Sport/ Hysen Dedja: Kampionati ka nivel të ulët, nuk po afron shikues

15

ABISSNET SUPERIORE/ Ish-futbollisti e trajneri i Vllaznisë, Hysen Dedja, analizon ecurinë e 12 javëve

Sigal

Agron Kaja

Agron Kaja

 

Abissnet Superiore ka bërë dy pauza të detyruara pa ndeshje, dhe që nga 6 nëntori skuadrat nuk kanë zhvilluar aktivitet zyrtar, përjashtuar 24 minutat e takimit Egnatia-Partizani. Duke qenë pushime në mesin e kampionatit, ish-futbollisti e trajneri i Vllaznisë, Hysen Dedja, mendon se këto ndikojnë në forma të ndryshme te skuadrat. “Disa ekipeve mendoj se ju ka shërbyer për mirë kjo pauz, e kryesisht Vllaznisë me trajnerin e ri. Të gjitha ato skuadra që kanë treguar oshilacione në paraqitjet e tyre në 12 javë, kjo hapësirë i ndihmon shumë. Por kjo u shërben edhe rikuperimeve të lojtarëve të dëmtuar, ndërkohë që këto pauza u prishin punë skuadrave, si Partizani, Egnatia e Kukësi, të cilat e kishin gjetur rritmin e garës”,- kështu e nisi Hysen Dedja bisedën për gazetën “Telegraf”, duke vazhduar më pas me reagimet e skuadrave në javën e 13-të që do të nisë më 23 nëntor, por edhe për efektet psikologjike  që mund të ketë lënë vdekja në fushë e sulmuesit të Egnatias, Rafael Duamena. “Sa i përket anës psikologjike pas vdekjes së Duemanës, unë mendoj se psikologjikisht ndikim do të ketë vetëm te Egnatia, por që do kalojë shpejt. Ndërsa te skuadrat e tjera nuk ka pse të ketë ndikim, dhe unë pa të drejtë e kam kaluar një situatë të tillë kur luaja me Vllazninë në vitin 1982, ku në një situatë të tillë humbi jetën një nga futbollistët më të talentuar Suad Duraj”. Java e 13-të që do të luhet në datat 23 dhe 24 nëntor. Ja se si specialisti Dedja i përshkruan ndeshjet e e kësaj jave. “Të gjitha ndeshjet e kësaj jave janë interesante, dhe po t’i shohësh me tabelën e renditjes duket sikur do kenë kuriozitet. Por ky kuriozitet është vetëm për rezultatin, jo për të shkuar në stadium, sepse niveli është i ulët, nën mesataren. Dhe për pasojë, e kemi parë se nuk afrohen njerëz në stadium, përjashtuar ndeshjet “Derbi” të kryeqytetit, por edhe aty jo gjithmonë. Gjithsesi, nisur nga ndeshjet e javës së 13-të, unë shoh më në gjendje Partizanin me Egnatian, të cilat kanë bërë menaxhim të mirë dhe kanë mbi 20 lojtarë të gatshëm. Kalendari përball pikërisht këto dy skuadra, ndërkohë që katër ndeshjet e tjera do kenë kuriozitet vetëm rezultatin”. Gjatë kësaj jave është larguar një drejtor sportiv, dhe këtë Hysen Dedja e lidh edhe me largimin e trajnerëve, duke ia fatuar situatën e skemës së re të Abissnet Superiores. “Që kur e kam lexuar skemën në fillim, nuk më ka pëlqyer. Më duket skemë skandaloze, por ata që e kanë formuluar e dinë”, ishte kjo biseda me specialistin e futbollit Hysen Dedja.

Përfitimet e FSHF për pjesëmarrje në Europian

Për kualifikimin në “Euro 2024”, ka edhe përfitime financiare për FSHF-në. Fillimisht ajo përfiton 9.25 milionë euro për kualifikimin në grupe, e cila është shifër minimale dhe e njëjtë për 24 kombëtaret që do të marrin pjesë. Por më tej, për çdo fitore në grup UEFA ka vendosur një bonus prej 1.5 milionë euro, ndërsa barazimi vlen 750 mijë euro. Por, nëse Shqipëria paraqitet mirë dhe kalon edhe grupin, ajo do të përfitojë edhe 2 milionë euro shtesë. Dhe shifra shkon në 3.25 dhe 5 milionë euro nëse arrin në gjysmëfinale. Kësisoj, pjesëmarrja në Europian sjell një bonus të madh për futbollin shqiptar.

Kualifikimi e pozicion Shqipërinë në vazon e dytë

Shqipëria do të pozicionohet në vazo e dytë në “Euro 2024”, së bashku me kombëtaret e Hungarisë, Danimarkës, Turqisë, Zvicrës dhe Austrisë. Ndërkohë që në vazon e parë janë përfaqësueset “big”, si Gjermania, Portugalia, Franca, Anglia, Belgjika dhe Spanja. Në këtë pikë është e pashmangshme një përfaqësuese e madhe, ndërsa në vazon e tretë janë përfaqësuese si Skocia, Holanda, Serbia, Sllovenia, Kroacia dhe Republika Çeke (nëse kualifikohet). Në vazon e katërt, shortin e ndërlikon prezenca e Italisë, e në këtë vazo gjejmë edhe Sllovakinë e Rumaninë. Ky është projeksioni i vazove.

Duamena nderrohet me 1 min heshtje

Një minutë heshtje për Duamenën. Në ndeshjen për kualifikueset e Kupës së Botës, Ganë-Madagaskar 1-0, kombëtaret afrikane nderruan sulmuesin që humbi jetën disa ditë më parë. Me Ganën, Rafael Duamena luajti 9 ndeshje dhe shënoi 2 gola. Ai humbi jetën pas një kolapsi që pësoi në fushë në minutën e 24-të, gjatë sfidës së javës 13-të Egnatia-Partizani, në Abissnet Superiore.

EGNATIA – PARTIZANI

Përballjet direkte në Superiore favorizojnë të kuqtë

Ndeshje 9, Egnatia 1 fitore, Partizani 3 fitore, 5 barazime, Golat 10:12

 

ABISSNET SUPERIORE

     NDESHJET, JAVA 13

Të enjten, 23 nëntor 2023

Egnatia-Partizani                     13:30

(U ndëpre në 24’)

Tirana-Kukësi              13:30

Dinamo City-Erzeni    17:00

(Në “Niko Dovana”, Durrës)

Të premten, 24 nëntor 2023

Vllaznia-Laçi               17:00

Skënderbeu-Teuta                   17:00

RENDITJA 

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Egnatia                     12        26

2.Partizani                   11        26

3.Tirana                       12        18

4.Laçi                          12        15

5.Kukësi                      12        14

8.Skënderbeu  12        14

7.Vllaznia                    12        13

8.Erzeni                       12        13

9.Dinamo City 12        12

10.Teuta                      11        12

 

Tirana e largimeve, po afrimet kur vijnë?!

Në hapësirën tre javore pa ndeshje zyrtare, te skuadra e Tiranës kanë ndodhur ngjarje, të cilat lenë një boshllëk në ecurinë e saj për vazhdimësinë. Konkretisht, ajo është skuadra e vetme në Abissnet Superiore, e cila në javën e 13-të shkon e “:zhveshur” me një nga “pushtetet” brenda klubit bardheblu. U largua trajneri Shehi, dhe provizorisht (kështu thuhet) skuadrën po e drejton Julian Ahmataj. U largua këtë javë drejtori sportiv, por emër konkret nuk kemi se kush do e zëvendësojë. Tirana e largimeve, afrimet kur vijnë?