Vasil Bici: Ja aktivitetet për 100-vjetorin e Pavarësisë

539
Sigal

Drejtori i Sporteve në MTKRS: “Është e çuditshme ajo që ndodh me trajnerët në Shqipëri”

Drejtori i Sporteve në MTKRS, Vasil Bici, rrëfen për gazetën “Telegraf” axhendën e plotë të aktiviteteve sportive për 100-vjetorin e Pavarësisë, problematikat që po kalon sporti ynë, por dhe atë të zëvendësimit të pazakontë të shumë trajnerëve në këtë fillimsezoni.

– Zoti Bici, sapo kemi hyrë në muajin e 100-vjetorit të Pavarësisë, cilat janë aktivitetet Drejtorisë Sporteve pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve?

– Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve organizon dhe mbështet financiarisht aktivitetet e ndryshme sportive në bashkëpunim edhe Bashkinë e Tiranës, siç ishte rasti i fundit në Maratonën Ndërkombëtare të Tiranës, me 38 federatat shumësportëshe, përfshirë dhe “Kupën Pavarësia” në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit. Janë një sërë aktivitetesh të kryera nga federatat e ndryshme me rastin 100-vjetorit të Pavarësisë, si ato të çiklizmit, boksin, karatenë, gjimnastikën, atletikën, dancin sportiv, etj. Kupa “Pavarësia” e futbollit është dhe aktiviteti kulmor, pasi dhe futbolli ka më shumë impakt. Do të marrin pjesë shumë personalitetet të jetës politike, sociale dhe sportive.

– Zhvillimi i Kupës “Pavarësia” është shndërruar në traditë vitet e fundit. Çfarë të veçante do të ketë në këtë 100-vjetor?

– Kupën e 100-vjetorit të Pavarësisë, apo siç njihet me emrin Kupa Pavarësia, do ta organizojmë në bashkëpunim me Federatën e Futbollit. Në fakt, ka një traditë në Kupën “Pavarësia”, por tani ka një përmasë më të madhe, jo vetëm për nga numri ekipeve, por dhe programit. Gjithçka do të kryhet në nota festive, siç e kërkon dhe evenimenti. Për këtë qëllim është akorduar edhe një fond prej 5 milionë lekësh. Do të marrin pjesë 7 skuadra, dy nga Shqipëria, Flamurtari dhe Tirana (fituese e Kupës), dy nga Kosova, dy ekipet shqiptare nga Maqedonia dhe një nga Mali i Zi. Kjo është një formulë e re. Ndeshjet do të luhen me nga 45 minuta, siç ndodh kudo në botë në turne të tillë. Në Vlorë, do të mbërrijnë fituesja e çiftit kosovar, ndeshja e të cilit do të luhet në Kukës, ajo e çiftit maqedonas, ndeshja do të luhet në Korçë, dhe Tirana me ekipin nga Mali i Zi, takimi do të zhvillohet në Shkodër. Flamurtari merr pjesë direkt në gjysmëfinale si vend organizator, ku do të luhen dhe finalet.

– Para pak ditësh u zhvillua Maratona Ndërkombëtare e Tiranës. Cila është impakti i saj?

– Ishte një iniciative e drejtorit të Sporteve në Bashkinë e Tiranës, zotit Artan Pogoni, dhe që kërkoi një angazhim të jashtëzakonshëm deri në realizimin e saj, boll të kujtosh se për dy-tri ditë Tirana ishte kryeqendra botërore e maratonave. Është një nisme shumë e bukur, që ne kemi maratonën tonë. Në vitet në vazhdim, ne kemi çfarë të prezantojmë. Në maratonën e kryeqyteteve vërshojnë atletet nga e gjithë bota, vrapues nga e gjithë bota, e që garojnë në këtë garë të vështirë, si simbol i fitores, si simbol i fitores së të mirës mbi të keqen. Është një hap domethënës. Dua të kujtoj këtu se në hapat e para, maratonat e kryeqyteteve të mëdha elitare, si Berlini, Nju Jorku, nuk kanë pasur më shumë se 1 mijë apo deri në 2500 veta, me 700 sportistë nisi maratona e Romës. Në Tiranë, ne e filluam me 3 mijë. Për ne ishte fillimi i një maratone në rang kryeqyteti. Ka vlera të jashtëzakonshme, si nga ana sportive, por dhe turistike.

– Zoti Bici, nëntë trajnerë të larguar në vetëm tetë javë, teksa shtatë ekipe nga 14 që ka Kategoria Superiore i kanë ndryshuar teknikët më të cilët nisën sezonin. Sipas jush, kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së rezultateve, është çështje filozofie apo sjellje presidentësh?

