Tirana e goditur para derbit: humbja me Kukësin e kthen në pikën zero

327

Kishte pësuar vetëm një gol në 5 ndeshjet e para sezonale, mes kampionatit e kupës, madje pa njohur asnjë humbje, por pikërisht në javën më të rëndësishme, atë para derbit kryeqytetas, Tirana shkon e dërrmuar moralisht për një humbje në rezultat e performancë kundër Kukësit. Dy gola në 90 minuta, e rreziku për të pësuar edhe të tjerë, me një mbrojtje të c’organizuar, që pavarësisht emrave në formacion, ngjante frikshëm me atë të sezonit të kaluar, që i solli aq problem bardhebluve.

Nuk ishte absolutisht ajo që shpresonte tekniku Ardian Mema në vigjiljen e një derbi që nuk e fiton prej 5 vjetësh: deri tani Tirana është shtyrë në krahët e entuziazmit për rezultatet e arritura, por tani duhet të tregojë karakterin, përballë një humbje gjunjëzuese e një syndrome të krijuar në ndërqytetasen me Partizanin. Të carat në prapavijë, që i evidentonte lehtësisht Shkurtaj, vendosjet e rastësishme, driblimet si piramida nga Abazaj e Gavazaj, e mbi të gjitha asfiksimi në presingun e bluve janë për tu korigjuar menjëherë.

Lerda ndoshta nuk e një kampionatin tonë, por pikat e dobëta të një kundërshtari di ti dallojë, e Asani Solomon apo Cinari nuk kanë më pak kualitet, ndërsa Telushi, Broja e Melo janë po aq agresivë në mesin e fushës. Tirana në këtë moment është kthyer pas në kohë, psikologjikisht është e ngarkuar dhe është detyrë e Memës të gjejë harmoninë dhe e lojtarëve të tregojnë forcën e karakterit.