Ndërkombëtarizohet Partizani

549
Sigal

Firmosin me të kuqtë dy kroatët Antun Dunkoviç e Mario Sacer, si dhe serbi Dragan Antanasijeviç

Partizani i fazës së dytë të Superligës do të jetë një skuadër me nuanca ndërkombëtare, kjo për faktin se, në grupin e kuq ka lojtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Kroacia, Serbia e Bosnja. Pas firmosjes me Ersen Salin, Liridon Ahmetin, Almir Pliskan (boshnjak), Fatmir Hysenbelliu dhe Migen Memellin, dje në zyrat e klubit të kuq hodhën firmat e tyre në kontratë dy kroatët Antun Dunkoviç dhe Mario Sacer, si dhe mesfushori serb Dragan Antanasijeviç. Klubi i Partizanit arriti marrëveshjen me të tre lojtarët e mësipërm, pasi ata e kaluan me sukses provën e tyre në Antalia të Turqisë, duke marrë miratimin e trajnerit Hasan Lika dhe stafit teknik. Partizani është një prej ekipeve më aktive në merkaton dimërore, duke nënshkruar me tetë lojtarë. Tashmë, Partizani thuajse është kompletuar plotësisht. Drejtuesit kanë krijuar një grup cilësor dhe kanë synime të qarta në pjesën e dytë të sezonit, ku do të kërkojnë të fitojnë titullin kampion. Mesfusha dhe sulmi ishin dy repartet ku të kuqtë hasën vështirësi në pjesën e parë të sezonit dhe afrimet u bënë pikërisht në këto reparte.

PËRGATITJET

Skuadra vijoi dje përgatitjet në prag të sfidës së rëndësishme ndaj Kukësit e vlefshme për javën e 17–të të Kategorisë Superiore. Si rezultat i kushteve atmosferike ekipi është stërvitur në ambientet e fushës së “Olimpik” në Yrshek në orën 11:00. Nën drejtimin e stafit teknik grupi i plotë i lojtareve ka zhvilluar për afro 1 orë e 30 minuta programin e detajuar nga trajneri Hasan Lika dhe përgatitësi atletik, portugezi Marcio Sampaio në seancën e paradites që ishte edhe e vetmja për dje. Migen Memelli ka zhvilluar stërvitje të diferencuar si pasojë e një tërheqjeje muskulore, e cila vazhdon të rezultojë shqetësuese për sulmuesin shtatlartë. Edhe ditën e sotme ekipi do të zhvillojë stërvitjet në kompleksin “Olimpik”, duke filluar nga ora 11:00.

STATISTIKAT

Partizani e fitoi me rezultatin 1-0 ndeshjen e fazës, takim që u luajt në fushën asnjanës të Krujës, pasi stadiumi i Kukësit ishte pezulluar për shkak të incidenteve në ndeshjen me Vllazninë. Golin e vetëm të takimit e shënoi Jozef Thana në minutën e 77-të, ndërkohë që Kukësi luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 54-ta pas ndëshkimit me kartonin e kuq të Ervis Koçit. Pas asaj ndeshje, Armando Cungu dha dorëheqjen si trajneri i Kukësit, i zëvendësuar nga kosovaro-turku Naxhi Shensoi, i cili drejton aktualisht ekipin. Partizani-Kukësi do të luhet, më 1 shkurt në orën 17:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Pas 16 ndeshjeve të luajtura, Partizani, i vendit të dytë ka grumbulluar 26 pikë, një më shumë se Kukësi i vendit të katërt, 25 pikë. Golashënuesit më të mirë të dy ekipeve janë Renato Hyshmeri e Julian Malo për Partizanin, si dhe Sokol Cikalleshi e Gerhard Progni për Kukësin, që të gjithë në kuotën e katër golave. Ndeshja është shumë e rëndësishme, pasi një fitore Kukësit do të thoshte vendi i dytë. Të dyja skuadrat e kryen fazën përgatitore dimërore në Antalia të Turqisë.