– Në vendin tonë, për të thënë të vërtetën skuadrat i ndryshojnë shumë shpejt dhe shumë shpesh trajnerët. Është fakt që, pluset apo minuset e tij e rrisin apo e godasin trajnerin. Dhe ato janë rezultatet pozitive apo negative. Por, në Shqipëri ndodh një fenomen diçka më i çuditshme se në vendet e tjera. Sigurisht, që dhe në botë zëvendësohen trajnerët. Po kujtoj me këtë rast, Mançester Sitin, ku një rezultat tjetër përveç fitores me Suons Sitin në Premier Ligën angleze, mund ta vinte në dyshim të ardhmen e trajnerit Roberto Mançini. Ishte goli Karlos Tevezit ai e shpëtoi nga shkarkimi. Pra, këto fenomene ndodhin me këdo trajner kudo në botë, por këtu tek ne është e dukshme dhe, mjaftojnë dy tri ndeshje të humbasësh dhe hiqet trajneri, sikur gjithçka e keqe erdhi nga ai. Marr shkas këtu dhe nga largimi i ish-trajnerit të Tiranës, Artur Lekbello, i cili u shkarkua vetëm pas pesë javësh në drejtimin e skuadrës.

– Si do ta komentonit?

– Më erdhi shumë keq, për mënyrë e afrimit dhe largimit që iu bë. Erdhi dhe qëndroi për një kohë shumë të shkurtër, nuk pati mundësi as të dëgjohej dhe as të ndihej aroma e tij, të prekte mirë situatën. Vinte nga emigracioni, pas shumë vitesh jashtë. Nuk e njihte mjaft mirë realitetin aktual tonin. E morën miqtë, dhe nuk e mbrojtën ata. Për mendimin tim, duhet ta mbronin Lekbellon, edhe sikur Tirana të rrezikonte të binte një kategori më poshtë. Lekbello ishte një figurë që, i kishte dhënë shumë Tiranës gjatë karrierës së tij si futbollist dhe vinte në një zonë, nuk them të “minuar”, por në një zonë që nuk e njihte dhe do të kishte nevojë për ndihmën e të gjithë kolegëve që e votuan për ta sjellë nga Selaniku.

– Në fakt, “valsi” i shkarkimit të trajnerëve gjatë këtij sezoni nisi qysh pas ndeshjeve të javës së parë, kur u shkarkua Shkëlqim Muça nga Flamurtari, Përparim Daiu nga Laçi apo spanjolli Rubio nga Tirana…

– Kjo që ka ndodhur në këtë fillim sezoni është diçka e rallë, dhe fort e çuditshme që të ndodhin qysh në javën e parë: ikja e Rubios nga Tirana, Muçës nga Flamurtari apo Daiut nga Laçi, apo më vonë e Hasan Likës nga Teuta apo Stavri Nicës po nga Laçi, në javët e mëpasshme. Kanë ndodhur kaq shpejt sa, të bën të mendohesh shumë se përse ndodhin këto fenomene? Në të vërtetë përgjigja është brenda, nga rezultatet, por dhe nga mungesa e profesionalizmit dhe diletantizmit të drejtuesve.

– Janë zhvilluar tetë javët e parë të Kategorisë Superiore. Si një specialist i njohur futbolli, si i keni parë ato?

– Fjalët më të mira i takojnë padyshim Skënderbeut, për kryesimin dhe vazhdimësinë e tij, pasi ka dy sezone radhazi që është shpallur kampion. Te Skënderbeu është punuar me një seriozitet shembullor, nga ish-presidenti Agim Zeqo, por dhe nga presidenca aktuale me në krye Artan Taken. Serioziteti nis që nga ivestimi në drejtim të përsosjes së infrastrukturës. Stadiumi i Korçës, për nga parametrat teknikë është një impiant mjaft modern, i nivelit ndërkombëtar. Ka kushte shumë normale në stadium, në të gjitha aksesorët për aktivitete të nivelit të lartë, apo dhe pista që është shtruar me tartan dhe ka nëntë korsi, ku mund të zhvillohen çfarëdo lloj garash atletike. Edhe tapeti i stadiumit është shumë i mirë dhe nuk mund ta dallosh, bie fjala me ata në Gjermani. Edhe afrimi i lojtarëve cilësorë është një plus i asaj skuadre, duke krijuar një ansambël shumë simpatik, ku sot shihet supremacia, pavarësisht se në të ardhmen mund të ketë dhe luhatje.

