Tirana prezanton heronjtë e rinj

545
Sigal

Bardheblutë kanë firmosur deri tani me gjashtë futbollistë gjatë merkatos dimërore

Tirana prezantoi dje tre blerjet e fundit, të merkatos dimërore, mesfushorët Koreshi dhe Kahata (kenian), si dhe sulmuesi brazilian Gilberto, ndërkohë që të enjten priten të hedhin firmën në kontratë edhe dy lojtarë të tjerë nga Afrika e Jugut. Pas një pjesë të parë shumë të dobët të bardhebluve, 24 herë kampionët e vendit ndodhen në vendi e fundit, presidenca e Tiranës vendosi të investojë në merkato me synimin e madh për të shpëtuar sezonin, e për të mos rënë në Kategorinë e Parë, atje ku aktualisht luan Dinamo. Prezantimi i tre lojtarëve të rinj është bërë nga donatori Lulëzim Morina, i cili shpreson që këto afrime të rrisin cilësinë e skuadrës. Ndërkohë donatori tjetër i bardhebluve Refik Halili, bën të ditur se të enjten priten dhe dy futbollistë cilësorë nga kontinenti afrikan, Për momentin tek bardheblutë janë konfirmuar zyrtarisht gjashtë afrime, pikërisht ato të Ilion Likës, Mario Morinës, Ivan Delic si dhe tre zyrtarizimet e fundit Koreshi, Kahata dhe Gilberto. Rifillimi i kampionatit e sheh Kastriotin në një sfidë direkte për mbijetesë ndaj Tiranës. Krutanët kanë lëvizur në merkato dhe pavarësisht se kanë humbur portierin Lika që u rikthye tek bardhblutë, kanë afruar futbollistë cilësorë si Bratic apo edhe Popovic. Megjithatë, blerja më e rëndësishme mund të konsiderohet trajneri Ndreu, që rikthehet të marrë detyrën në krye të skuadrës tek e cila beson shumë, pas dorëheqjes së trajnerit Kristaq Mile. Ndaj bardhebluve parashikohet një ndeshje e vështirë pasi formacioni i Maganit ka ndryshuar falë afrimeve të reja. Megjithatë trajneri i krutanëve Ndreu mendon se, ka një ekip të aftë të përgatisë këtë sfidë që luhet në shtëpi, duke theksuar se kjo ndeshje është e rëndësishme por jo deçizive në garën për mbijetesë. Kastrioti–Tirana do të zhvillohet ditën e shtunë në orën 14:00.

Gjashtë afrimet e Tiranës

I. Lika

M. Morina

I. Deliç

Koreshi

Kahata

Gilberto

KATEGORIA SUPERIORE

Java XVII

1 shkurt 2014

Besa-Laçi                   14:00

Kastrioti-Tirana         14:00

Partizani-Kukësi        17:00

2 shkurt 2014

Bylis-Flamurtari        13:00

Skënderbeu-Vllaznia 13:00

Teuta-Lushnja           17:00

RENDITJA

1     Skënderbeu         16   +12 33

2     Partizani             16   +3   26

3     Laçi                     16   +3   25

4     Kukësi         16   +1   25

5     Flamurtari           16   +4   24

6     Teuta                  16   +0   24

7     Besa                    16   -3    21

8     Vllaznia       16   +1   21

9     Bylis                   16   +2   21

10   Lushnja        16   -6    18

11   Kastrioti             16   -6    16

12   Tirana          16   -11  12

– Flamurtarit i janë zbritur tri pikë nga Komisioni i Disiplinës

Edhe Vllaznia firmos me një serb

 Vllaznia firmosi me mesfushorin serb Sasha Paunoviç. Futbollisti bëri paraqitje të mira në dy miqësoret e aktivizuara, në Shkodër me Adën dhe Podgoricë me Çelik, duke marrë vlerësime nga drejtuesit kuqeblu.

 Lojërat Olimpike, Nishani dorëzon sot Flamurin Kombëtar

 Ekipi Olimpik Shqiptar që të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore “Sochi 2014″, që do të zhvillohen në Rusi në datat 7 deri 23 Shkurt 2014, do të pritet sot në orën 11:00 nga Presidenti i Republikës Z. Bujar Nishani, për zhvillimin e Ceremonisë së Dorëzimit të Flamurit Kombëtar. Ekipi Olimpik Shqiptar më pas do të pritet në Ambasadën e Federatës Ruse në një takim ceremonial nga Ambasadori rus, Abramov.

