Te Studenti bëmë epokë, me Partizanin, së pari titullin

538
 Agron KAJA

INTERVISTA/Flet për “Telegraf” Ylli Tomori, ish-volejbollisti, sot trajner, ka 36 vite që drejton kampionë 
Ka përfunduar gjysmë e sezonit 2016-2017, cila është gjendje e skuadrës së Partizanit aktualisht?
Skuadra e Partizanit është formuar rishtaz, pas 13 vite shkëputjeje nga volejbolli. Kjo është një skuadër e një histori që i ka dhënë tonin volejbollit shqiptar të meshkujve, e ndoshta do të duheshin shumë faqe gazete që të numërosh protagonistët ndër vite. Në këto kushte, një grup sponsorësh dhe idealistësh, duke përfshirë edhe sekretarin e klubit shumësportësh “Partizani”, Shkëlqim Muçën, menduan të krijojnë një skuadër jo për të kaluar radhën.
Sa e vështirë ishte që ta ringrinit Partizanin pas shumë vitesh te Studenti?
Nuk patëm shumë vështirësi, sepse kam vite që punoj me këtë djem dhe ata me kalimin këtu te Partizani, më ndoqën nga pas. Ata e kanë fituar shumë mirë edukatën e disiplinën, njëherësh janë edhe dashamirës të volejbollit.
Nëse unë do ta quaja si “tradhti” kalimin tuaj nga Studenti te Partizani, ju a e mendoni kështu?
Absolutisht jo, sepse ky është tregu i profesionistëve në çdo sport. Kjo nuk është gjë e re që e kemi shpikur ne, sepse sot çdo lojtar është i lirë të bëjnë zgjedhjet e tij, tashmë nuk është “tabu”.
Duke përmendur Studentin, ndjeni nostalgji për 34 vite drejtimi në këtë skuadër?
Unë jam krenar që kam qenë trajner i Studentit për meshkuj, sepse karrierën time si trajner volejbolli e kam filluar tek kjo skuadër në vitin 1981. Në këto vite, kemi fituar tituj e trofe ndër breza, të cilat po i quaj si të panumërta. Janë epokalë në sport, 17 Kampionate e 18 Kupa të Shqipërisë të fituara nga Studenti për meshkuj, pa përmendur këtu edhe veprimtaritë e tjera brenda e jashtë Shqipërisë.
Me këtë përbërje që keni sot te skuadra e Partizanit, ju garantojnë këtë lojtarë të arrini suksese sikundër te Studenti?
Pjesa më e madhe e skuadrës të Partizanit sot, kanë qenë disa herë Kampionë Kombëtarë me Studentin, e ky fakt na i shtoi më shumë besimin për nivel e cilësi. Dhe deri tani ja kemi arritur, pasi në Kampionat Partizani renditet në vendin e parë, me 8 ndeshje të fituara, asnjë të humbur, por me një setavarazh pozitiv 24:2.
Ndoshta kjo paraqitje jua ka shtuar edhe më shumë besimin, por edhe angazhimet?
Natyrisht, sepse Kampionati nuk mbaron në fazën e parë. Rëndësi ka që skuadra e Partizanit është e gatshme të luftojë me dinjitet e besim për trofetë e sezonit, në çdo përballje me rivalët tanë. Në të tilla nivele, është e natyrshme që edhe angazhimet janë më të larta.
Në raport me skuadrat e tjera, çfarë dukurie ka Partizani i drejtuar nga ju dhe bashkëpunëtori juaj, Fatmir Ajdini?
Klasifikimi i fazës së parë e tregon vetë, pasi ne jemi 6 pikë para vendit të dytë, Farka Volej. Një tjetër tregues që na veçon në këtë fazë të parë, është se ne i kemi fituar të tetë ndeshjet, ndërsa kemi fituar 24 sete, kemi humbur vetëm 2. Kjo është një mesatare e lartë për volejbollin, sepse janë tre sete të fituara në çdo ndeshje.
Treguesit e fazës së parë flasin shumë pozitivisht për Partizanin, por, cilët janë rivalët tuaj deri në mbyllje të sezonit në vazhdim?
Asnjëherë nuk i nënvlerësojmë skuadrat rivale, pavarësisht pozicionit që kemi në renditje me to. Vllaznia, Farka Volej dhe Tirana, pse jo në pritje edhe të Erzenit e Studentit, do të jenë rivalë të denjë në fazën e dytë të Kampionatit.
Këtë sezon të parë në drejtimin e Partizanit, cilat janë synimet tuaja?
Ne si skuadër kemi synim të fitojmë të gjithë trofetë e sezonit, më parë Kupën e Shqipërisë e pastaj edhe Kampionatin.
