KATEGORIA E PARË/ Trajneri i Apolonisë, Artan Mergjyshi tregon për “Telegraf” për përgatitjet dhe merkaton
Agron KAJA
Pas mbylljes së ndeshjeve të Kampionatit Europian në Gjermani “Euro 2024”, të gjitha skuadrat e futbollit në Shqipëri i kanë përveshur mëngët e përgatitjeve, madje duke e sfiduar edhe këtë mot të nxehtë të pazakontë për vëndin tonë. Një ndër këto skuadra është edhe Apolonia e Fierit, e cila edhe këtë vit do të jetë pjesë në Kategorinë e Parë. Ndërkohë që drejtuesit nuk e kanë ndryshuar bankinën me Artan Mergjyshin, që e mbylli sezonin e kaluar, dhe atij tashmë i janë dhënë të gjitha kompetencat për merkaton dhe përgatitjen e skuadrës. Dje për gazetën “Telegraf”, tekniku Mergjyshi deklaroi se pas miqësores me Bylisin ditë më parë, skuadra ka nisur nga harmonizimi i saj në veprimet në fushën e lojës. “Miqësorja me Bylisin na vlejti për të parë grupin në tërësi, por miqësoret ne do t’i vazhdojmë, sepse ato janë matësi kryesor i punës në skuadër. Nga sezoni i kaluar ne e kemi ruajtur boshtin e grupit, por duke ndjekur edhe objektivin për një ekip simpatik, dhe unë kam besim se do t’ia dalim me gjithë kohën e mjaftueshme që kemi në dispozicion”, kështu e nisi bisedën tekniku tiranas i Apolonisë, i cili u shpreh më pas se janë duke menduar edhe ndonjë përforcim të mundshëm. “Kjo është periudhë përgatitjeje, por edhe për merkaton. Edhe ne po shohim mundësitë për të bërë përforcime, sepse në strategjinë e klubit është ideja që me grupin aktual dhe me përforcime të reja, do të jetë një Apoloni më dinjitoze në këtë sezon që duket sikur po troket shumë shpejt nisjen e tij”. Në Fier janë parë disa futbollistë, kryesisht portierë të rinj, të cilët janë testuar këto ditë së bashku me pjesën tjetër të skuadrës. Pas largimit të portierit të parë në sezonin e kaluar, Romeo Harizaj, kërkesa për katërkëndorin duket se është kthyer si është pjesa më emergjente. “Tashmë jemi duke punuar në dy séance stërvitore në ditë ku ekipi është thuajse me organikën e sezonit të kaluar, dhe te ky grup kam shumë besim. Por duke menduar synimin për ngjitje në Superiore, është e nevojshme që në të gjitha repatet të bëjmë plotësime, dhe për këtë jemi në biseda me klubin. Largimi i Harizajt na ka detyruar që porta të ketë merkato më të shpejtë se repartet e tjera. Kemi provuar dy kandidatë të mundshëm, Leonard Kaça që sezonin e kaluar luajti për Besëlidhjen, si dhe 19 vjeçarin fierak Henri Bega, i cili ishte pjesë e skuadrës edhe në sezonin e kaluar. Ditën e shtunë do të zhvillojmë një ndeshje miqësore me Tiranën në Fushë Krujë, dhe besoj se do kem një panoramë më të qartë për gjendjen aktuale të skuadrës”, ishte kjo biseda me trajnerin e Apolonisë, Artan Mergjyshi.
Flamurtari me pasoja pas miqësores
Skuadra e Flamurtarit ka zhvilluar një miqësore me skuadrën maqedonase të Ohrit, por gjatë saj ka krijuar një situatë të vështirë për mesfushorin durrsak Fabjan Beqaj. Pas një përplasje të fortë në fushë me një kundërshtar, ai ka ndjerë dhimbje të forta ku u mendua për një thyerje të hundës. Për ekzaminim të specializuar ai u zhvendos në Tiranë ku ka marrë edhe mjekimin e nevojshëm. Për momentin, kjo është një pasojë jo e mirë për skuadrën.
Kjo është periudhë përgatitjeje, por edhe për merkaton. Edhe ne po shohim mundësitë për të bërë përforcime, sepse do ndërtojmë një Apoloni më dinjitoze në këtë sezon, që duket sikur po na troket shumë shpejt nisjen e tij
JAVËT E PARA
KATEGORIA SUPERIORE
Java 1 / 18.08.2024
Partizani-Vllaznia 17:00
Skënderbe-Elbasani 17:00
Teuta-Bylis 17:00
Dinamo-Egnatia 17:00
Laçi-Tirana 17:00
KATEGORIA E PARË
Java 1 / 24.08.2024
AF Vora-Apolonia 17:00
Kukësi-Erzeni 17:00
Flamurtari-Burreli 17:00
Valbona-Besa 17:00
Korabi-Lushnja 17:00
Pogradec-Kastrioti 17:00