– Shumë stadiume janë të zbrazët, ndërsa Skënderbeu duket se është kampion dhe në të këndvështrim?

 – Po, padyshim që duhet të përmendet këtu dhe afrimi i tifozëve, apo lojtarit të 12-të siç konsiderohen ato. Nëse në qytetet e tjera, si Tirana, Vllaznia apo Vlora numri i tifozëve është i reduktuar, rikthimi i atyre në Korçë është një sinjal pozitiv. Një parathënie e bukur për të gjithë tifozllëkun shqiptar, që shkojnë në stadium jo për të fyer dhe sharë. Një gjë e mirë është dhe afrimi i femrave.

– Zoti Bici, duket se nuk ekzistojnë më ato probleme të mprehta në federatat e shumësportëshit, shumë konflikte janë shuar. Cila është situata pas asambleve të tyre?

 – Është në gjë shumë e mirë për mjedisin tonë sportiv. Megjithatë, si kudo edhe në sport, ka pasur kontestime, ka dhe do të ketë. Kjo varet dhe nga mentaliteti i humbësit dhe i fituesit. Ka njerëz që nuk e pranojnë humbjen dhe vazhdojnë më të gjitha mënyrat, gjejnë forma apo metoda, për të kundërshtuar zgjedhjet apo sulmues fituesin e tyre. Problemi është se, në sport nuk duhet të ngjasin këto, pasi sporti përkufizohet nga një dukuri që quhet “fair-play’, pra lojë e ndershme, apo e pastër. Dua të përkufizoj me sportistë të boksit, kikboksit, tajboksit, karatesë, etj.,, që kanë goditje direkt me grushte apo me shkelma, por edhe pse gjakosen, në fund të ndeshjes kur bie bilbili i fundit, ata përqafohen me një respekt të ndërsjellët për shoku-shokun, për të treguar “fair-play” dhe bukurinë e garës. Në problemet zgjedhore, në federatat sportive unë do të jepja si mesazh që, të vazhdohet dhe të përçohen nga “fair-play”, pasi nuk do të ketë dy presidentë, dy federata paralele, nuk mund të ketë dy kryesi në të njëjtën federatë. Fenomene që, na kanë ngjarë vitin e kaluar dhe gjatë katër vjeçarit të kaluar. U krijuan fenomene të tilla, por gjithsesi, ato u sheshuan edhe pse me vështirësi, madje dhe me ndërhyrjen e ndërkombëtaren. Përmend këtu Federatën e Mundjes, që u desh të vinte zëvendëspresidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Tceno Tcenov, që të ishte dëshmitar dhe monitorues i zgjedhjeve. Këtë vit kanë filluar qetë, por mundet të ketë edhe ndonjë problematikë dhe ndonjë pakënaqësi në të ardhmen, pasi zgjedhjet vazhdojnë.

– Cilat janë marrëdhëniet aktuale me Komitetin Olimmpik Kombëtar Shqiptar, ku ende kemi në krye në presidente të komanduar?

– Me përfundimin e zgjedhjeve në të gjitha federatat, pra të kryesive dhe presidentëve të rinj, Komiteti Olimpik do të nisë përgatitjet për Asamblenë Zgjedhore, pra forumeve drejtuese të tij. Forumeve aktuale u mbaron mandati dhe do t’i nënshtrohen procesit zgjedhor. KOKSH-i do të kopsitë të gjithë dokumentacionin brenda kuadrit ligjor shqiptar dhe Kartës Olimpike.

KOMBËTARJA / “VLERAT E DE BIAZIT DHE KRITIKA IME PËR ITALIANIN”

Ish-trajneri Vasil Bici, dikur ndihmës i Medin Zhegës në ekipin Kombëtar, flet dhe për ekipin Kombëtare, trajnerin De Biazi, arritjet e tij, por dhe një këshillë miqësore ndaj italianit.

– Ekipi Kombëtar nga katër ndeshjet e para në kualifikueset e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, grumbulloi gjashtë pikë, madje në ndeshjen e fundit fitoi 1-0 me Slloveninë, duke rikthyer edhe entuziazmin në kampion kuqezi. Si e vlerësoni punë e trajnerit De Biazi?

– Mendoj se, trajneri Xhani De Biazi ka bërë një punë të lavdërueshme. Po e freskon me elementë të rinj, dhe shpresoj që dhe nga puna e mirë që ka bërë Federata Shqiptare e Futbollit në drejtim të talenteve që po afron nga lojtarët që luajnë jashtë, sidomos ata kosovarë.

– Për çfarë do ta vlerësonit trajnerin italian?