Këtë fundjavë nis Kampionati me fazën e dytë ku Partizani do të luajë “derbin” e kryeqytetin me Tiranën, si e keni përgatitur skuadrën?
Natyrisht që ndeshje të tilla dhurojnë emocione, pavarësisht gjendjes që kanë skuadrat në renditje. E përmenda më sipër që Tirana do të jetë njëra nga skuadrat rivale, dhe ndeshja me të do të jetë e vështirë në çdo aspekt. Gjithsesi, synimi ynë është vetëm për fitore.
Në këtë periudhë, ka skuadra që kanë probleme me financat, te Partizani si është kjo situatë?
Ne nuk kemi asnjë problem me financat, pasi ju përmenda më sipër personat që e ringritën këtë skuadër me financat e tyre. Na kanë mbështetur vazhdimisht, e ne kemi besimin se kështu do të jetë edhe në të ardhmen.
Kur keni drejtuar studentin, kanë qenë 4-5 lojtarë në Kombëtare, do të jetë kështu edhe me Partizanin?
Këtë e synojmë edhe tek Partizani, e deri tani e kemi treguar sepse janë disa lojtarë që luajnë edhe në Kombëtare, si Malaj, Gorenxa e Troka, ndërkohë që Çali, Arapi e vëllezërit Martiro nuk mundën të luanin. Aktualisht, gati gjysmë e Kombëtares së meshkujve është me lojtarë të Partizanit.
Ylli Tomori
Datëlindja: 4 nëntor 1950
Vendlindja: Tiranë
Sporti i ushtruar: Volejboll
Karriera si lojtar: Me Partizanin në periudhën 1966-1980
Skuadra ku ka luajtur: Partizani
Tituj e trofe të fituar si lojtar: Kampion Kombëtar 3 herë; fitues i Kupës së Shqipërisë 4 herë, fitues i 3 Spartakiadave Kombëtare
Suksesi në Evropë: Në sezonin 1973-1974 deri në gjysmëfinale në Kupat e Evropës (sistemi politik i largoi nga vazhdimësia, më pas u dënuan për disa vite)
Karriera si trajner: Në periudhën 1981-2015, trajner i Studentit (meshkuj); nga viti 2016- trajner i Partizanit (meshkuj)
Në ekipin Kombëtar: Trajner në periudhën 1991-2016
Somario
Jam krenar që kam qenë trajner i Studentit për meshkuj, sepse karrierën time si trajner volejbolli e kam filluar tek kjo skuadër në vitin 1981. Në këto vite, kemi fituar tituj e trofe ndër breza që janë epokalë në sport, 17 Kampionate e 18 Kupa të Shqipërisë të fituara nga Studenti për meshkuj, pa përmendur këtu edhe veprimtaritë e tjera brenda e jashtë Shqipërisë 
Rrudhja e volejbollit
“Kujtoj vitet 1973-1974 kur kemi dalë në gjysmëfinale në Kupat e Evropës në volejboll për meshkuj. Shorti na ra me skuadra sovjetike dhe të Gjermanisë Perëndimore, e për shkak të ideologjisë së sistemit të kaluar nuk u ndeshëm me ata kundërshtarë. Pasojat dihen, pezullim për shumë vite nga veprimtaritë ndërkombëtare, çka e rrudhi shumë lojën e volejbollit në vendin tonë”.
Me Fatmir Ajdinin, 36 vite bashkëpunim
Nëse në karrierën e Ylli Tomorit ka shumë të veçanta, njëra prej tyre është edhe periudha e gjatë e bashkëpunimit me kolegun e tij Fatmir Ajdini. “Fatmiri (Miço) është një dashamirës i papërtuar që i ka qëndruar pranë ekipit në këtë periudhë 36 vjeçare. Ai mbulon sektorë të rëndësishëm në skuadër, pasi ajo në çdo moment është si një ndërmarrje ku nuk mund të punosh i vetëm. Miço ka mbetur besnik në bashkëpunimin me mua si zëvendës trajner, dhe unë do ta veçoja si një faktor në gjithçka kemi arritur së bashku në këtë periudhë, pse jo edhe në vështirësitë që kemi kaluar”, ka treguar Ylli Tomori, i cili së bashku me Miço Ajdinin realisht ka bërë epokë në volejbollin shqiptar.
RENDITJA/ MESHKUJ
Skuadrat Pikë Sete Dif.
Partizani 24 8/0 24-2
Farka Volej 18 6/2 20-9
Vllaznia 16 5/3 17-11
Tirana 15 5/3 18-10
Studenti 14 5/3 15-14
Erzeni 12 4/4 16-14
Skënderbeu 6 2/6 6-20
Teuta 2 1/7 6-23
Elbasani 1 0/8 4-24
Sigal