Superkupa, statistika dhe kuriozitete

794
Sigal

Tirana, skuadra që e ka fituar edhe me shumë trofeun e Superkupës, dhjetë herë

Tirana, skuadra që e ka fituar edhe me shumë trofeun e Superkupës, 10 herë, duke mbajtur njëherësh edhe rekordin e finaleve të luajtura me 13 të tilla

FINALET E REPUBLIKËS

Tri finalet e para të Superkupës së Shqipërisë ato të viteve 1989, 1990 dhe 1991 janë zhvilluar, në datën 11 janar, pikërisht në atë që konsiderohej si “Festa e Republikës”, nga regjimi komunist. Më pas, data ndryshoi dhe ajo zhvillohet si kudo në Europë përpara fillimit të sezonit.

FITUES PA LUAJTUR

Tirana e ka fituar dy herë Superkupën e Shqipërisë, edhe pse nuk ka diskutuar një ndeshje finale. Në edicionin 1995-1996 dhe 1998-1999, Tirana fitoi si kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë dhe e fitoi automatikisht trofeun e Superkupës. E njëjta gjë edhe me Partizanin e edicionit 1992-1993.

SEZONET PA FINALE

Në dy raste, finalja e Superkupës nuk u luajt. Kështu ajo e sezonit 1995-1996, me kampione Tiranën dhe fituese të Kupës, Teutën, nuk u luajt. Po kështu edhe finalja e edicionit 1996-1997, midis Tiranës kampione dhe Partizanit fitues të Kupës së Shqipërisë, për shkak të trazirave.

51 GOLA

Në 24 ndeshjet finale janë shënuar plot 51 gola, nga këto 3 me penallti. Goli i parë në finalen e një Superkupe mban firmën e sulmuesit të Dinamos, Eduard Abazi, i cili shënoi në minutën e 4-të kundër Tiranës, në edicionin 1989-1990. Goli i fundit është ai autogoli i realizuar kroati Marko Radash (90’) i Skënderbeut, në fitoren 2-1 të Tiranës me korçarët në finalen e vitit 2012. Golin më të shpejtë e ka realizuar Igli Allmuça i Partizanit, në minutën e 2-të, në ndeshjen Partizani-Tirana 2-0 (2004).

Tripleta e famshme e Sokol Kushtës

Sokol Kushta është i vetmi lojtar, i cili ka realizuar 3 gola në një finale Superkupe. Sulmuesi i Flamurtarit ka shënuar në barazimin 3-3 kundër Dinamos, në finalen e vitit sezonit 1990-1991, dhe të fituar më pas me penallti 5-4. Tre gola, por në dy ndeshje ka realizuar Mahir Halili i Tiranës. Gjashtë futbollistë kanë shënuar nga 2 gola, 29 nga një gol.

Golashënuesit:

3 gola: Sokol Kushta (Flamurtari), Mahir Halili (Tirana),

2 gola: Sulejman Demollari (Dinamo), Ermal Tahiri (Dinamo), Ferdinand Bilali (Elbasani), Saimir Patushi (1 Vllaznia, 1 Tirana), Elvis Sina (Tirana), Devi Muka (Tirana),

1 gol: Eduart Abazi (Dinamo), Hekuran Jakupi (Elbasani), Uliks Kotrri (Vllaznia), Hysen Dedja (Vllaznia), Viktor Daullja (Flamurtari), Sokol Prenga (Tirana), Auron Miloti (Vllaznia), Dashnor Poçi(Apolonia), Indrit Fortuzi (Tirana), Vioresin Sinani (Vllaznia), Ervin Bulku (Tirana), Fjodor Xhafa (Tirana), Alban Tafaj (Tirana), Ansi Agolli (Tirana), Igli Allmuça (Partizani), Dorian Bylykbashi (Partizani), Hamdi Salihi (Tirana), Orjand Abazaj (Tirana), Nevil Dede (Tirana), Klodian Duro (Tirana), Erand Hoxha (Besa), Emiliano Veliaj (Besa), Frane Petriçeviç (Dinamo), Pllumb Jusufi (Dinamo), Arber Abilaliaj (Tirana), Artion Poçi (Besa), Paulin Dhëmbi (Besa), Ariel Shtini (Besa), Elis Bakaj (Dinamo), Bekim Balaj (Tirana), Afrim Taku (Tirana), Sebino Plaku (Skënderbeu).

Autogol: Radash (Skënderbeu)

Spanjolli Hulian Rubio, “mbreti” i kompeticionit

Gjashtë trajnerët e huaj

që kanë fituar Superkupën

Trajnerët e huaj që kanë fituar Superkupën janë gjashtë. Miklosh Temeshvari është i pari i huaj që fitoi Kupën e Shqipërisë. Hungarezi e fitoi me Tiranën kundër Teutës (1-0, 2000). Malazezi Dervish Haxhiosmanoviç e fitoi me Vllazninë, në një finale të fituar 2-1 me Tiranën (2001). Boshnjaku Enver Haxhiabdiç e fitoi me Tiranën, në finalen kundër Dinamos (6-0, 2002). Kroati Zllatko Daliç e fitoi Superkupën (2008) me Dinamon, duke mundur në finale Vllazninë (2-0). Kroati Ilija Lonçareviç e fitoi (2009) me Tiranën, duke mundur 1-0 në finale Flamurtarin e Vlorës, me një gol të një vlonjatit Arbër Abilaliaj. Spanjolli Hulian Rubio e fitoi Superkupën në vitin 2011 dhe 2012, duke mundur 1-0 dhe 2-1 në finale Skënderbeun.

