Sokol Cikalleshi te Genoa ose Torino. Sadiku dhe Gashi shënojnë në Zvicër

462
Sulmuesi me origjinë shqiptare Sokol Cikalleshi që luan në kampionatin kroat të futbollit me RNK Split është kthyer në objektivin kryesor të shumë ekipeve italiane këtë merkato vere. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, konkretisht “Calciomercato.com” kavajasi është në kërkim nga Genoa dhe Torino. “Calciomercato.com” shkruan se Cikalleshi është në gjurmët e Igli Tares, që mbërriti nga Kaiserslautern në janar 2001 te Brescia dhe që më pas kaloi te Lazio.
“Igli Tare është sulmuesi shqiptar i cili ka lënë gjurmë në Serinë A por mesa duket pasuesi i tij që mund të përsërisë këtë sukses do të jetë Sokol Cikalleshi, një tjetër sulmues shqiptar i talentuar i cili ka rënë në syrin e disa skuadrave në Itali konkretisht të Genoa-s dhe Torinos dhe mund të transferohet në Itali shumë shpejt”, shkuan “Calciomercato.com”. Cikalleshi po zhvillon një super edicion në kampionatin kroat të futbollit duke shënuar thuajse çdo javë, dhe jo vetëm në kampionat, por edhe në Kupë.
Cikalleshi është lakuar disa herë nga menaxherët më të mëdhenj të futbollit italian pas paraqitjes së mirë që zhvilloi në ndeshjen miqësore që Shqipëria zhvilloi përballë Italisë në vitin e kaluar në nëntor në Genoa. Madje edhe Luciano Moxhi në disa intervista që ka dhënë lidhur me paraqitjen e kombëtares dhe futbollit shqiptar në përgjithësi ka theksuar paraqitjen e Cikalleshit duke deklaruar se në Serie A mund të përshtatet mjaft mirë.
Cikalleshi cilësohet si një lojtar shumë i fortë fizikisht në luftën në ajër, por edhe në kontrollin e topit dhe menaxhimit të mirë të rasteve në zonën e rreptësisë. Një shtytje kalimit të sulmuesit në Itali padyshim që i ka dhënë edhe trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi duke e sponsorizuar në ekipet që kanë filluar gjurmimin e tij. Pavarësisht se në cilin ekip do të militojë edicionin tjetër, duket se një gjë është e sigurt, që Cikalleshi edicionin tjetër nuk do të jetë më pjesë e Splitit në kampionatin kroat. Cikalleshi ka luajtur me Besën, Skënderbeun, Tiranën, në Korenë e Jugut, Kukësin dhe në Kroaci.
Sadiku dhe Gashi gola në Zvicër
Shqiptarët vazhdojnë që të dhurojnë gola dhe spektakël në Zvicër. 3 gola nga shqiptarët janë shënuar në ndeshjen mes Thunit dhe Baselit në barazimin 2-2. Berat Sadik shënoi dy gola për ekipin e Thunit, ndërsa për Baselin njërin nga dy golat e shënoi i përhershmi Shkëlzen Gashi duke arritur në kuotën e 22 golave këtë edicion.
Në fushë për Baselin ishin edhe dy vëllezërit Arlind dhe Albian Ajeti. Barazimi i siguroi Thunit Europa League, ndërkohë që Baseli e kishte fituar titullin kampion dy javë më parë. Por, gola gjatë të hënës ka shënuar edhe Armando Sadiku, që rikthehet të tundë rrjetën pas 3 muajsh. Sulmuesi nga Elbasani me golin e shënuar i dha fitoren Zyrihut në fitoren minimale ndaj Lucernës 0-1.
Bekim Balaj
Por nuk është vetëm Cikalleshi, Gashi dhe Sadiku por edhe Bekim Balaj që po shkëlqen në Kroaci me Rijekën. Paraqitjet e shkodranit janë shoqëruar me gola mjaft të bukur nga njëra ndeshje te tjetra duke tërhequr vëmendjen e menaxherëve.
Pas golave dhe fitores së fundit me Osijek, sulmuesi përmes një interviste ka falënderuar tifozët dhe ekipin për besimin që i kanë dhënë këtë edicion. “Jam shumë i kënaqur dhe i lumtur këtu.
Falenderoj drejtuesit dhe tifozët për mbështetjen që më kanë dhënë. Jam i kënaqur me edicionin dhe shpresoj ta mbyllim në mënyrën më të mirë” deklaroi ai. Ashtu si Cikalleshi edhe Bakaj mund të largohet nga kampionati kroat.
Sigal