SOFIA (ELSA) MANGO, JETIMJA QË UDHËTOI MES REKORDEVE

492
Nga Agron MEMA
PROFIL/ Ja si kujtohet sot rekordmenia e stilit të lirë në not në të gjitha garat, e kaluara dhe e tashmja e saj në Sarandë
Sofia, apo Elsa siç e njohin në Sarandë, ka vetëm pak kohë që ka dalë në pension. Me një veshje sportive dhe flokë të prerë shkurt, e shikon në qytet, ëndërrimtare mes buzëqeshjes karakteristike, tymit të cigareve dhe avujve të kafesë. Nuk ishte e lehtë që të bisedonim me të. Nuk ka biseduar asnjëherë me medien dhe nga biseda me të kuptojmë edhe shkakun; dallga e jetës qe e fortë për të dhe i la një sensibilitet në shpirt, aq sa për çdo fjalë tek e kaluara e shoqëron me një brengë dhe pikë loti. Elsës shpesh në jetë i është dashur të jetë grua dhe burrë, fill e vetme në përballje të jetës. Por Sofia-Elsa, nuk udhëtoi vetëm mes dëshpërimit të vetmisë familjare, ajo udhëtoi dhe lundroi mes rekordeve dhe duartrokitjeve të shumtë që e shoqëronin në garat e notit. Sot është 62 vjeç, pensioniste, dhe nga këto vite shikon rrugëtimin e saj të jetës dhe të suksesit. Ajo kujton se në Sarandë erdhi 9 vjeçe nga Përmeti, në vitin 1966 duke u bërë banorja më jetëgjatë e Shtëpisë së Fëmijës (për moshën shkollore) “Vangjel Pulla”. Që 9 vjeçe kur u strehua e deri sa doli në pension nuk u largua nga kjo banesë, ku ishte edhe e punësuar deri sa mosha e nxori në pension. Sofia kujton ato vite të largëta, kur para syve të saj u shfaqën ujërat e kaltra të detit. U dashurua menjëherë me kaltërsinë e tij dhe deti do t’ia kthente po me bujari dhe mirënjohje, këtë dashuri. Gjatë verës nuk i ndahej detit deri sa shumë shpejt mësoi të notonte. Dhe mbërriti rasti fatlum për të. Një ditë, teksa po bënin gara me shoqet në ujin e detit, i ra në sy të trajnerit Esat Mamaca, emrin e të cilit mban sot zadra e notit në Sarandë. Trajneri Mamaca i thirri vajzat pranë dhe u tha se, a dëshironin të futeshin në ekipin e notit. Vajzat të druajtura iu përgjigjën, se ishin të shtëpisë së fëmijës. Por trajneri u tha, se ato punë i rregullon ai, ju më thoni a jeni dakord. Kaq u desh që për Sofinë të fillonte rrugëtimi i suksesit. Po atë vit renditet e para në garat e shkollave të qytetit. Shpejt do të bëhej protagoniste e rekordeve në stil të lirë në garat 100-200-400-800-1500 metra stil i lirë. Nga shtëpia e fëmijës me ekipet e notit në Sarandë u aktivizuan atë vit 17 vajza. Sofia do të ecte drejt suksesit të saj, aq sa në garat miqësore të Pekinit do të zinte vendin e dytë. Dhe këtë lundrim mes ujërave dhe suksesit do ta vijonte deri në vitin 1975, vit kur u shkëput nga sporti. Meritat e saj janë shpërblyer me shumë diploma dhe medalje, tituj nderi, si ajo për 25-vjetorin e Çlirimit të Atdheut më 1969, diploma nga KS “Butrinti” për kontributin e dhënë në vite në sportin e notit, “Nderi i notit” shqiptar dhe “Mjeshtër Sporti”. Kjo është Sofia, rekordmene e stilit të lirë në not në të gjitha garat. Por teksa e pyet për sot, ajo mbledh buzët dhe e dëshpëruar psherëtin, se për notin sot nuk bëhet fjalë, duhet një pishinë. “Nuk kam lekë, se do ta bëja vet një pishinë”,-përfundon Sofia teksa iu shpreh mirënjohjen e sajë trajnerëve Esat Mamaca e Spiro Koça, shoqeve Natasha Cani, Kozeta Kalcuni e të gjithë atyre që qenë bashkudhëtarë me të në sportin e bukur të notit,
Nga shtëpia e fëmijës me ekipet e notit në Sarandë, u aktivizuan atë vit 17 vajza. Sofia do të ecte drejt suksesit të saj, aq sa në garat miqësore të Pekinit do të zinte vendin e dytë. Dhe këtë lundrim mes ujërave dhe suksesit do ta vijonte deri në vitin 1975, vit kur u shkëput nga sporti. Për nderin e saj, shkollat 9 vjeçare kanë zhvilluar Kampionatin dhe Kupën “Sofia Mango”

Sigal