Ismail Xhaferi: Dua të qaj……

88
Sigal

 

Dua të qaj, se kam dhimbje!

Të nxjerr nga shpirti ca pika lot,

të qaj për borën e prillit që shkriu,

dhe unë se shikoj dot.

Dua të qaj për lulet e vendlindjes,

për lulet në oborret si dritë,

që u thanë ende pa çelur,

se s’ka një dorë njeriu t’i ujitë.

Dua të qaj për një grua fisnike,

të lodhur nga jeta, të vrarë…

E shkreta sa herë merr pensionin blen lule,

t’ia vendos të shoqit në varr.

Dua të qaj për ata që ikën prej nesh,

dhe vazhdojnë të ikin akoma,

që jetën ua rrëmbeu papritur,

një virus me emrin Corona.

Dua të qaj për atë fëmijën e vogël,

që në prag të portës rri e prêt.

E ka marrë malli për babanë,

babanë e burgosur se vodhi korent.

Dua të qaj për gjithë ata njerëz,

që prej vitesh kanë vdekur së gjalli.

Dua të qaj për degët e qershive,

që unë i shikoj nga një dritare spitali.

Dua të qaj për për lotët tuaj,

o fatkeqer që s’keni bërë asnjë faj.

Përderisa nuk ua ndaloj dot lotët,

së paku me ju të qaj…