BLERJET E KUQE

Ersen Sali

Liridon Ahmeti

Almir Pliska

Fatmir Hysenbelliu

Migen Memelli

Dragan Antanasijeviç,

Antun Dunkoviç

Mario Sacer

 Gjashtë miqësoret e Partizanit

 Partizani zhvilloi gjashtë ndeshje miqësore, pesë prej tyre ndërkombëtare në Turqi, dhe një me Dinamon në Tiranë. Partizani luajti me gjermanët e Darmshtadit (humbi 2-1), azerbajxhanasit e Neftçi Baku (humbi 2-0), gjermanët e Karlsruhes (2-2), gjermanët e Holsten Keilin (humbi 4-0) dhje fitoi 2-0 me nënkampionët e Kinës, Shandong Luneng. Në përfundim të pesë ndeshjeve në Antalia të Turqisë, Partizani regjistroi këtë bilanci: 1 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje. Partizani fitoi thellësisht me rezultatin 6-1 me Dinamon, në ndeshjen e zhvilluar në kompleksin “Olimpik” në Yrshek. Golat mbajnë u shënuan nga Dunkovic (2), Memelli, Hyshmeri, Pliska dhe Malo.

Ndeshjet miqësore

të Partizanit

11 janar 2014

Partizani-Darmstadt (Gjermani) 1-2

15 janar 2014

Partizani-Neftçi (Azerbajxhan) 0-2

17 janar 2014

Partizani-Karlsruhe (Gjermani) 2-2

18 janar 2014

Partizani-Holsten Kiel (Gjermani) 0-4

22 janar 2014

Partizani-Shandong Luneng (Kinë) 2-0

25 janar 2014

Partizani-Dinamo 6-1

Memelli mungon ndaj Kukësit

 Edhe pse tifozët e kuq mezi e prisnin ta shihnin në fushë kundër Kukësit, sulmuesi Migen Memelli nuk do të ketë fatin të luajë si titullar me ekipin e tij, ndeshjen e parë zyrtare për vitin 2014. Partizani do të duhet të bëjë llogaritë pa sulmuesin Migen Memelli, i cili ka pësuar një dëmtim të lehte që do ta lerë jashtë për ndeshjen kundër Kukësit. Shkalla e dëmtimit është e lehtë por pavarësisht ajo do ta mbajë jashtë kësaj sfide Memellin. Sulmuesi do të jetë i gatshëm për derbin kundër Tiranës, dhe ndoshta për ketë arsye, Lika nuk do të rrezikojë për ta pasur gati sulmuesin pikërisht kundër Tiranës.

 Kompleksi i ri nis në muajin mars

 Partizani, më në fund, do të ketë një “shtëpi” të tijën pas largimit nga ambientet e ish-kompleksit të kuq që ndodhej në rrugën “Frosina Plaku”. Pas afro pesë vitesh pa “shtëpi”, drejtuesit aktualë kanë menduar të ndërtojnë një kompleks të ri për skuadrën e kuqe. Zyra e shtypit te Partizani ka nxjerrë edhe projektin e kompleksit të ri, i cili do të ndërtohet në ambientet e Shkollës së Bashkuar ku aktualisht skuadra e kuqe është duke kryer seancat stërvitore. Terreni në të cilin do të ndërtohet kompleksi i ri është prone e Ministrisë së Brendshme, megjithatë, klubi i kuq tashmë e ka marrë këtë terren në përdorim për një kohë të gjatë dhe në këtë drejtim nuk ka asnjë problem. Duke u bazuar edhe te fotot e publikuara, Partizani pritet të ketë 2 fusha të mëdha, të cilat do të shërbejnë për seancat stërvitore të ekipit të parë dhe 4 fusha të tjera me përmasat e kaleçetos. Në këtë kompleks nuk do të mungojnë edhe dy fusha tenisi, por edhe një godinë 4-katëshe, e cila do të ketë brenda saj zyrat e klubit, hotelin e lojtarëve, mensën, palestrën dhe gjithçka tjetër që nevojitet për një klub i cili do të funksionojë në mënyrën e tij më të mirë. Një prej fushave që do të ndërtohet brenda kompleksit të ri të klubit të Partizanit, pritet të bëhet me financimet e Federatës Shqiptare të Futbollit.