Presidenti Meta nderon kujtimin dhe sakrificat e Dëshmorëve të Atdheut: 29 nëntori është fakt historik!

74

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut me rastin e 76-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë.

Kreu i Shtetit nderoi sakrificat sublime dhe heroizmin e martirëve, të cilët luftuan me trimëri e vetëmohim, dhe dhanë jetën e tyre për të mbrojtur Lirinë, Pavarësinë dhe Sovranitetin e Atdheut, duke vendosur një kurorë me lule para Monumentit “Nëna Shqipëri”, si dhe duke u përulur me respekt ndaj kujtimin të tyre.

Në një prononcim për mediat, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Në këtë ditë monumentale të historisë sonë, të Çlirimit të Shqipërisë nga bisha nazi-fashiste, përulem me nderimin më të thellë dhe të përjetshëm, ndaj të gjithë shqiptarëve, në veçanti ndaj atyre vajzave dhe djemve, të cilët nuk e pranuan pushtimin që në ditën e parë, me qëndresën heroike të Mujo Ulqinakut dhe shumë të tjerëve, e deri në ditën kur Ushtria Antifashiste, shporri nga territori i vendit tonë edhe forcat më të fundit, pa ndihmën e Ushtrisë së Kuqe, siç ndodhi në gjithë vendet e tjera të ish-Europës Lindore.

 

Jo vetëm kaq, por ajo dha kontribut të jashtëzakonshëm përtej kufijve të Shqipërisë, duke rritur prestigjin dhe kontributin ndërkombëtar të vendit tonë në këtë luftë të madhe, që bëri të mundur më pas edhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetin e  Shqipërisë, që rrezikohej nga pretendimet e shovinistëve fqinjë.

Ne sot, përulemi me nderimin më të thellë para Qemal Stafës, Vojo Kushit, Margartia Tutulanit e gjithë atyre yjeve dhe Margaritave, që dhanë jetën e tyre me ndërgjegjeje të plotë, për të treguar pavdekësinë e Shqipërisë, si një shtet i lirë dhe i pavarur.

Sot, më kujtohen pikërisht ato çfarë Margarita Tutulani, shkruante në hartim në moshën 16 vjeçare vëllait të saj më të vogël, i cili e pyeste: Motër, po për çfarë na duhet Atdheu?

Ajo i përgjigjet: Vëllaçko kur të rritesh do ta kuptosh, por Atdheu na duhet që të jemi të lirë.

Mendoj që ky mesazh vjen nga një edukim patriotik i këtyre të rinjve dhe të rejave, nga familjet e tyre, nga prindërit e tyre, nga paraardhësit e tyre.

Sot, ne jo vetëm duhet të kujtojmë këta heronj e atdhetarë, por dhe veteranë, që kanë luftuar për çlirim e Shqipërisë dhe që ju urojmë jetë të gjatë, por, njëkohësisht edhe duhet t’i kushtojmë shumë rëndësi edukimit patriotik të qytetarëve, të fëmijëve, të të rinjve dhe forcimit të ndenjave të atdhedashurisë.

Nëse të rinjtë e asaj kohe bën një detyrë jashtëzakonisht shumë të vështirë për vendin tonë, sot, të rinjtë e Shqipërisë kanë një detyrë shumë të madhe por e kanë pak më të lehtë.

Veç se duhet të kenë shumë vetëbesim, duhet të kenë më shumë angazhim, dhe duhet të marrin më shumë përgjegjësi, në mënyrë që të ndalin shpopullimin e Shqipërisë, nga të rinjtë në radhë të parë dhe nga të gjithë shqiptarët.

Por, jo vetëm kaq, po të bëjnë të mundur, që edhe të gjithë ata që kanë ikur,  të kthehen dhe të kontribuojnë në vendin tonë, për ta bërë Shqipërinë vërtet si gjithë Europën.

Pyetje: Zoti Meta, jemi ne të rritur politikisht? Po flas për politikën, për të dashur Atdheun dhe për të qenë të bashkuar,  sidomos në këto ditë të vështira…!

 

Presidenti Meta:Populli shqiptar ka treguar në çdo moment të vështirë, që di të ngrihet mbi përçarjet, mbi ato forca të cilat kërkojnë t’i shterin energjitë më pozitive dhe kërkojnë t’ia vjedhin atdhedashurinë dhe besimin tek e ardhmja.

Unë jam tepër optimist, që shqiptarët e kanë të qartë se kërkohet një ndryshim i jashtëzakonshëm, dhe ky ndryshim ka të bëjë me atë, që ata do të marrin fatet e tyre në duart e tyre, nuk kanë nga të presin.

Pyetje:Kur do të vijë ajo ditë që politika shqiptare të festojë një ditë të përbashkët festat e Nëntorit, se duket se është e ndarë. Demokratët e përkujtuan dje ditën e Çlirimit, ndërkohë sot krerët më të lartë të shtetit. Kur do t’i jepet fund këtij debati për datat?

Presidenti Meta:Për mua nuk ekziston një debat për datat.

 

Data 29 Nëntor ka qenë edhe mbetet një datë edhe e provuar, e argumentuar qartë nga historiografia.

Megjithatë unë nuk dua të marr këtë rol dhe nuk ka asnjë përpjekje që mund të eklipsojë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Mos harrojmë se një pjesë e madhe e udhëheqësve të kësaj lufte u persekutuan pas çlirimit të vendit, për arsye sepse një pjesë e madhe e tyre kishin qëllime të tjera, të kundërta nga pushteti, apo nga ai grup që drejtoi vendin tonë gjatë disa dekadave, në atë mënyrë që dihet.

Por, absolutisht ka qenë një luftë e jashtëzakonshme, ka qenë një luftë e cila e ka shpëtuar Shqipërinë nga ndarja, nga copëtimi.

Ne e dimë shumë mirë që edhe me atë luftë që u bë dhe me ato sakrifica që u bënë, përsëri më pas kërkohej që të ndahej Shqipëria, të shikohej si palë humbëse.

Ne, e dimë që edhe sot ekzistojnë ligje absurde që fajësojnë Shqipërinë, si një vend sulmues.

Kur Shqipëria ka qenë një viktimë e antifashizmit këtë e dinë të gjithë.

Falë atij gjaku, fal asaj sakrifice, ne shpëtuam shtetin tonë dhe në këtë drejtim unë,  mendoj që të gjithë duhet të jemi mirënjohës për atë epope të jashtëzakonshme të shkruar me gjak nga bijtë dhe bijat më të mira të Shqipërisë.