Sigal

Supersfida Tirana-Skënderbeu ka qenë gjithmonë një duel i madh dhe emocionues pasi është një përballje mes ekipit më të titulluar në në historinë e futbollit shqiptar dhe ekipi që ka “uzurpuar” kampionatin shqiptar këto 8 vitet e fundit. Këtë gjë mund ta themi edhe për ndeshjen që pritet të luhet sot mes tyre. Bardheblutë prej gati 9 sezonesh e kanë humbur rrugën drejt fronit dhe situata nuk ka shfaqur shenja përmirësimi as në këtë edicion, të paktën sa i përket rezultateve. Ndërprerja e kampionatit shihet si një “varkë shpëtimi” për 24 herë kampionët, sepse i ka lejuar teknikut të rikuperojë pjesën më të madhe të lojtarëve të dëmtuar, teksa projektohen disa ndryshime në formacionin titullar. Ndërkohë që tek Skënderbeu e kanë të qartë, se gabimi më i madh që mund të kryejnë është të nënvlerësojnë Tiranën. Me apo pa probleme, badheblutë nuk kanë qenë asnjëherë një rival mbi të cilët korçarët mund të shëtisnin lehtësisht, mjafton të përmendet sfida e fazës së parë, e cila u mbyll në barazim 1-1, madje në atë takim bardhekuqtë e panë veten në disavantazh. Nuk ndajnë të njëjtin qytet, as nuk cilësohet si supersfida më e madhe e kampionatit shqiptar, megjithatë Tirana-Skënderbeu është në shumë aspekte një duel i denjë për t’u etiketuar me emrin “derbi”.