“Zgjodha Leccen sepse një ekip tjetër më kërkoi të prisja”, Ramadani: Unë garantoj ekuilibër në fushë, jemi të motivuar

38
Sigal

Ylber Ramadani po bën paraqitje të mira me Leccen. Mesfushori shqiptar po kontribuon për skuadrën e Serie A, në arritjen e rezultateve të rëndësishme në këtë fillim edicioni. Ramadani, doli në konferencë për shtyp, para sfidës së mesjavës ndaj Sassuolos.

“Ndaj Napolit humbëm, edhe pse në fushë u futëm për një rezultat pozitiv. Në fillim gara ishte e ekuilibruar dhe patëm dy mundësi të mira, nëse do të kalonim në avantazh atëherë ndeshja do të kishte marrë një tjetër rrjedhë. Por, në fund rezultati ishte i drejtë dhe duhet të punojmë më shumë për t’u rikthyer te rezultati pozitiv ndaj Sassuolos.

Ata janë një skuadër e fortë dhe që ka fituar me Juventusin e Interin, por ne do të mundohemi të marrim maksimumin. Luajmë në shtëpi para tifozëve tanë dhe kjo na motivon më tepër. Jam stërvitur mirë, detyra ime është të garantoj ekulibër në fushë.

A jam i lodhur pas ndeshjeve me Napolin dhe Juven? Jemi profesionistë dhe duhet të rikuperohemi shpejt, kalendari ka 38 ndeshje. këtu në Itali futbolli është më fizik se në Skoci, atje sulmohej më shumë, por për mua nuk ka problem pasi jam stërvitur me trajnerë italian.

Lojtari që më ka impresionuar më shumë është Anguissa dhe Osimhen të Napolit.

E vërteta e ofertës nga Verona? Verona më kërkoi ta prisja dhe unë zgjodha Leccen prej seriozitetit që tregoi”, – tha ai.