 Bie pista e Nantës për Hamdi Salihin

 Aventura e Hamdi Salihit drejt FC Nantës përfundoi pa mbërritur sulmuesi shkodran në Francë. Është gazeta “Press Ocean”, që bëri të ditur lajmin. Në fakt, FC Nantë ishte në kërkim të një sulmuesi, teksa bëri të ditur ditë më parë se ishte e interesuar për shërbimet e Salihit, i cili duhet të mbërrinte dje në Francë. Por, 30-vjeçari, i cili sapo kishte mbyllur sezonin e tij në Kinë, me Jiangs Sainty nuk mbërriti në “Joneliere”, në qendrën stërvitore të FC Nantës, duke rënë kështu mundësia që ai të luajë në kampionatin francez. Teksa kanë mbetur vetëm tri ditë nga mbyllja e merkatos, Salihi duhet të gjejë një destinacion të ri. Hamdi Salihi ka veshur fanellën e shtatë klubeve, dy prej tyre në Shqipëri, Vllazninë (35 gola); Tiranën (49 gola), si dhe pesë jashtë vendit: Panionos (Greqi); Sv Ried (42 gola), Rapid Vjenë (57 gola), të dyja këto në Austri. Ai ka luajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me D.S.Junaitid (7 gola) dhe në Kinë, me Jiangsu Sainty (12 gola). Ai konsiderohet si një gjahtar goli, ndërkohë që gjatë karrierës së tij ka shënuar vetëm në kampionate, jo pak, por 204 gola në 393 ndeshje.

  Kosova, pesë kandidatë për miqësoren e parë

 Ndeshja e parë historike e Kombëtares së Kosovës në futboll do të luhet, më 5 mars në Zvicër, por akoma nuk është caktuar se cili do të jetë kundërshtari i parë, që do të bëj historinë. Kështu të paktën konfirmojnë burime nga Federata kosovare e Futbollit në Prishtinë. Sipas tyre, në kombinim janë pesë shtete, Kolumbia, Ishujt Faro, Gana, Xhamajka apo Mauritania që do të luajnë miqësoren e parë me Kosovën. Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka thënë se, Federata është në kontakte me 4 agjenci për menaxhimin e ndeshjeve, por ende nuk ka asgjë konkrete. Është një afat i shkurtër, andaj kundërshtari i parë i Kosovës për miqësoren, sipas tij, do dihet brenda 2-3 ditëve. Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, kishe paralajmëruar se shumë shpejt do të mësohet kundërshtari që do të luaj me Kosovën më 5 mars. Megjithatë, duket paksa e vështirë që në këtë kohë të gjendet kundërshtari, pasi që shumica e shteteve kanë përcaktuar kundërshtarë për 5 mars. Ditëve të fundit Vokrri, sipas tij, ka vizituar Francën, Belgjikën e Zvicrën për të gjetur mundësin më të mirë, por tash për tash, nuk është përcaktuar se as ku mund të luhet ndeshja e parë në Kosovë apo jashtë saj.

 Gavazaj, i lumtur për debutimin me Gentin

 Mesfushori i Kombëtares U-21, kosovari Enis Gavazaj, luajti ndeshjen e parë me skuadrën e parë Gentit në kampionatin belg. Ai 18-vjeçari i aktivizua në fitoren e Gentit në udhëtim ndaj Genkut me rezultatin 2-1, duke u futur në fushë në minutën e 92-të. “Jam shumë i kënaqur që debutova me skuadrën e parë të Gentit. I falënderoj të gjithë ata që kontribuuan për të arriturat e mia. Falë personave që më kanë qëndruar afër jam këtu sot. Me punë dhe përkushtim në stërvitje pres që në të ardhmen të paraqitem edhe më shumë minuta. Është vetëm fillimi. Ka tre apo katër muaj që po stërvitem me ekipin e parë dhe katër herë kam qenë në stolin e skuadrës. Shpresoj të më eci mbarë gjatë kësaj periudhe”, – tha Gavazaj për mediat kosovare.

  Pirlo “Lojtari i vitit” në Itali

 Është Andrea Pirlo lojtari i Vitit në Serie A. Në ceremoninë e zhvilluar për ndarjen e çmimeve të vitit që sapo lamë pas, regjisori i Juventusit ishte ai që triumfoi mbi të tjerët pasi grumbulloi më shumë vota se kushdo tjetër. Në fjalën e tij, Pirlo u shpreh i nderuar për këtë çmim, duke theksuar se e ardhmja e tij do të vazhdojë të jetë te Juventusi. Mesfushori bardhezi i dha gjithashtu një këshillë edhe trajnerit të kombëtares italiane, Cesare Prandelli për të grumbulluar edhe Francesco Tottin për Botërorin 2014 që do të zhvillohet në Brazil. Në ceremoninë e zhvilluar, portieri më i mirë i votuar është Samir Handanovic, ndërsa në mbrojtje Christian Maggio, Giorgio Chiellini dhe Mattia De Sciglio. Mesfusha përbëhet nga Andrea Pirlo, Arturo Vidal, Hamsik dhe Cuadrado, ndërsa në sulm nuk mungon ish bomberi i Napolit, Edinson Cavani i shoqëruar nga Mario Balotelli, të cilët mbështesin qëndërsulmuesin e Udineses, Toto Di Natale. Një tjetër juventin i përfshirë në listë është edhe trajneri Antonio Conte që u zgjodh si tekniku më i mirë i vitit që lamë pas. Me 4 lojtarë në formacionin bazë plus trajnerin ishte Juventusi që fitoi çmimin e skuadrës më të mirë të sezonit të kaluar.