Sigal

Me 17 milionë banorë dhe 23 milionë biçikleta, Holanda tashmë zyrtarisht ka më shumë nga këta të fundit se sa njerëz.

Nisur nga kjo, ajo tashmë dëshiron të shohë më shumë njerëz që përdorin këtë mjet për të udhëtuar dhe do t’i paguajë për ta bërë këtë.

Qeveria holandeze ka njoftuar se do të investojë 390 milionë dollarë në infrastrukturën e çiklizmit në mënyrë që shifra e atyre që udhëtojnë me biçikletë të arrijë në 200 000 brenda tre vjetësh.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Menaxhimit të Ujërave, do të ndërtohen 15 rrugë të veçanta vetëm për biçikleta, 25 000 hapësira parkimi si dhe më shumë se 60 objekte magazinimi biçikletash do të përmirësohen.

‘Ambicia ime është të mundësojmë që njerëzit të mund të shkojnë më lehtë në punë ose në shkollë, ose të vizitojnë familjen dhe miqtë’, shprehet Stientje van Veldhoven, sekretare shtetërore pranë Ministrisë së Infrastrukturës, e cila kryeson projektin.

Sipas Van Veldhoven, më shumë se 50% e njerëzve në Holandë jetojnë më pak se 15 kilometra nga puna dhe më shumë se gjysma e udhëtimeve janë nën 7.5 kilometra, një distancë që sipas saj shumë lehtë mund të përshkohet edhe me biçikletë.

Holanda është tashmë e njohur për kulturën e saj të lëvizjes me biçikletë. Ishin një sërë faktorësh që çuan në nivele të larta të përdorimit të biçikletës. Një ndër faktorët ishin kriza e naftës në vitet 1070, lëvizjet shoqërore në vitet 1960-1970 kundër shkatërrimit të lagjeve për ndërtimin e autostradave dhe dendësia e popullsisë urbane.

Autostradat e reja të dedikuara për biçikletat përfshijnë atë midis Amsterdamit dhe Amstelveenit, në periferi të kryeqytetit, një tjetër lidh qytetin verior të universitetit të Groningenit me Assen dhe një tjetër në Drenthe, e njohur ndryshe si ‘provinca e çiklizmit’ e Holandës. Ndërtimi i tyre do të fillojë brenda tre viteve të ardhshme.