1999-2000  TIRANA-Teuta 1-0

MIKLOSH TEMESHVARI-Hasan Lika

2000-2001  VLLAZNIA-Tirana 2-1

D. HAXHIOSMANOVIÇ-Shkëlqim Muça

2001-2002  TIRANA-Dinamo 6-0

ENVER HAXHIABDIÇ-Faruk Sejdini

2007-2008  DINAMO-Vllaznia 2-0

ZLLATKO DALIÇ-Agim Canaj

2008-2009  TIRANA-Flamurtari 1-0

ILIJA LONÇAREVIÇ-Eqerem Memushi

2010-2011 Skënderbeu-TIRANA 0-1

Shpëtim Duro-HULIAN RUBIO

2011-2012  Skënderbeu-Tirana

Mirel Josa-HULIAN RUBIO 1-2

15 trajnerët fitues

19 finalet e luajtura deri tani të Superkupës së Shqipërisë kanë parë 15 trajnerë fitues: Sulejman Mema (2), Edmond Liçaj (2), Sulejman Starova (2), Shkëlqim Muça (2), Hulian Rubio (2), Bejkush Birçe (1), Dashamir Stringa (1), Vasil Bici (1), Miklosh Temeshvari (1), Dervish Haxhiosmanoviç (1), Enver Haxhiabdiç (1), Mirel Josa (1), Zllatko Daliç (1), Ilija Lonçareviç (1) dhe Shpëtim Duro (1).

Presidenti i FSHF-së: “Në muajin tetor zgjidhet kompania konsulente për stadiumin e ri”

Armando Duka: “Kombëtarja, në kulmin e saj”

Presidenti i Federatë Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, tha gjatë një interviste se, në muajin tetor do të zgjidhet kompania e konsulencës për stadiumin e ri kombëtar. “Pas këtij procesi do të duhet që të merret leja e ndërtimit e të fillojë puna. Në limitet kohore të përcaktuara nga konsorciumi i konsulencës, stadiumi duhet të përfundojë në fund të vitit 2015. Që këto afate kohore të respektohen do të duhet që të kemi mbështetje të sigurt për financimin nga Qeveria dhe shpejtësi në vendimmarrjet për lejen e ndërtimit”, – tha ai për faqen “Superliga Shqiptare”.

“Që në fillim do të duhet të rikujtoj se Federata Shqiptare e Futbollit mori iniciativën e këtij projekti, e ndodhur para fakteve që ekipet shqiptare nuk mund të luajnë në asnjë stadium të vendit ndeshje në grupe të Champions League apo Europa League. Stadiumi aktual nuk plotëson as kushtet minimale për spektatorin shqiptar. Shteti me buxhetin e tij nuk kishte dhe nuk premtonte asnjë mundësi për realizimin e ndërtimit të tij. Projekti ka kaluar në disa etapa të rëndësishme dhe të diktuara nëpërmjet procedurave të legjislacionit në Shqipëri dhe kushteve të organizmave ndërkombëtare të futbollit, UEFA dhe FIFA. Në fillim u krijua shoqëria e përbashkët me emrin “Kuq e Zi sh.a.” me ortakë Federatën Shqiptare të Futbollit 75% si investitor dhe Qeverinë e Republikës së Shqipërisë me 25%”. Duka foli edhe në lidhje me postin e presidentit të FSHF-së, pasi zgjedhjet e reja janë në vitin 2014. “Në demokraci vendos vota dhe vetëm ajo. Për sqarim më lejoni të nënvizoj se rotacioni në këto Shoqata Sportive siç është Federata nuk ka paralelizëm me rotacionin politik. Mjafton t’u kujtoj se sa vjet ka Blater në krye të FIFA-s, apo me dhjetëra presidentë të nderuar të federatave homologe në mbarë botën. A do të mendoni ju se atje nuk ka zhvillim? A vlerësoni ju se atje nuk ka rezultate? Mendoj që jo, sepse zoti Vilar, presidenti i Federatës së Spanjës ka hyrë në dekadën e tretë të drejtimit të këtij institucioni tepër të njohur e me prestigj absolut në botë”. Duka foli edhe sukseset e Kombëtares. “Ne vërtet nuk jemi Spanja, por jemi Shqipëria që mbajmë vendin e dytë në grup dhe pretendojmë për të prekur historinë, jemi Shqipëria, e 38-ta në renditjen botërore, jemi Shqipëria me gati 30 mijë futbollistë, jemi Shqipëria ku skuadrat vendase i janë afruar grupeve elitare duke eliminuar ekipe të njohura ne kontinent, jemi Shqipëria që ka sot terrene futbollistike më shumë se e gjithë historia e marrë së bashku, jemi futbolli shqiptar më i menaxhuar, më i ndërkombëtarizuar dhe më kompetitiv që ka qenë ndonjëherë në vendin tonë. Statutin, zgjedhjet dhe votuesit nuk i bën presidenti, por Asambleja e Përgjithshme, e cila është fuqiplotë edhe në rastin për të nderuar dhe respektuar sportdashësin e mirëpritur”.