Sigal

Mario Baloteli bëhet gati për etapën e radhës në karrierën e tij e cila në mënyrë të papritur këtë vit ka marrë një kthesë aspak të mirë. Sulmuesi kishte shkëlqyer në dy edicionet e mëparshme me Nicën, por në sezonin aktual ka gjetur shumë pak hapësira për të bërë diferencën dhe pjesën më të madhe të ndeshjeve e ka kaluar në pankinë apo tribunë.

Sipas mediave franceze, ai duket se ka gjetur akordin e tij me skuadrën e Olimpik të Marsejës, që e kërkonte edhe në verë por pastaj pa se si SuperMario vendosi të qëndronte edhe një vit në Nicë. “L’Equipe” raporton se firma është çështje orësh dhe shumë shpejt ai do të vihet nën urdhrat e Rudi Garcia.

Ndërkohë, e përditshmja tjetër “La Provence” saktëson se marrëveshja parashikon fillimisht transferimin e tij deri në fundin e këtij sezoni, me një kontratë nga e cila ai do të fitojë 3 milionë euro nga vetëm 17 ndeshje që i mbeten të luajë klubit të tij në kampionat, gjithmonë nëse zbret në fushë për të gjitha.