Tirana harron akuzat dhe siguron finalen e Kupës. Bylis dorëzohet 2-0

347
Sigal

Humbja 2-1 dhe ndeshja e dyshimtë e vajtjes i përket Komisionit të Etikës. Në fushë, Tirana kthehet ajo që dominoi thuajse në të gjithë sezonin e Superligës. Bardheblutë e kryeqytetit përmbysën Bylis dhe me fitoren e pastër 2-0 në “Skënder Halili” siguruan finalen e Kupës së Shqipërisë. Gjithçka e lehtë për skuadrën e drejtuar nga Emanuel Egbo, që vrau garën që në pjesën e parë. Të zotët e shtëpisë pritën vetëm pesë minuta për të zhbllokuar rezultatin.

Pas atij goli në derbi me peshë thuajse sa titulli kampion, Ernest Muçi kaloi në epërsi Tiranën. Ndëshkimi i shpejtë shokoi Bylis, që vijoi të vunte ritmin e lojës së diktuar nga vendasit. Gjithsesi, miqtë provuan të ktheheshin në ndeshje, por nuk shfrytëzuan ato pak gabime në mrbojtje të kundërshtarëve. Shpresat e formacionit të Dovedan u sfumuan në minutën e 25-të, kur Hoxhallari i harruar në shtyllën e dytë dyfishoi shifrat.

Kaq për pjesën e parë, ndërsa me rikthimin në fushë pas pushimit të dyja skuadrat dështuan të finalizonin rastet e paraqitura. Në fund e gjithë festa ishte për Tiranën, që me shumë pranë titullit kampion, kërkon të mbyllë vitin e 100 vjetorit të themelimit edhe me trofeun e Kupës. Jo vetëm kaq. Me fitoren dhe kualfikimin në finale, bardheblutë shpresojnë që të zbehin sado pak dyshimet dhe polemikat për atë paraqitje në gjysmëfinalen e vajtjes, që duhet ta kishin evituar.