Mendoj se, ekipin Kombëtar e pret një perspektivë e shkëlqyer në drejtim të talenteve. De Biazi i ka përqafuar mjaft mirë këtë ide. Jo se ne do të bëjmë Spanjën apo Gjermaninë, por mentaliteti i De Biazit për të përkrahur brezin e ri i dha frytet e veta dhe, mendoj se në të ardhmen do të kemi një lulëzim të ekipit Kombëtar.

– Nëse do të kishte një pikë të dobët te filozofia e De Biazit, cilat do të ishte ajo?

– Një kritikë në drejtim të trajnerit mund të ishte, që duhet të hedhë sytë më shumë nga lojtarët që luajnë në vend. Pasi nëpërmjet ekipit Kombëtar promovohen dhe reklamohen më mirë dhe vlerat e kampionatit tonë dhe të futbollistëve. Pasi duke mos i thirrur lojtarët tanë, ne nuk u japim hapësirë për të luajtur dhe pasur mundësinë për t’u transferuar në kampionatet e huaja më cilësore, ku infrastruktura dhe trajningu europian është më i mirë.

– Shumë lojtarë kosovarë janë pajisur me pasaportë shqiptare në mënyrë të përshpejtuar. Cili është roli i MTKRS-së?

– Edhe ne si Drejtori e Sporteve në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kemi kontributin tonë, pasi nëpërmjet nesh përcillet edhe i gjithë dokumentacioni për pajisjen e tyre të përshpejtuar me pasaportë shqiptare. Janë jo pak, por rreth 350-400 raste të tilla, që fëmijë shqiptarë të cilët jetojnë jashtë shtetit dhe janë evidentuar nga federatat e ndryshme, kanë sjellë dokumentacion për nënshtetësi shqiptare dhe janë pajisur me pasaportë. Dhe këta tani po militojnë me skuadrat U-17, U-19, U-21 apo dhe Kombëtaren A.

ORGANIZIMI I KLUBEVE, TË MËSOJMË NGA BOTA

Drejtori i Sporteve në MTKRS, Vasil Bici, mendon se forma juridike e disa klubeve, në shoqëri aksionare me 100 për qind të aksioneve në zotërim të bashkive nuk është e përshtatshme, dhe aspak efikase, madje nuk e shohim në asnjë vend europian. “Përsa i përket klubeve të futbollit, si: Tirana, Vllaznia apo Flamurtari, që kanë kryefjala e futbollit në Shqipëri ruaj rezerva dhe, ndoshta mund të bëj dhe ndonjë kritikë, pasi lë shumë për të dëshiruar organizimi i klubit. Organizimi është baza ku ndërtohet skuadra dhe, këtu nuk është fjala vetëm për dhënien e lekëve. Bashkitë e atyre tre qyteteve japin lekë, qoftë ajo e Tiranës, Shkodrës apo Vlorës. Kanë dhënë shuma të konsiderueshme, madje kanë hyrë fuqishëm në merkato. Por, nuk të ngrohin me rezultatet, si dhe me entuziazmin që duhet të krijohet në ato qytete, nga lëvizja futbollistike. Ne duam që, shikuesi të vijë në stadiumi, ndërsa futbollisti të luajë rolin e tij. Stadiumi i Tiranës po ri bosh, dhe po kështu dhe ai i Vllaznisë dhe i Flamurtarit, gjë që faji bie dhe me organizimin e atyre skuadrave. E kanë marrë përsipër bashkitë për të qenë pjesa kryesore, por unë do t’u bëja apel të gjitha bashkive që, ato duhen të gërshetohen me biznesmenë. Forma e drejtimit të një klubi është forma kapitaliste, dhe jo ajo sociale. Nuk është se tani duhet ta drejtojë shteti, dhe ta pronësojë apo ta kooperativizojë sportin, si dikur shumësportëshi. Bashkitë duhet të kenë aksionet e veta dhe individët duhet të kenë aksionet e veta, në raport me fuqinë monetare që hedh gjithsecili. Bashkëpunimi midis tyre do të sillte dhe suksesin. Kështu ndodh në Gjermani, Spanjë, Itali, Angli, apo kudo në botë. Nuk ka sot një skuadër në Europë, ku Bashkia e atij qyteti të jetë 100 për qind aksionare. Kështu ndodh te Bajerni i Munihut, Reali i Madridit, Mançester Junaitid apo Paris Sën Zhermeni. Mundësitë në Shqipëri ekzistojnë, pasi kemi biznesmenë të fuqishëm dhe intelektualë, për të drejtuar një klub futbolli”, – tha Bici.