Tirana, pranë akordit me mesfushorin e Partizanit!

450
Sigal

Te Tirana po fryn erë e mbarë! Pas shumë e shumë zhgënjimeve, bardheblutë duket se kanë gjetur ritmin e duhur dhe pas fitores bindëse me Kamzën, është thyer dhe akulli me tifozët. Natyrisht duhet shumë më shumë se kaq, por bazat janë hedhur. Parë këtë situatë, drejtuesit bardheblu po bëjnë çmos që në orët e fundit të merkatos t’u dhurojnë atyre një goditje të denjë.

Kështu, presidenti Halili po bën çmos që të veshë bardhbelu një nga mesfushorët e rivalëve të kryeqytetit. Bëhet fjalë për Emanuel Mensah, ganezin e Partizanit, që në pjesën e parë të sezonit nuk është preferuar si titullar nga trajneri Skënder Gega. Mensah, aftësitë e të cilit janë të padiskuteshme, është i pakënaqur me faktin se shikohet si lojtar stoli nga Gega dhe duket se ka vendosur që të pranojë ofertën e Tiranës.

Duket se Partizani nuk ka ndërmend të bëhet pengesë në këtë mes, ndonëse Mensah është nën kontratë me të kuqtë. Lojtari vuan mungesën e hapësirës, ndërsa edhe trajneri Skënder Gega duket se nuk ka ndërmend që të bëhet pengesë, pasi me ardhjen e Dilaver Dukës, hierarkia në ekip ka ndryshuar. Emanuel Mensah pritet të prezantohet te Tirana ditën e nesërme.