KATEGORIA E PARË/ Trajneri i Lushnjës, Gugash Magani, optimist me përgatitjet, pret përforcime
Agron KAJA
Nën drejtimin e trajnerit Gugash Magani dhe të stafit të tij, skuadra e Lushnjës ka disa javë që ka nisur përgatitjet për sezonin e ri 2024-2025. Duke qënë se nga skuadra e sezonit të kaluar kanë ikur më shumë se gjysma e lojtarëve, nga ana e tij është duke u punuar për një skuadër e re. Për gazetën “Telegraf”, Magani tregoi se tashmë Lushnja është një skuadër në rindërtim. “Për formatimin e skuadrës të sezonit të ri, Lushnja është në rindërtim e sipër. Unë pres gjithmonë përforcime, edhe pse lojtarët që kemi në dispozicion deri tani janë treguar seriozë në përgatitje, dhe në ndeshjet miqësore që kemi zhvilluar. Megjithatë, disa nuk e kanë atë pjekurinë e duhur për t’u përballur me skuadra të nivelit të lartë, dhe për këtë do punojmë gjatë kësaj periudhe të mbetur para fillimit të kampionatit”, kështu e nisi bisedën tekniku peqinas i Lushnjës, i cili theksoi më pas se, prej tij në këtë sezon ka një ndryshim strategjie, në raport me sezonin e kaluar. “Kur ju tregova se jemi skuadër në rindërtim, kjo nënkupton edhe një ndryshim strategjie në raport me atë çka skuadra tregoi në sezonin e kaluar. Ndaj them se do bëjmë skuadër dinjitoze që të qëndrojmë mes më të mirave. Jemi në ritmikën e duhur të fazës përgatitore, sepse paralelisht po zhvillojmë përgatitje, ndeshje miqësore dhe merkato”. Dhe dje Magani tregoi se skuadra e Lushnjës do të zhvendoset dy javë në Divjakë, për të rritur ngarkesat përgatitore me dy seanca stërvitore në ditë. “Na është premtuar nga Bashkia që për dy javë të përqëndrohemi me përgatitjet tona në Divjakë. Kushtet aty do jenë optimale për përgatitje me dy seanca stërvitore në ditë. Natyrisht që do të rritim ngarkesat fizike të skuadrës, por unë pres edhe përforcime. Dhe po më erdhën ato përforcime që unë kam menduar në formatimin më të mirë të skuadrës, atëherë themi që çfarë objektivi ka Lushnja për sezonin e ri. Gjithsesi, në plan kemi edhe dy ndeshje të tjera miqësore dhe kam shumë besim se më 24 gusht skuadra do jetë e gatshme për ndeshjen në transfertë me Korabin, që ta nisë kampionatin në mënyrën sa më të mirë të mundshme”, kështu e mbylli bisedën trajneri i Lushnjës, Gugash Magani, në kuadrin e fazës përgatitore që skuadra e drejtuar prej tij është duke zhvilluar, dhe në dy javët e ardhshme që do të përqëndrohet në Divjakë. Në sezonin e kaluar në Kategorinë e Parë, Lushnja u rendit në vëndin e 9-të, dhe nga Play-off e siguroi qëndrimin në këtë kategori.
Kastrioti shton radhët në merkato
Pas afrimeve si Krasniqi apo Puja, bashkë me trajnerin Dorian Bubeqi, te Kastrioti kanë mbërritur edhe futbollistë të njohur në Kategorinë Superiore. Bëhet fjalë për Spartak Ajazin, Elvi Berishën, Samuel Ajinde dhe Ersil Ymerin. Ekipi po përforcohet me lojtarë cilësorë, e drejtuesit po ja plotësojnë boshllëqet skuadrës.
LEGJIONARËT NË MERKATO
Asllani as po-as jo, Neë York Times e “përkëdhel”

Kristian Asllani është një nga mesfushorët e Interit më të përfolur për lëvizje në këtë merkato të verës. Pavarësisht se në çdo dalje publike ai ka shprehur vullnetin për të vijuar karrierën në Milano, emri i tij mbetet në tregun e transferimeve, ku ditë më parë doli në skenë një interesim nga Liverpul. Por për të promovuar edhe më shumë mesfushorin kuqezi, këto ditë ka menduar edhe prestigjiozja Neë York Times, e cila shkruan se ai e vërtetoi se mund të luajë si një regjisor në fushë. “Në sezonin e kaluar Asllani e nisi vetëm 6 ndeshje si titullar nga minuta e parë në Serie A, dhe në të gjitha vërtetoi se mund të luajë si një regjisor në skuadrën e drejtuar nga tekniku Simone Inzaghi. Ka një cilësi të mirë taktike, i aftë të luajë me të dy këmbët dhe po e rrit nivelin e tij të lojës në rritje”. Por pavarësisht ofertave të ndryshme që vijnë, Inter nuk ka ndërmend të privohet nga Asllani.
Broja bëhet çështje, Çelsi kërkon 40 milionë paund

Armando Broja në këtë periudhë të merkatos duket se është drejt largimit nga Çelsi. Për këtë janë shumë të bindur në Angli, teksa javë pas jave shkruhet për interesimin e vazhdueshëm që kanë skuadrat për lojtarin. Por asnjë hap konkret nuk është hedhur deri tani dhe Broja vazhdon stërvitjen me skuadrën. Gazetari Iomi Stenli, bën të ditur për “icfootballneës” se Çelsi po mundohet që të shesë futbollistin, por për momentin të gjitha ofertat kanë qenë për huazimin e tij. Klubet janë të gatshme të firmosin me Brojën vetëm në formë huazimi, më shumë se sa një transferim përfundimtar. Por Çelsi kërkon 40 milionë paund për sulmuesin, një tjetër arsye pse ai vazhdon të jetë aty, por do të ulin kërkesën e tyre sa më shumë afron fundi i merkatos. Do ishte çudi po ta shihnim Brojën ende te Çelsi në fillimin e shtatorit, sepse mund të largohet para fundit të dritares së merkatos.
KATEGORIA E PARË
SEZONI 2024-2025
Java 1 / 24.08.2024
AF Vora-Apolonia 17:00
Kukësi-Erzeni 17:00
Flamurtari-Burreli 17:00
Valbona-Besa 17:00
Korabi-Lushnja 17:00
Pogradec-Kastrioti 17:00
Besa si kantier, në Ersekë stërvitje dhe merkato
Skuadra e Besës ka nisur javën e dytë të përgatitjeve në qytetin e Ersekës, ku në drejtimin e trajnerit Mirel Josa, skuadra ka zhvilluar përgatitje me ngarkesë të lartë, njëherësh edhe ndeshje miqësore, e fundit 1-1 me Skënderbeun. Këtë javë vijnë në skuadër edhe dy futbollistë të huaj, ndërkohë që drejtuesit e klubit dhe të bashkisë janë akorduar që ndeshjet e kampionatit 2024-2025 t’i luajnë në stadiumin e Rrogozhinës.




















