga ftohja e parë para mbledhjes së 81 partive deri në dëbimin e studentëve, duke pasqyruar atë kalim të vështirë nga stalinizmi në hrushovizëm, kur nga njëra anë thyhet busti i Stalinit, nga ana tjetër qëllohet fotografia e Hrushovit me pushkë sportive. Mëria ruse derdhet edhe mbi studentët shqiptarë të cilëve u jepej çaj, djathë i prishur dhe peshk i qelbur, kurse aleatëve çokollata, vazhdon me karantinimin për një gjendje gripale të sajuar, rëndohet me mbylljen e institutit për “meretime” të brendshme, shoqërohet me provokacione, me ndërprerjen e bisedave telefonike me persona jashtë shkollës, deri te orvatje për eliminimin fizik. Autoritetet ruse tentuan të përdornin kursantët shqiptarë të shkollës si gozhdë për të varur xhaketën e kërcënimeve dhe përgatitja ushtarake u zëvendësua me tymnajën politike. Paralelisht me kërbaçin ofrohet dhe kulaçi, joshja për të qëndruar në Bashkimin Sovjetik, me kushtin që duhej pranuar rruga e re e Hrushovit dhe mohimi i figurës së Stalinit, u aplikua “krehja e bishtit” me vendosjen në tabelën e nderit apo ofrimin e dekoratave, joshja në kurthe seksuale, etj. Ia arrijnë ta rekrutojnë Palush Bardhoshin, ia dalin ta shkëputin përkohëshisht Janaq Papën, por përpjekjet e mundimshme të këtij për t’u rifutur brenda rrethimit të shkollës ushtarake kthehen në një linjë të mirëfilltë romaneske. Edhe pse romani është shkruar gjatë viteve ’90, kur kishte ndryshuar sistemi politike, vitet ’60 kanë ushtruar trysninë e vet që në përballjen midis Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, autori ka zgjedhur pa mëdyshje pozicionimin atdhetar, njëkohësisht u ka qëndruar besnik mendësive të kohës për Stalinin dhe Enver Hoxhën. Kjo vjen përmes kompozimit të figurës së Kastriot Lekës, kursantit më të përgatitur si aviator, të cilit i bëhet ftesa për ta kaluar me komunizmin e ri, me socializmin me fytyrë njeriu dhe ai përgjigjet: “I udhëhequr keq apo mirë, unë Shqipërinë e kam atdheun tim.” (f.66) Më tej ai e kupton atë që po ndodh në Bashkimin Sovjetik: “Janë po ato duar, është po ajo kokë, po ai shpirt i zi. Ata thjesht kuptuan se duhet ndërruar kostumi.” (f.67) . Zhdukja e dy shokëve të Kastriotit për disa ditë e bën atë të përballet me marshallin Arhopov dhe të ringjallet komunisti nostalgjik pas Stalinit, i cili kishte fjetur mes pasioneve dhe një shtysë e fortë nga jashtë e bëri të ringjallet. Si element shtesë në këtë rreshtim politik dhe ideologjik vlen edhe qëndrimi i babait të Nataljas, i cili e kupton si po rrjedhin ngjarjet dhe nuk e pengon bijën e tij të vetme të shkojë në Shqipëri pas Kastriotit, i vetëdijshëm se mund ta humbasë përgjithmonë: “Le të jetojë Natasha në një vend ku nderohet Stalini dhe luftohet për revolucionin.” (f.275) Skena e fundit, që tregon kthesën e madhe, është sheshi qëndror i Moskës ku në rreshtin e portreteve të sekretarëve të parë  të partive të kampit socialist është hequr portreri i Enver Hoxhës dhe është vendosur portreti i Titos. Ku raport i ri i papajtueshëm mes dy partive zbret edhe në rrafshin vetjak, Natalja që kishte dalë në stacionin e trenit, pengohet për t’u bashkuar me Kastriotin gjatë largimit për në Shqipëri, digjet një dashuri që sapo kishte lulëzuar.