Superiorja, sot do të luhen pesë ndeshje, Tirana do të përballet me Kastriotin, Partizani me Skënderbeun

194

Koha është flori për Superioren këtë sezon, pas bojkotit. Pas ndeshjeve të mesjavës, tashmë është radha për sfidat e radhës për llogari të javës së pestë të kampionatit elitar të futbollit në vend.

Tre ndeshje luhen prej orës 13:45 dhe në fushë do të zbresin kampionët në fuqi të Tiranës, që luajnë në Kamëz kundër Kastriotit që ka surprizuar në javët e para dhe renditet në vendin e dytë në kampionat.

Sfidë po ashtu interesante luhet në Ballsh, ku vendasit që nuk e kanë provuar shijen e fitores presin Teutën e mbërthyer pas barazimeve në shtëpi. Sot Laçi ka mundësinë të provojë shijen e fitores, me Stavri Nicën në krye, kundër Apolonisë.

Më pas vijnë ndeshjet e orës 16:45 dhe vëmendjen e merr një tjetër derbi i veriut.

Vllaznia-Kukësi është një ndeshje për t’u parë, duke pasur parasysh që shkodranët kanë një ecuri fantastike në këtë fillim sezoni.

Kukësi u çlirua në mesjavë, pas fitores me Laçin dhe do kërkojë të marrë sërish pikë.

Ndeshje tjetër që luhet sot është ajo mes Partizanit dhe Skënderbeut që pikët e vetme i ka marrë në ndeshjet jashtë. Të kuqtë shikohen si favoritë.